Ndërlidhjet

logo-print

LISEN BASHKURTI: STATUSI I KOSOVËS DO TË JETË PAVARËSIA


Lisen Bashkurti, kryetar i Akademisë Diplomatike të Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bashkurti, si kryetar i akademisë diplomatike, si i vlerësoni zhvillimet aktuale në Kosovë, në pritje të negociatave për statusin?

LISEN BASHKURTI
Unë mendoj se Kosova tanimë ka hyrë në një fazë të re, pikërisht në fazën për përcaktimin e statusit përfundimtar të saj. Kjo fazë është produkt i zhvillimeve shumë të rëndësishme politike, institucionale, demokratike në Kosovë, zhvillime të cilat janë edhe rezultat i faktorëve lokalë të Kosovës në bashkëpunim me ata ndërkombëtarë, që monitorojnë Kosovën që nga viti 1999. Këtë fazë të re e ka kushtëzuar edhe një vullnet më i madh politik dhe një angazhim më serioz i shumë strukturave relevante ndërkombëtare siç janë Kombet e Bashkuara, SHBA-të, Grupi i Kontaktit, Bashkimi Evropian, OSBE-ja, NATO-ja, sikundër dhe një angazhim më i madh dhe një preokupim më i madh i vendeve të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është opsioni më i mirë i statusit përfundimtar për Kosovën dhe për vetë të ardhmen e rajonit?

LISEN BASHKURTI
Mua më duket se është formatizuar një kuadër parimesh për negociatat dhe këto parime në vetëvete japin dhe dizenojnë prospektin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Konkretisht është arritur një konsensus pothuajse i pjekur politik ndërkombëtar, ose i faktorëve më relevantë për zgjidhjen e çështjes lidhur me ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës, pra për moscopëtimin e territorit të saj, për moskthimin e Kosovës në statusin e para vitit '99 pra nën sovranitetin e Serbisë dhe për të shmangur çdo lloj bashkimi të Kosovës me ndonjë shtet tjetër fqinj, ç'ka do të ndryshonte gjeopolitikën rajonale dhe mund të prishte disa ekuilibra relativisht delikate për rajonin.
Nga ana tjetër në kuadrin e parimeve të përgjithshme negociuese është përcaktuar dhe ndërtimi i marrëdhënieve të qëndrueshme, demokratike, të sigurta dhe krejtësisht të garantuara për të gjitha pakicat që jetojnë në Kosovë, në mënyrë të veçantë për pakicën serbe. Pra kuadri negociues dhe parimet udhehëqëse të tij, në fakt janë një lloj paralajmërimi se cili do të jetë modeli i ardhshëm për statusin e Kosovës. Dhe do të thoja që këto parime që parakuptojnë jo copëtim, jo kthim në statusin e para 99-s, jo bashkim me shtet tjetër, jo diskriminim të pakicave, synojnë të krijojnë një Kosovë, e cila të ofrojë modelin e një shteti demokratik tipik për hapësirat evropiane dhe euroatlantike dhe një shoqëri liberale, të hapur, me diversitet kulturor, etnik, një shoqëri për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa asnjë diskriminim racial, etnik, fetar, gjinor, moshe apo kategorie sociale. Këto elementë të modelit të një shteti modern euroatlantik dhe të një shoqërie liberale të hapur, e çojnë Kosovën, natyralisht drejt statusit të saj për pavarësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse negociatat dështojnë, shqetësim ky i ngritur dhe nga i dërguari i posaçëm i OKB- së Ahtisari, çfarë parashikoni ju se mund të ndodhë për Kosovën?

LISEN BASHKURTI
Do të ishte padyshim një situatë krejtësisht e padëshiruar dhe me elementë të paparashikueshëm, nëqoftëse proçesi i negociatave do të dështonte. Por unë mendoj se negociatat nuk do të dështonin nëse dy faktorët kryesorë, Kosova dhe Serbia, do të jenë seriozisht të angazhuar, politikisht të motivuar dhe teknikisht të përgatitur, nëse faktori ndërkombëtar do të shprehë realisht vullnetin dhe angazhimin e tij politik për të qenë të pranishëm e për të ndërmjetësuar në "diplomaci shëtitëse", dhe nëse gjithashtu fuqitë kryesorë të përfshira për zgjidhjen e çështjes e Kosovës do të ishin realisht të motivuara për t'i dhënë zgjidhje kësaj situate. Në këto rrethana nuk ka asnjë shkak që negociatat të dështojnë. Nëse një nga këto faktorë do të çalojë, nuk do të jetë i angazhuar për të kontribuar në zgjidhjen e statusit, atëherë situata mund të prognozohet si një situatë e paqëndrueshme e pastabilizuar dhe ndoshta me një cikël krizash të padëshiruara, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për gjithë Ballkanin.

Intervistoi Suela Musta
XS
SM
MD
LG