Ndërlidhjet

MBROJTJA E MONUMENTEVE ORTODOKSE SERBE DO TË ZGJIDHET ME MARRËVESHJE PAS PËRCAKTIMIT TË STATUSIT


Albana Isufi, Prishtinë

Kleriku Sava Janjiq dhe Këshilli Konsultativ për Komunitete kanë rënë dakort që rregullimi i çështjes së objekteve të Kishës Ortodokse të mos diskutohet në bisedimet për statusin përfundimtar.
Kreu i Këshillit Konsultativ për Komunitete, Veton Surroi, pas një takimi me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse, ka thënë se për Kishën nevojitet një marrëveshje e veçantë jashtë bisedimeve për statusin përfundimtar.
“Ajo që është e mirë dhe që tani jemi pajtuar, në mënyrë që të hiqet nga rendi i ditës ky problem, është se edhe Kisha Ortodokse, edhe ne jemi patjuar që çështja e Kishës nuk ka të bëjë me çështjen e statusit. Pra mbrojtja e Kishës Ortodokse serbe nuk është pjesë e bisedave për statusin. Ne po bisedojmë për mënyrën se si duhet të mbrohen kishat e jo që kjo të jetë pengesë për bisedimet për statusin".
Të dy palët janë pajtuar që monumentet ortodokse të kenë mbrojtje të veçantë pas përcaktimit të statusit përfundimtar.
Përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, Sava Janjiq i tha Radios Evropa e Lirë se takimi me delegacionin shqiptar në Manastirin e Deçanit ishte i sinqertë dhe nuk kishte karakter politik.
“Jemi pajtuar që në bazë të rekomandimeve të Grupit të Kontaktit, objektet e Kishës Ortodokse Serbe të kenë një lloj të veçantë të mbrojtjes. Nuk kemi folur për detaje, por kemi hasur në pajtim dhe në gatishmëri të palës kosovare”, tha Sava Janjiq.
Surroi në anën tjetër thotë se është i domosdoshëm nënshkrimi i një marrëveshjeje përmes së cilës mbrohen monumentet ortodokse.
“Kosova e ardhshme, shteti i Kosovës duhet të nënshkruajë një marrëveshje për mbrojtjen e monumenteve kishtare dhe kulturore serbe. Kjo është pjesë e obligimeve të Grupit të Kontaktit", tha veton Surroi.
Këshilli Konsultativ për Komunitete, që udhëhiqet nga kryetari i Ora- s Veton Surroi, është krijuar së voni nga ekipi negociator për bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.
Ky këshill po mban takime me të gjitha komunitetet pakicë të Kosovës, në mënyrë, që në platformën e përbashkët të ekipit negociator, të përfshihen edhe pikëpamjet dhe nevojat e komuniteteve pakicë. Një takim i tillë me përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë është anuluar sot. Përfaqësuesit e komunitetit serb nuk janë pjesë e ekipit negociator të Kosovës. Ata më herët kanë shprehur qëndrimin se në negociatat për statusin duan të jenë palë e tretë, të ndarë nga delegacioni i Prishtinës dhe ai i Beogradit.

XS
SM
MD
LG