Ndërlidhjet

ROHAN: SIGURIA DHE MBROJTJA E GRUPEVE ETNIKE JANË ESENCIALE PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Bashkësia ndërkombëtare i ka të qarta synimet e shqiptarëve të Kosovës, por statusi kërkon edhe shumë punë që duhen bërë, ka thënë zëvendësi i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Albert Rohan. Ai i ka bërë këto komente në ditën e fundit të qëndrimit të tij në Kosovë, gjatë një konference për shtyp, ku ka kërkuar nga liderët shqiptarë të Kosovës t’i përvishen punës dhe të përqëndrohen më shumë në çështjet që kanë të bëjnë me pakicat:
"Ne i dimë aspiratat e shqiptarëve, mirëpo statusi nuk do të vijë automatikisht. Shumë punë duhet të bëhet në kuptimin e përmbushjes së disa standardeve si sundimi i ligjit, të drejtat e pakicave, në çështjen e decentralizimit dhe në ekonomi, që është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës," tha Albert Rohan, sipas të cilit mbrojtja e grupeve etnike është një nga aspektet esenciale të çfarëdo zgjidhjeje. Ai tha se për këtë arsye është obligim i shqiptarëve si shumicë dërrmuese që t’u ofrojnë qasje pakicave.
Zoti Rohan tha se ndër temat mbizotëruese ka qenë edhe decentralizimi. Me këtë rast, ai tha se bashkësia ndërkombëtare do të mbështesë vetëm zgjidhjet që janë funksionale:
"Duhet të ketë një sistem të qeverisjes lokale që është funksional, i qëndrueshëm financiarisht dhe që do të kënaqë bashkësitë e ndryshme etnike," tha diplomati austriak Rohan. Sipas tij është krejtësisht e qarte se decentralizimi do të jetë pjesë e zgjidhjes së përgjithshme të statusit, mirëpo janë edhe disa gjëra që duhen diskutuar, si kompetencat e komunave të reja, financimi e gjëra të tjera të natyrës teknike. Sidoqoftë, Rohan tha se e kuptonte dëshirën e serbëve për më shumë komuna, por kjo nuk është e mundur të shkoje deri në pakufi, pasi ato komuna do të ishin të paqëndrueshme edhe financiarisht.
Zoti Albert Rohan, i cili sot udhëton për në Beograd tha se kjo vizitë, si dhe ajo e para tre javëve bashkë me zotin Ahtisari, janë dëshmi se bisedat për statusin e Kosovës tashmë kanë filluar dhe sipas tij, edhe bisedat e drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po ndodhin nëpërmjet grupeve teknike si dhe për çështjen e decentralizimit, për cka pritet të mbahet një takim në Vjenë ndërmjet ministrave të pushtetit lokal, që Rohan tha se do të mund të mbahej gjatë janarit të ardhshëm.
Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve që t’i përvishen punës për plotësimin e disa standardeve, ndërsa serbët i ka këshilluar të marrin pjesë në institucione, në mënyrë që të mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre. Rohan tha se siguria është një faktor tepër i rëndësishëm për procesin:
"Siguria duhet të përmiresohet dhe ne dënojmë çfarëdo dhune, pasi ajo është kundërproduktive dhe do t’ia bëjë edhe më të vështirë Kosovës përmbushjen e synimeve të saj," tha Alber Rohan, zëvendës i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, i cili gjatë tre ditëve të qëndrimit në Prishtinë, ka takuar zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, anëtarë të ekipit negociues të Kosovës, si dhe përfaqësues të pakicës serbe.





XS
SM
MD
LG