Ndërlidhjet

MINISTRAT E JASHTËM TË NATO-S DISKUTUAN DHE PËR GJENDJEN NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Bruksel

Në praninë e Sekretares amerikane të Shtetit, Condoleezza Rice dhe nën udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ministrat e vendeve anëtare të NATO-s kanë diskutuar sot në selinë e kësaj Aleance në Bruksel, për situatën në Kosovë dhe operacionet e NATO-s në Afganistan.
Sa i përket Kosovës, ministrat, siç thuhet edhe në deklaratën zyrtare të lëshuar pas takimit, kanë mbështetur fuqishëm fillimin e procesit të negociatave që do të çojë drejt statusit të Kosovës dhe proces që do të udhëhiqet nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Marti Ahtisari. NATO-ja i ka shprehur mbështetje zotit Ahtisari, ndërkohë që u ka bërë thirrje të gjitha palëve në negociata, që të kyçen në këtë proces në mënyrë konstruktive. Po ashtu ministrat e jashtëm të NATO-s u kanë bërë ftesë të gjitha komuniteteve në Kosovë sikurse dhe institucioneve të Kosovës që të vazhdojnë përparimin në përmbushjen e standardeve të caktuara nga bashkësia ndërkombëtare. NATO-ja po ashtu ka thënë se do të mbajë një prani të fuqishme ushtarake në Kosovë, dhe do të jetë e kyçur dhe politikisht përmes të ashtuquajturit Grupi i Kontaktit Plus për Kosovën. Ndërkohë lidhur me procesin dhe sfidat që mund të paraqiten gjatë tij, ka folur në konferencë për shtyp edhe Jaap de Hoop Scheffer.
"Të gjithë ata që do të tentojnë që me forcë të influencojnë procesin e negociatave, duhet ta dinë se do të përballen me një përgjigje të fortë të KFOR-it në Kosovë," ka thënë Scheffer, duke konfirmuar edhe njëherë se KFOR-i do të mbajë atje forcën ushtarake për të siguruar një ambient të sigurtë, në të cilin procesi politik vazhdon në mënyrë paqësore. Jaap De Hoop Scheffer po ashtu ka thënë se NATO-ja do të ketë një ekip të përfaqësimit edhe në ekipin negociator të Marti Ahtisarit, por pret që për këtë të deklarohet vetë Marti Ahtisari, e NATO-ja do t'i përgjigjet çfarëdo kërkese të tij për të asistuar edhe në këtë mënyrë.
Më parë është folur që NATO do të caktojë edhe një të dërguar të saj për procesin e negociatave, por sot është rikonfirmuar se kjo do të varet pikë së pari nga vetë zoti Ahtisari, i cili sipas NATO-s duhet ta ketë rolin kryesor në procesin e negociatave.
Ndërkohë sot gjatë takimit të ministrave të NATO-s në Bruksel, është përshëndetur edhe arrestimi i gjeneralit kroat Ante Gotovina, i cili është arrestuar nga autoritetet e Spanjës. Zyrtarët e NATO-s kanë shfrytëzuar këtë arrestim, për të kujtuar Serbinë dhe Malin e Zi se duhet të arrestojë të akuzuarit për krime lufte Radko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq, përndryshe Serbia dhe Mali i Zi nuk mund të llogaritin për afrim në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

XS
SM
MD
LG