Ndërlidhjet

MENTALITETI EVROPIAN- ENDE I HUAJ PËR POLITIKANËT SHQIPTARË


Visar Zhiti, shkrimtar dhe ish i përndjekur politik

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zhiti, u bënë 15 vjet demokraci dhe ju si ish i përndjekur politik, si e gjykoni pozitën e këtij komuniteti tashmë pas 15 viteve? A mendoni se qeveritë kanë bërë aq sa duhet për kthimin e pronave të tyre apo për kompensimin e viteve të përndjekjes?

VISAR ZHITI
Kanë kaluar 15 vjet nga rënia e diktaturës dhe sa i përket pyetjes suaj si ndihen ish të përndjekurit, unë do të thosha se ai ishi nuk ka vend, ata ndihen të përndjekur. Me gjithë dëshirat apo tendencat për të bërë diçka, nuk është bërë ajo thelbësorja që duhet. Ka mungesa të mëdha, ka mungesa vullneti dhe mundësi të pakta reale për të bërë atë që meritojnë dhe atë që duhet. Në radhë të parë atë që meriton shoqëria të bëjë, pastaj atë që meritojnë ata që vuajtën. Jemi përsëri në një shoqëri post-diktatoriale, e cila akoma nuk di të mendojë ndryshe, por sipas skemave, shembujve dhe bëmave të së kaluarës. Pra mentaliteti i tanishëm evropian ndihet shumë i huaj, ose një luks i pakapur akoma nga mendjet e politikanëve shqiptarë në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Në programin e Partisë Demokratike para zgjedhjeve ka qenë dhe rehabilitimi i ish të përndjekurve politikë. A keni shpresa? Çfarë keni parë në këto 100 ditët e para të kësaj qeverie? A ka ndonjë lloj dëshire nga ana e kësaj qeverie për të rehabilituar ish të përndjekurit?

VISAR ZHITI
Për të qënë realist, kam vënë re që nga Partia Demokratike ka një tendencë dhe një dëshirë për t'i patur të sajët ish të përndjekurit politikë, për të përfshirë dëshirat dhe hallet e tyre në programet e veta. Në fitoren e saj të parë u bënë mjaft gjëra për të përndjekurit politikë që nga mundësia e shkollimit të tyre universitar, vënia e tyre nëpër detyra, në kohën kur shqiptarët nuk e kishin provuar akoma se për se bënin, nuk e dinin. U ndërtuan shtëpi për ta, u mundua t'u ktheheshin prona, por në krahasim me vuajtjen e madhe të tyre, ai ishte një fillim i madh shumë premtues, por nuk ishte gjithshkaja. Me riardhjen në pushtet të Partisë Demokratike unë e them me plot gojë që janë ngjallur përsëri shpresat e të përndjekurve politikë. Qeveria demokratike bëri një gjest të parë me të vërtetë të rëndësishëm, për të mos thënë me të vërtetë të mrekullueshëm, sepse përsëri u akorduan shkolla të larta bijve të tyre, kur mund të thuhet se si është e mundur, akoma vazhdohet me këtë "ledhatim" të themi të këtyre njerëzve të përvuajtur, kur gjërat dhe u barazuan. Në fakt kjo nuk është ashtu, sepse akoma nuk janë sqaruar në shoqëri, nuk janë integruar, nëse do përdornim fjalët e tanishme politike, në shoqëri familjet e tyre, sepse mungesa e punës, mungesa e shtëpisë, ka bërë që këta fëmijë të rriten përsëri nën një diktaturë tjetër, në diktaturën e varfërisë së skajshme dhe të nëpërkëmbjes. Një xhest i tillë do thosha është shumë shpresëdhënës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Zhiti, ju thatë se ardhja e Partisë Demokratike në pushtet është dhe një lloj shprese dhe për të përndjekurit politikë. Si e gjykoni ardhjen e kësaj force politike pas 7-8 vjetësh kur në fuqi ishin socialistët? Ishte një ardhje llogjike?

VISAR ZHITI
Ishte një domosdoshmëri, ishte siç thoni ju llogjike dhe e dëshiruar, e kërkonin shqiptarët, e kërkonte shqipëria e kërkonte dhe bota. Sepse siç dihet pati një kalbëzim të madh, një korrupsion të gjithanshëm dhe Shqipërisë po i merreshin këmbët në humnerën ku kishte rënë. Duhej një ndryshim, një shpresë, sepse nuk mund të ndërtohet dot kapitalizmi me kundërshtarët e vet tradicionalë, apo me bijtë e tyre, sepse është kapitalizmi më i shëmtuar dhe më i keq që mund të ketë parë njerëzimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju jeni dhe një njeri i letrave. A keni shpresë se kjo qeveri do të ketë dhe politika promovuese për njerëzit e letrave? Pasi flitet gjithmonë për mos promovimin e shkrimtarëve, artistëve, në përgjithësi njerëzve të artit dhe të letërsisë?

VISAR ZHITI
Është një çështje parësore do të thoja që qeveria, shteti, të kujdeset për njerëzit e letrave sepse kujdeset për vetëveten në njëfarë mënyre duke i patur në vëmendje ata. Unë vë re si të thuash ndryshime në këtë drejtim, tendenca. Pritet shumë për t'u bërë, mund të themi që as fillimi nuk ka filluar, por e rëndësishme është tendenca. Tendenca është për t'i kuptuar për t'i shërbyer ,sepse siç e thashë më parë i shërben vetëvetes.

Intervistoi Alma Çupi
XS
SM
MD
LG