Ndërlidhjet

MAURING: SHKALLA E LARTË E VARFËRISË NË KOSOVË MUND TË ULET VETËM DUKE KRIJUAR VENDE TË REJA TË PUNËS


Frode Mauring, Shef i UNDP-së në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mauring jeni në fillim të misionit dhe keni premtuar se do ta ulni varfërinë. Si do ta arrini këtë?

FRODE MAURING
Aktualisht shkalla e lartë e varfërisë në Kosovë është e ndërlidhur me papunësinë, që arrin në rreth 50 përqind, shkallë kjo që mund të jetë më e ulët ose më e lartë. Janë shumë njerëz të papunë, që nënkupton se nuk mund t’i plotësojnë nevojat e tyre elementare. Pastaj është çështja e pagesës së taksave, ku shumë pak njerëz kontribuojnë, ndërsa shumë të tjerëve u duhet ndihma sociale. Në kuptimin afatshkurtër mënyra më efektive për të zvogëluar varfërinë është që të krijohet mundësia për vendet të punës, që të lehtësohet rritja ekonomike në njërën anë dhe krijimi i vendeve të punës, duke pasur një nivel aktiv të tregtisë dhe të shihet se çfarë mund të bëhet në krijimin e vendeve të punës në sektorin privat.
Por, kjo nuk është e vetmja rrugë në të cilën punojmë për të zvogëluar varfërinë, sepse ka shumë njerëz të varfër në rajonet ku papunësia nuk është e lartë sa në Kosovë, por kjo ta bëjë me traditën për të marr asistencë sociale dhe UNDP dhe agjencitë e tjera të OKB-së po shqyrtojnë ato. Sidoqoftë, mungesa e vendeve të punës është sfida më e madhe në planin afatshkurtër.

RADIO EVROPA E LIRË
Paraardhësja juaj, Christine Roth ka thënë më herët se UNDP nuk ka dashur të shtyjë institucionet e Kosovës, që të arrijnë qëllimet e mileniumit, ndër to zbutja e varfërisë dhe papunësia, pasi institucionet është dashur të merren me standardet. Si mund të zgjidhen këto probleme pa angazhimin e institucioneve?

FRODE MAURING
Mendoj se paraardhësja ime ka folur për mos shtyrjen në zbatimin e agjendës së qëllimeve të mileniumit, ajo nuk ka nënkuptuar që ato të jenë një alternativë për statusin. Tani pasi që bisedimet për statusin kanë filluar, është e qartë se në njëfarë mase qëllimet e mileniumit do të merren parasysh.
Do të thoja se qëllimet e mileniumit, janë shumë plotësuese dhe vetëm sa forcojnë punën, që është bërë në përmbushjen e standardeve dhe mund të ecin paralelisht. Por, me obligime shtesë që mund të dalin, është më mirë të fillohet më herët sesa më vonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët më herët papunësinë. Si ndikon në situatën e përgjithshme në Kosovë fakti se ekziston një numër kaq i madh të papunësh, shumica të rinj?

FRODE MAURING
Janë mjaft mënyra se si mund ta luftojmë papunësinë. Në planin afatgjatë nuk ka alternativë pa një rritje ekonomike, sepse pa rritje ekonomike nuk do të ketë rritje të sektorit privat, ndërsa sektori privat është thelbësor, që të sigurojë punësim të qëndrueshëm. Mund të krijohen vendet e punës në sektorin publik në një periudhë kohore, por për to duhet të paguje dikush dhe këto burime të ardhurash duhet të vijnë nga sektori privat.
Pra, duhet shikuar se si mund të ketë rritje ekonomike. Duhet të ketë një klimë të favorshme për investime. Mendoj se disa hapa tashmë janë ndërmarrë, por duhet siguruar qasja në marrjen e kredive për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, qasja në ide dhe stimulimi i mjedisit ekonomik. Kështu që duhet shikuar se çfarë mund të bëjmë në këtë aspekt. Por, edhe me kompanitë ekzistuese ka perspektivë të rritjes së mundësive të punësimit, përderisa ne mund t’i stimulojmë ato për të rekrutuar njerëz. Por, për të rinjtë është vështirë që të fitojnë punën e parë. Edhe në Kosovë më lehtë e kanë të punësohen ata, që kanë arsim të mirë dhe përvojë. Nëse je i ri dhe nuk e keni këtë përvojë është vështirë. Kështu që me punën në kompanitë e sektorit privat ku mund të fitohet një lloj përvoje, me trajnime, mendojmë se është një rrugë përmes së cilës mund ta ulim papunësinë në planin afatshkurtër.

RADIO EVROPA E LIRË
Në deklaratën e parë në fillim të mandatit, ju keni thënë se UNMIK-u është këtu për të udhëhequr, ndërkaq agjencitë e OKB-së për të zhvilluar. Pasi që jeni udhëheqës i agjencive të OKB-së në Kosovës, çfarë konkretisht do të zhvillojnë këto agjenci?

FRODE MAURING
Mendoj se është e rëndësishme, që njerëzit ta kuptojnë se ekziston një dallim mes shtyllave dhe të degëve të OKB-së, që merren me paqëruajtje dhe administrimin e territorit të Kosovës dhe të agjencive të OKB-së, që janë normalisht të pranishme në vendet tranzitore dhe të atyre në zhvillim . Ne nuk jemi këtu që të reduktohemi pas statusit përfundimtar, por ne do të qëndrojmë sepse shohim një nevojë që të ndihmojnë në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme në ministri, komuna, në trajnime, në programe, nga të cilat përfitojnë qytetarët, fëmijët. Pra, është një grumbull punësh nga të cilat jemi duke bërë dhe po mundohemi që të shoqërojmë agjendën e cila po zhvillohet, derisa janë duke u zhvilluar edhe bisedimet për statusin përfundimtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, jo vetëm UNDP, por edhe agjencitë e tjera të OKB-së do të qëndrojnë edhe pas përcaktimit të statusit përfundimtar?

FRODE MAURING
Absolutisht. Agjencitë e OKB-së do qëndrojnë dhe nuk do të preken nga ndryshimi i statusit të Kosovës.

Intervistoi: Albana Isufi

XS
SM
MD
LG