Ndërlidhjet

logo-print

KUSH DO T'I UDHËHEQË MINISTRITË E REJA, POLITIKANËT APO PROFESIONISTËT?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Emërimi i njerëzve politikë në vend të atyre profesionistë në krye të dy ministrive të reja mund të ketë për pasojë mosbartjen e plotë të kompetencave në fushë të policisë dhe drejtësisë, kanë vlerësuar ekspertë të çështjeve të sigurisë. Ramadan Qehaja, ekspert i sigurisë dhe këshilltar për siguri i kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi, ka përkujtuar se edhe Kai Eide në raportin e tij, ka theksuar posaçërisht faktin se duhet të kihet kujdes lidhur me përzgjedhjen e udhëheqësve të Ministrisë së Rendit dhe asaj të Drejtësisë:
"Fjala është për atë se duhet të caktohen njerëz profesionistë dhe apolitikë. Unë mendoj se duhet të jetë kështu, pasi pas marrjes së kompetencave, apo një pjese të kompetencave në lëmin e sigurisë dhe të drejtësisë, që do të bëhet deri në fund të këtij viti, pas tre muajsh do të bëhet rivlerësimi se deri ku është arritur, që do të thotë se a mund të shkojmë më tutje me marrjen e kompetencave apo jo."
Ndërkohë në Kosovë po debatohet me të madhe ndërmjet partive politike se cila do të jetë formula për emërimin e udhëheqësve të këtyre dy ministrive. Dy partitë më të mëdha të koalicionit qeveritar, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kanë thënë se sipas marrëveshjes ndëmjet tyre ata do t’i ndajnë dy postet ministrore, ndërkohë që shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen ka thënë dje se ministrat e rinj duhet të jenë profesionistë dhe jo njerëz të politikës.
Dhe, ndërsa kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi pati deklaruar se ministrat duhet të caktohen nga partitë, por të jenë profesionistë të fushave përkatëse, këshilltari i tij për siguri Ramadan Qehaja, shpjegon arsyet pse këto ministri duhet të udhëhiqen nga njerëzit profesionistë:
"Nëse ky element vlerësohet se në kuadro nuk e kemi qëlluar, atëherë do të ngecim në marrjen e kompetencave", tha zoti Qehaja, sipas të cilit fakti që në Kosovë ekzistojnë ndasi politike, bën që emërimi i njerëzve politikë në krye të këtyre dy ministrive të ndjeshme, të përbëjë njëfarë rreziku për procesin e bartjes së kompetencave në këto fusha:
"Duke pasur parasysh ndasitë tona politike që nganjëherë po bëhen të thella, duket që ende nuk kemi arritur në nivel të një demokracie të mirëfilltë që ne të jemi tolerantë ndaj njëri-tjetrit aq sa duhet të jemi."
Sidoqoftë, pavarësisht nga vërejtjet e ekspertëve dhe të shefit të UNMIK-ut Jessen Petersen, partitë kryesore politike tashmë kanë lakuar emrat e njerëzve të tyre që do të mund të udhëheqin Ministrinë e Rendit, përkatësisht atë të Drejtësisë, që do të përbëjë fushën më të rëndësishme dhe përfundimtare të bartjes së kompetencave nga administrata e UNMIK-ut tek institucionet vendore të Kosovës.

XS
SM
MD
LG