Ndërlidhjet

S. HAMITI: STATUSI DUHET TË ZGJIDHET NË BAZË TË VULLNETIT TË SHUMICËS NË KOSOVË


Sabri Hamiti, deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë, me të cilën rikonfirmon vullnetin e popullit të Kosovës. Sa konsideroni se kjo rezolutë e përcakton qartë rolin e Kuvendit të Kosovës në procesin e bisedimeve?

SABRI HAMITI
Paraprakisht duhet të theksohet se Kuvendi e ka të drejtën e hartimit dhe të miratimit të rezolutave dhe vendimeve të veta. Unë konsideroj se në këtë rast, Kuvendi e ka kryer një funksion të vetin dhe ka aprovuar një rezolutë, e cila rikonfirmon vullnetin politik të Kosovës për pavarësi. Me siguri që kjo rezolutë do të jetë edhe në funksion të të pritshmes politike të Kosovës dhe do të përcaktojë dhe qëndrimin rreth statusit përfundimtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni qenë njëri prej nënshkruesve të një teksti tjetër të rezolutës, bashkë me shefat e grupeve parlamentare. Ku qëndrojnë në fakt dallimet mes versionit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe rezolutës së propozuar nga grupet parlamentare dhe komisionet përkatëse?

SABRI HAMITI
E artikuloni drejt problemin. Ne kemi qenë të ngarkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndërtojmë dy komisione të Kuvendit dhe me shefat e grupeve parlamentare më të mëdha në Kuvend të hartojmë një rezolutë. E kemi hartuar rezolutën dhe kemi patur një konsensus të plotë, që do të thotë total rreth saj dhe të gjithë këta njerëz e kanë nënshkruar këtë rezolutë. Ky është një tekst i konsensusit. Në mbledhjen e parlamentit është ndryshuar. Rezoluta e miratuar nuk është kjo e të gjithë këtyre komisioneve dhe grupeve parlamentare dhe ndryshimi është edhe në tekst, edhe në destinimin e rezolutës. Pra janë dy ndryshime thelbësore do të thosha. Në tekst është se atje është kërkuar rikonfirmimi i shpalljes së Kosovës shtet sovran dhe i pavarur, ndërsa në rezolutë është që rikonfirmohet vullneti. Dallimi është shumë i madh. Unë e di që ka njerëz që kanë përfolur nëpër gazeta, për fat të keq edhe komentatorët të ashtuquajtur në politikë, që e shohin që është e njëjta gjë. S'është e njëjta gjë hiç. Tjetër është të rikonfirmosh shpalljen që është akt i shpalljes, tjetër është të rikonfirmosh vullnetin që shpreh një dëshirë. Dallimi i madh është ky. Dallimi i dytë është në destinimin e rezolutës. Paraprakisht rezoluta është menduar si një vendim i Kuvendit, pavarësisht vlerës përdoruese të saj. Varianti i ri ka brenda një tekst, i cili e bën të përdorueshme këtë rezolutë, shkurt dhe shqip, e bën si një element të përdorueshëm për grupin negociator, që është dallim i madh funksional.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hamiti, bazuar në punën e deritashme të grupit negociator apo delegacionit të Kosovës, sa konsideroni se Kosova në këtë rast është treguar e përgatitur për të hyrë në procesin e bisedimeve?

SABRI HAMITI
Unë konsideroj se politikisht hapat janë në rregull. Është kryetari i Kosovës, i cili e ka ndërtuar një delegacion, i cili pretendon të jetë përfaqësuesi i forcave politike, qofshin ato pozitë apo opozitë në Kosovë. Domethënë e shoh një gjest kushtetues në rregull. Komisioni ose grupi përfaqësues, disa po i thonë grupi negociator, ka bërë provat e para të punës së vet. Është në fazën, mesa po njoftohem, të konstituimit të vet, të funksionalizimit me komisione dhe ekspertë. Tani ky komision ose grup përfaqësues, pak a shumë e ka rrugën të caktuar dhe mbas rezolutës obliguese të Kuvendit, në vija të trasha mendoj që ata e dinë punën e vet dhe ku do të shkojnë, që nuk do të ketë dalje prej saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër sa konsideroni se janë reale shqetësimet e vazhdueshme të administratës ndërkombëtare për rrezikun nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë. A prisni ju në fakt një përshkallëzim të tillë gjatë procesit të bisedimeve?

SABRI HAMITI
Tash këto artikulime ju i keni të UNMIK-ut sigurisht dhe të KFOR-it, të organizmave ndërkombëtare që ekzistojnë në Kosovë, qofshin ato ushtarake ose administrative. Unë mund të jap sensin personal rreth problemeve, por jo dhe dëshmitë, për shkak se ju e dini se UNMIK-u gjithmonë na e mban parasyve të dhënën se siguria është pjesë e rezervuar e jona, punët e jashtme janë pjesë të rezervuara tonat. Nëse ata i kanë të rezervuara, atëhere i japin edhe përgjegjësitë për punën edhe për sigurinë. Nuk shoh ndonjë arsye ad hoc të keqësimit të situatës së sigurisë, për shkak të negociatave, sepse ekziston gati një konsensus i qytetarëve të Kosovës që në këtë fazë, pavarësia e Kosovës të bëhet akt ndërkombëtar përmes bisedimeve. Në këtë kuptim unë nuk shoh arsye të mëdha që të ketë prishje të sigurisë. Nëse UNMIK-u ka të dhëna të tjera, atëhere është mirë që të vijë dhe t'i tregojë ato para parlamentit.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, cilat janë pritjet tuaja nga procesi i bisedimeve dhe vetë përfundimi, përmbyllja e tyre, rezultati që ju prisni?

SABRI HAMITI
Askush nuk po artikulon ndonjëfarë orari ose kohe dhe natyrë të bisedimeve. Ju e keni parë që zoti Ahtisari kurrgjë konkrete nuk ka thënë. Ne nuk dimë ende teknologjinë e zhvillimit të atyre bisedimeve dhe mundemi vetëm të paragjykojmë. Ne e kemi ndërtuar atë grup përfaqësues politik që quhet negociator. Unë për vete tani mund të jap opinionin tim. Do të ketë një proces, sa për bisedimet konkrete Prishtinë -Beograd, unë jam shumë skeptik. Madje personalisht mendoj që një ndeshje e dy palëve, Prishinë-Beograd për statusin e Kosovës, jo për një vit, por kurrë nuk mund të merren vesh, sepse është provuar disa herë që me Beogradin rreth statusit të Kosovës nuk mund të bihet në ujdi. Kjo vetëvetiu, sipas llogjikës sime, përjashton zgjidhjen në këtë bisedim dypalësh. Atëhere ne do të kemi sigurisht një proces të bisedimeve me palën ndërkombëtare, rreth statusit të Kosovës. Sa intensifikohet kjo unë nuk mund ta di. Por e di një gjë, që Kosova duhet të kalohet nga kjo fazë në një fazë tjetër politike. Kjo është shteruar, kjo është bërë e padurueshme, kjo më në fund është bërë një situatë ku bllokon zhvillimet demokratike në Kosovë, elementarisht zhvillimet politike, ekonomike dhe të gjitha dhe nëse vazhdohet, do të krijojë atë që quhet një frustracion i përgjithshëm i gjendjes së pandryshuar. Nëse një popullsie ja krijon situatën që ndihet ngushtë në të gjitha lëmitë, normalisht që duhet të pritet që ajo atë pakënaqësi do ta gjejë udhën ta artikulojë. Është mirë që problemet të artikulohen politikisht, racionalisht, me llogjikë shtetërore. Atëhere nuk ka pse të ketë dhe tensione të natyrave përtej politikës. Nëse do i bija shkurt, unë pres që statusi i Kosovës duhet të zgjidhet në bazë të vullnetit të shumicës në Kosovë. Unë e di që pas një lufte politike dhe pas një lufte çlirimtare në Kosovë, pos pavarësisë, nuk ka shanc të vlejë diçka tjetër. Këtu nuk pi ujë, nuk ec. Zgjedhjet e ndërmjetme, gjysmake, kanë prodhuar sende të këqija gjithmonë, kudo dhe sidomos tek ne, sidomos në Ballkan dhe sidomos në Kosovë.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG