Ndërlidhjet

PETERSEN: NUK KA NDARJE TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen ka përsëritur sot se nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Këto komente, Petersen i bëri gjatë qëndrimit në Mitrovicë, ndërsa paraprakisht kishte vizituar dhe tre komunat në veri të Kosovës që banohen me shumicën serbe. Duke pranuar dështimin e UNMIK-ut për ta zgjidhur problemin e Mitrovicës, Petersen ka akuzuar edhe komunitetin ndërkombëtar për mosmbështetjen e mjaftueshme që i ka dhënë UNMIK-ut për ta zgjidhur këtë problem. Nuk mund të besoj se edhe pas zgjidhjes së statusit, do të mbetet ndonjë problem i pazgjidhur siç është Mitrovica, ka pohuar ai:
“Unë sot u kam përsëritur bashkëbiseduesve të mi parimet e Grupit të Kontaktit, Këshillit të Sigurimit dhe sidomos u kam përsëritur një parim se nuk do të ketë ndarje të Kosovës”, tha Jessen Petersen.
Ndërkaq lidhur me decentralizimin, si një kërkesë e vazhdueshme e serbëve të Kosovës, Jessen Petersen tha se ky proces do të zhvillohet në Prishtinë përmes mekanizmit tashmë të krijuar që vepron në kuadër të grupit punues për këtë çështje:
“Decentralizimi është proces kyç i zgjidhjes së statusit të Kosovës”, tha Petersen duke bërë të ditur se në këtë fazë ky proces mund të zhvillohet ndaras nga ai i bisedimeve për statusin.
Në anën tjetër, drejtuesit lokal paraqitën kërkesa të veçanta drejtuar kreut të UNMIK-ut. Kryetari i komunës së Mitrovicës, Mursel Ibrahimi tha se i ka bërë thirrje shefit të UNMIK-ut që të ndihmoë në zgjidhjen e problemeve të komunitetit rom, të cilët për disa vite kanë jetuar në kushte të papranueshme në pjesën veriore. Ai tha se shpresonte që dita e sotme të shënonte dhe fundin e tragjedisë humanitare që e ka kërcënuar për një kohë të gjatë këtë komunitet. Në anën tjetër përfaqësuesit e serbëve të Kosovës thanë se shqetësimet kryesore të tyre janë decentralizimi, liria e lëvizjes dhe kthimi i të zhvendosurve. Kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq tha i ka kumtuar shefit të UNMIK-ut idetë e serbëve për decentralizimin, si proces, që sipas tij, mund të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së pakicës serbe.
Kështu, decentralizimi, sipas tij, duhet të prodhojë më shumë komuna me shumicë serbe, të cilat do të kenë korridore lidhëse mes vete dhe me Beogradin dhe të cilat do të administronin me fushat e ndryshme si shëndetësia, arsimi, kultura dhe gjykatat.
Që nga mbarimi i luftës, më shumë se gjashtë vjet më parë, Mitrovica vazhdon të jetë qytet i ndarë në veri e jug. Përderisa në jug, qyteti banohet nga shumica shqiptare, veriu i qytetit dominohet nga serbët dhe është i njohur dhe për funksionimin e strukturave paralele që mbështeten nga Beogradi. Deri më tash, administrata e UNMIK-ut ka dalë me disa plane për bashkimin e qytetit dhe shkrirjen e strukturave paralele, por të gjitha këto përpjekje janë treguar të pasuksesshme.



XS
SM
MD
LG