Ndërlidhjet

logo-print

PAPUNËSIA RRIT NUMRIN E PUNËTORËVE TË KRAHUT NË KOSOVË


Bekim Bislimi, Prishtinë

Në gjithë Kosovën ekziston papunësi e madhe dhe ngjashëm është në Prishtinë dhe rrethinë, prandaj është një numër i madh i atyre njerëzve që për çdo ditë dalin në vende të caktuara për të kërkuar punë krahu, sa për ta siguruar kafshatën e bukës për familjet e tyre. Kështu thonë disa punëtorë të tillë, të cilët që në orët e para të mëngjesit, qëndrojnë në të ashtuquajturin “tregu i argatëve”, pranë gjyqit komunal në Prishtinë. Njëri nga ta, Mehmet Rrahmani, thotë se konkurrenca e punëtorëve të krahut është e madhe, ndërkaq që rrallëherë arrijnë të sigurojnë ndonjë punë me mëditje.
"Jam 58-vjeçar i papunë. Dal të kërkoj punë këtu, por punë nuk ka. Që prej dhjetë ditësh nuk po arrij të gjej asgjë. Nuk ka punë, se kisha punuar çdo ditë, por nuk ka. Ka të ardhur këtu, jo veç unë, por janë 50 e ca vetë. Të tërë dalin këtu. Varet qysh të jenë punët, me pas punë unë punoj, por nuk ka. As bukën nuk mund ta fitosh këtu. Kam katër anëtarë të familjes, me këtë mundohem me i mbajt. Kisha punuar po s'ka, nuk të merr kurrkush. Në përgjithësi puna ka rënë".
Ngjashëm flet edhe Qamil Mehmeti nga fshati Lluzhan i komunës së Pudujevës, i cili po ashtu është punëtor krahu.
"I kam 28 vjet. Udhëtoj për çdo ditë. Shkon me javë, mund të them lirisht një javë mund të punojmë një, dy ditë ose jo punë të krahut ngarkim-shkarkim, çfarë të ketë nevojë. Prej 80 vetëve, dhjetë vetë diku mesatarisht mund të shiten të bëhen argatë gjithë ditën. 70 të tjerët duhet të kthehen në shtëpi. Je për punë, por kur nuk ka punë, as bukë nuk ke mundësi të çosh në shtëpi. Jam vetë i tetë anëtar i familjes. Unë me një vëlla varemi prej kësaj pune. Nëse punojmë çojmë harxhet në shtëpi. Nëse nuk punojmë kurrgjë kurrkujt."
Isak Fetahu, 45 vjeç nga rrethina e Prishtinës, thekson se askush nga këta punëtorë nuk e ka të sigurtë se mund të gjejë punë dhe ata edhe me ditë të tëra presin për ndonjë angazhim.
"Në Kosovë të sigurtë nuk ka asgjë. Për punë jo. Brenda ditës vjen myshteria të marrë argatin nuk ja jep më shumë se 10 euro. Gjithë ditën po punove për 10 euro të merr, nuk punove rri – të thotë, gjithë ditën këtu. Ka shumë që dalin, janë rreth 200 punëtorë që dalin, ose edhe më tepër çdo ditë. Më keq s'ka. A shiten 5 vetë në ditë a jo. Me të treguar të drejtën, herë mundem herë s'mundem të siguroj një kile bukë në ditë të çoj në shtëpi, sepse nuk ka punë."
Përderisa punë nuk mund të sigurohet, thonë këta punëtorë krahu, në anën tjetër çmimet janë tepër të larta, por edhe janë të ngarkuar me tatime nga konsumi i përditshëm, e paratë për t'i paguar ato nuk mund të sigurohen. Mehmet Rrahmani thotë:
"Lekët po duhen për rrymën për ujin, për të gjitha shpenzimet. Ngushtë jam, jo ilaçe, jo barna, jo tek mjeku. Vështirë është por çfarë të bëj?"
Qamil Mehmeti thotë se ka kërkuar të punësohet, por tash e gjashtë vjet nuk ka pasur ndonjë rezultat.
"Kemi kërkuar në çdo vend ku ka patur kërkime për punë, kemi çuar aplikacione, jemi interesuar për punë, na kanë premtuar dhe nuk ka patur kurrgjë. Prej 1999 e këtej".
Ndërkaq, Isak Fetahu, thekson:
"Po na vijnë angazhime të tjera, uji, bërllogi. Ai nuk të pyet a ke as ke. Ne po duhet me dal me punu, me nxjerr ndonjë lek, me mund me ja çu një kafshatë fëmijëve. Dhe asnjë nuk është gjetur me thënë ja ta kqyrim sa ka populli me pagu. Ai shkon ja lëshon atij që ka dhe ne që s'kemi vjen e na e këput energjinë dhe na le në pikë të territ. Nuk mendojnë që unë, për shembull, po dal për të punuar, por nuk ka punë. Ku t'i marr ato 10 euro, ose 100 euro ose 1000 euro?"
Sidoqoftë, këta punëtorë krahu thonë se i mban shpresa që zgjidhja e statusit të Kosovës do të sjellë investimet e huaja dhe me këtë edhe hapjen e vendeve të reja të punës, ku ata do të mund të siguronin mbijetesën e familjeve të tyre.

XS
SM
MD
LG