Ndërlidhjet

HAZIRI: TAKIMET ME BEOGRADIN DUHEN BËRË PËRMES AGJENDËS SË DELEGACIONIT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Vazhdimi i dialogut teknik midis Prishtinës dhe Beogradit, krahas procesit negociator për statusin është një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare. Mirëpo sa do të ketë edhe takime të tjera të niveleve të larta ndërministrore midis qeverisë së Kosovës dhe asaj të Beogradit, kjo varet dhe nga agjenda e Kosovës për bisedime, thotë një intervistë për radion "Evropa e Lirë" Ministri i Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri.
Ndërsa tashmë është paralajmëruar mundësia e një takimi në Vjenë ndërmjet Hazirit dhe homologut të tij nga qeveria e Beogradit, ai thotë se nuk e di nëse një takim i tillë do të ndodhë.
"Është një iniciativë që gjatë kohës së statusit të ketë paralelisht edhe dialog politik me Beogradin dhe detyra specifike të caktuara dhe kjo vjen si kërkesë e përfaqësuesit special të Kombeve të Bashkuara këtu".
Ndërkohë duke ju referuar decentralizimit të pushtetit në Kosovës, ministri Lutfi Haziri thotë se Beogradi duhet të pushojë të flasë në emër të serbëve të Kosovës, të cilët duhet të bëhen faktor konstruktiv i këtij procesi.
"Edhe më tutje qëndrimi negativ i Beogradit është ai që i mban peng qytetarët serbë të Kosovës për ta pranuar këtë proces. Kryesisht motivet në Beograd janë të tjera dhe dallojnë konceptualisht nga nevojat e qytetarëve serbë të Kosovës për të qënë pjesë e procesit. Sidoqoftë edhe më tutje po punohet për çbllokimin e këtij procesi dhe pa një rol pozitiv të Beogradit nuk shoh një zhvillim pozitiv shumë shpejt në raport me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës".
Ministri Haziri merr si shembull të suksesit në rajon Maqedoninë dhe Marrëveshjen e Ohrit, përderisa beson se krijimi i një numri të madh të komunave përmes decentralizimit, siç është rasti me Slloveninë, po tregohet i pasuksesshëm.
"Marrëveshja e Ohrit këtë vit në fazën implementuese ka treguar rezultate shumë të mëdha impresive në Maqedoni në dy aspekte: në aspektin e mënyrës së implementimit dhe në mënyrën e zgjidhjes së problemeve etnike që ka Maqedonia. Në këtë rast përfitues si komunitet etnik janë shqiptarët në Maqedoni dhe Maqedonia po bëhet shembulli më i mirë i decentralizimit në Evropën juglindore."
Në vazhdim ministri Haziri trajton dhe çështjen e negociatave për statusin dhe çështjet për të cilat mund të arrihen kompromise me Beogradin dhe për ato që nuk mund të arrihen kompromise.
"Ajo që mund të quhet kompromis në raport me statusin përfundimtar ka të bëjë me zgjidhjen e problemeve të hapura në mes të Beogradit dhe Prishtinës, në trajtimin në veçanti të grupit etnik të serbëve në Kosovë. Ndërsa ajo që mund të quhet e panegociueshme dhe e cila nuk mund të ketë kompromis është pavarësia e Kosovës si zgjidhje reale dhe e kompromisit që është afruar në fillim të viteteve 90', si mundësi reale e cila do të stabilizonte rajonin."
Po ashtu Haziri beson se integrimet e përgjithshme evropiane dhe rajonale do të mundësojnë dhe zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe çështjeve të tjera kombëtare në Ballkan.'
"Çështja shqiptare në Ballkan është çështje e zgjidhur realisht meqë kemi të bëjmë me procese integruese në kuadër të Ballkanit perëndimor, ku bëjnë pjesë Shqipëria Maqedonia, Bosnje Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi, si pjesë e këtyre proceseve. Atëhere kur kufijtë nuk do të kenë vlera dhe do të mbeten pjesë e të kaluarës sonë, ashtu siç po ndodh në pjesën më të mëdhe të Evropës, edhe në Ballkan eleminimi i këtyre kufijve do të krijonte mundësi që popujt pavarësisht se cilit grup etnik i takojnë, të qarkullojnë lirë në të gjitha qendrat e veta dhe të jenë pjesë e vlerave evropiane."
Në fund sa i përket vetë procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës, ministri Lutfi Haziri pret një zgjidhje të drejtë në përputhje me vullnetin e popullatës shumicë në Kosovë, duke respektuar njëkohësisht standardet më të larta demokratike për pakicat.

XS
SM
MD
LG