Ndërlidhjet

KËRKOHET ZGJIDHJE ANALOGE PËR PAKICAT NË KOSOVË DHE SERBI


Këshilli Konsultativ për komunitetet pakicë i Grupit Negociator të Kosovës do të sugjerojë zgjidhje analogjike lidhur me pakicat në Kosovë dhe në Serbi, tha sot kryetari i këtij këshilli Veton Surroi pas një takimi me përfaqësues të institucioneve dhe të partive politike të Luginës së Preshevës. Decentralizimi dhe kthimi i të zhvendosurve janë nevoja të përbashkëta të Kosovës dhe Serbisë, prandaj edhe zgjidhjet do të jenë të përbashkëta, tha zoti Surroi:
"Unë shpreh bindjen time të plotë se zgjidhja e problemeve të komuniteteve do të nënkuptojë në Kosovë edhe lidhje të veçantë me atë që quhet shteti amë. Ashtu siç ndodhin ndonjëherë në histori zhvillime që nuk i kemi pritur, po ashtu edhe për Luginën e Preshevës së shpejti shteti amë do të bëhet Kosova."
Përfaqësuesit e komunave të Luginës së Preshevës thanë po ashtu se kërkesat e tyre do të jenë për zgjidhje paralele për pozitën e serbëve në Kosovë dhe për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike shqiptare që ka pushtetin në komunën më të madhe me shumicë shqiptare, atë të Preshevës, tha se shqiptarët e Luginës do të bëjnë trysni për përmirësimin e pozitës se serbëve në Kosovë, në mënyrë që këtu të ketë analogji:
"Do të vijë në shprehje përdorimi i analogjisë, pra përparimi i të drejtave të serbëve ne Kosove e në të njëjtën mënyrë edhe përparimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës", tha zoti Mustafa.
Ndërkohë që Nagip Arifi, kryetar i komunës së Bujanocit tha se synimet e tyre shqiptarët e Luginës së Preshevës do të përpiqen t’i realizojnë përmes Grupit Negociator të Kosovës:
"Dje në Bujanovc kemi formuar një grup punues për të hartuar një platformë, e cila më pas do t’i dorëzohet grupit negociator."
Duke sqaruar pozicionet e grupit negociator të Kosovës, zoti Veton Surroi tha se ky grup nuk do të kërkojë, por do të sugjerojë zgjidhje paralele për pozitën e pakicave, pasi decentralizimi, kthimi, demilitarizimi dhe çështje të tjera janë nevoja të përbashkëta të serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Luginën e Pereshevës. Duke e konkretizuar qëndrimin e palës kosovare, Surroi tha:
"Të kemi lidhje speciale për arsim, që ministria e arsimit e Beogradit të ketë një lloj mbikqyrjeje, një lloj ndihme për arsimin serb në Kosovë, pastaj ministria e arsimit e Ankarasë, pra në këtë kuptim si do të dukej sikur ministria e arsimit e Prishtinës të ketë një lloj mbikqyrjeje dhe ndihme për arsimin në Luginën e Preshevës.
Mirëpo, tha zoti Surroi, janë disa çështje të cilat nuk mund të zgjidhen as përmes qasjeve rajonale, por në suaza edhe më të gjera, siç është siguria dhe demilitarizimi. Surroi tha se nuk mund të kemi aspirata për të qenë pjesë e strukturave euroatlantike, nëse krijohet një bazë ushtarake buzë Kosovës dhe mu në territoret e banuara nga shumica shqiptare, duke aluduar në bazën e ushtrisë serbe që po ndërtohet në afërsi të Bujanocit.

Rrahman Pacarizi

XS
SM
MD
LG