Ndërlidhjet

logo-print

FATMIR LIMAJ KËRKON UNITET NGA PARTITË POLITIKE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka filluar me një paraqitje të Fatmir Limajt, ish-deputet dhe shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, i shpallur i pafajshëm pas procesit të gjykimit të tij në Gjykatën e Hagës.
Duke i dhënë fjalën atij, kryetari i Kuvendit të Kosovës tha se Limaj paraqet një figurë komplete politike, që është angazhuar për çlirimin e Kosovës dhe demokratizimin e saj.
Ndërkohë që Fatmir Limaj, i cili doli në foltoren e Kuvendit pas tre viteve, vlerësoi se Kosova ka filluar rrugën e saj të ndërtimit të demokracisë dhe shtetit të qytetëruar e modern. Krijimi i pozitës dhe opozitës, sipas tij, tregon një hap të rëndësishëm në rrugën e saj drejt demokracisë. Limaj parashikoi një rrugë të vështirë drejt përcaktimit të statusit, por kërkoi që partitë politike t’i lënë anash dallimet partiake dhe të angazhohen për realizimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran.
“Para së gjithash ky institucion, i cili duhet të jetë uvertyrë e të gjitha zhvillimeve që do të rrjedhin në drejtim të përcaktimit të statusit tonë përfundimtar, për të cilin të gjithë jemi unik, në një Kosovë të lirë, të pavarur e sovrane. Për të bërë këtë, Kosova ka nevojë për një bashkëpunim të ngushtë njëri me tjetrin. Ne si qytetarë, si klasë politike duhet të jemi në çdo mënyrë, në çdo formë të mbështesim Delegacionin e Kosovës i zgjedhur nga ky Kuvend, Delegacion i cili përfaqëson votën e qytetarëve të Kosovës”, tha Limaj.
Në vazhdim Fatmir Limaj u bëri thirrje Kuvendit dhe institucioneve të Kosovës të bëjnë më shumë në shërbim të drejtësisë dhe pafajësisë së kosovarëve që akuzohen nga Tribunali i Hagës:
“Ju ftoj që tash e tutje t’i ndihmoni njerëzit të cilët kanë nevojë për të vërtetën, për drejtësinë, për ndihmën tuaj. Parlamenti i Kosovës është i qytetarëve të Kosovës dhe qytetari i Kosovës në asnjë mënyrë dhe asnjë moment nuk duhet ta ndiejë vetën të lënë anash. Mendoj që është koha dhe momenti që këtë në çdo mënyrë institucionet tona ta demonstrojnë, ta shfaqin. Ne nuk duhet të frikësohemi nga drejtësia, ne nuk duhet të frikësohemi nga e vërteta, sepse e vërteta është në anën tonë, drejtësia është në anën tonë”, theksoi Fatmir Limaj.
Në fund Limaj e ftoi Kuvendin që të jetë më afër kërkesave të qytetarëve si dhe kërkoi guxim politik nga lidershipi i Kosovës që t’ia transmetojë shumicës qëndrimin e qartë se Kosova nuk mund të ecë përpara nëse të gjithë qytetarët e saj, pra edhe pakicat, nuk janë të barabarta dhe nuk i gëzojnë të drejtat e tyre në mënyrë e barabartë.
Më pas Kuvendi vazhdoi punën e rregullt ku shqyrtoi buxhetin për vitin 2006. Projekti buxhetor i propozuar nga qeveria ka hasur në kritika të ashpra të opozitës, e cila e ka akuzuar qeverinë për keq menaxhimin e financave publike. Kurse deputeti Veton Surroi ka kërkuar zhvillimin e një procedure hetimore para se të mund të miratohet buxheti për vitin 2006.
XS
SM
MD
LG