Ndërlidhjet

logo-print

SOLANA: PROCESI I ZGJIDHJES SË STATUSIT DO TË JETË I GJATË DHE I DHIMBSHËM


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës do të jetë i gjatë dhe secilit ndonjëherë do t’i duhet të përballet me sakrifica të dhimbshme, tha sot në Prishtinë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Javier Solana. Ai i ka bërë këto komente në fund të vizitës së tij njëditëshe Kosovës, në një konferencë shtypi i shoqëruar nga shefi UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, ndërkohë që më parë kishte takuar edhe ekipin negociues të Kosovës.
Solana tha se qytetarët e Kosovës duhet ta dinë se ky nuk do të jetë një proces i shkurtër:
"Secilit do t’i duhet që ndonjëherë të bëjë sakrifica të dhimbshme, angazhime dhe përkushtime të dhimbshme dhe njerezit duhet ta dinë se procesi do të jetë i gjatë," tha Solana, sipas të cilit çfarëdo dhune që mund të ndodhë do të jetë në fakt fillimi i fundit të procesit.
Ndërkaq shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen tha se zgjidhja e statusit të Kosovës do të kërkohet në kontekst rajonal:
"Është me rëndësi të dihet se procesi i statusit dhe vendimi do të jetë në kontekstin rajonal dhe çfarëdo zgjidhje do të jetë e përcaktuar në kontekstin euroatlantik," tha Petersen.
Zoti Solana takoi më herët ekipin negociues të Kosovës dhe përfaqësues të serbëve. Solana tha se ishte një moment prekës takimi i tij me ekipin që do të punojë për atë që ka qenë ëndrra e të gjithë kosovarëve, siç u shpreh Solana, pa dashur të flasë se cila mund të jete e ardhmja e Kosovës, pasi sipas tij, procesi ende është në fillim dhe nuk mund të jepen vleresime të tilla.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, që njëherësh kryeson delegacionin e Kosovës në bisedat për statusin e ardhshëm tha se Kosova e pavarur do të ofronte garancitë për mbrojtjen e pakicave:
"Vazhdoj të insistoj për njohjen direkte të pavarësisë së Kosovës, pra një Kosovë demokratike, paqësore, e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi me SHBA. Një Kosovë e pavarur me të gjitha garancitë për minoritetet, për sigurinë e tyre dhe për një fqinjësi të mirë me fqinjët tanë,"tha presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, ndërkohë që shefi i diplomacisë i Bashkimit Evropian, Javier Solana tha se Evropën e përcaktojnë disa vlera civilizuese, të cilat duhen respektuar nga ata që duan të jenë pjesë e saj:
"Sa herë që këto vlera mbrohen ka vend dhe sa herë që ka vullnet gjithmonë ka vend për shtete të reja në Evropë," tha zoti Solana, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse në Evropë ka ende vend për shtete të reja.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri dje ka qëndruar në Beograd, ndërsa pas Prishtinës ka udhëtuar për në Sarajevë.



XS
SM
MD
LG