Ndërlidhjet

KOSOVA DHE SERBIA ME PENGESA SERIOZE TË LIRISË SË QARKULLIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kosova dhe Serbia ballafaqohen me pengesa serioze të lirisë së qarkullimit të qytetarëve dhe të mallrave, thuhet në një hulumtim të përbashkët të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave - KIPRED dhe Lëvizjes Evropiane nga Serbia. Mosnjohja e dokumenteve të udhëtimit të UNMIK-ut nga ana e Beogradit, si edhe mungesa e vullnetit të qytetarëve nga të dyja anët për shkak të ndjenjës së pasigurisë, janë faktorë që ndikojnë në qarkullimin e lirë, thuhet në hulumtim. Genc Krasniqi, përgjegjës për këtë projekt nga KIPRED, vë theksin në dis-balancin ndërmjet shifrave të prezantuara nga doganat e UNMIK-ut dhe ato të Serbisë lidhur me vlerën e mallrave që qarkullojnë në të dy anët:
"Sipas të dhënave të doganave të Serbisë, në Kosovë, marrë si shembull vitin 2004 janë eksportuar mallra në vlerë diku rreth 60 milion euro, përderisa në bazë të dhënave të doganave të UNMIK-ut në Kosovë nga Serbia janë importuar mallëra diku në vlerë prej 140 milion euro”, tha Genc Krasniqi.
Mospërputhja e të dhënave ndërmjet doganave të Kosovës dhe Serbisë, sipas këtij hulumtimi tregon për zhvillimin e një ekonomie “gree”, apo ilegale që ka si qëllim shmangien e tatimeve, çka i dëmton seriozisht buxhetet e të dy qeverive.
Ndërkohë që Maja Bobiq nga Lëvizja Evropiane me seli në Beograd, ndalet në disa rekomandime që u janë drejtuar qeverive në Beograd dhe asaj në Kosovë, përfshirë këtu edhe UNMIK-un:
“Prishtinës dhe Beogradit i rekomandohet të adresojnë çështjet e lirisë së lëvizjes në të dy anët, kurse qeverisë së Serbisë njohjen e dokumenteve të udhëtimit të UNMIK-ut”, tha Maja Bobiq. Po ashtu, theksoi ajo, qeverive të rajonit u është drejtuar rekomandimi që t’i bashkojnë përpjekjet e tyre dhe të kërkojnë nga Bashkimi Evropian t’i lehtësojë procedurat e marrjes së vizave, sidomos për kategori të caktuara.
Ndonëse hulumtimi identifikon një zhvillim të vazhdueshëm të bizneseve dhe të tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, madje në masë të madhe në forma ilegale, sa i përket qarkullimit të qytetarëve, ende ka hezitim që të shfrytëzohen rrugët në të dyja anët për shkaqe sigurisë. Përderisa 84 përqind e shqiptarëve të Kosovës të anketuar mendojnë se as nuk do të dëshironin të udhëtonin nëpër Serbi, rreth 63 përqind e serbëve të anketuar mendojnë po ashtu se nuk do të preferonin Kosovën për të udhëtuar nëpër rajon. Përqindjet janë të larta edhe te bindjet e shqiptarëve dhe serbëve se qarkullimi në këto relacione është i rrezikshëm. Në një situatë të tillë, hulumtimi identifikon dhe format e ndërmjetësimit në zhvillimin e tregtisë dhe bizneseve, ku serbët e veriut të Kosovës dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, paraqiten si ndërmjetësues në këto biznese.

XS
SM
MD
LG