Ndërlidhjet

TRE MARRËVESHJE PËR KTHIM TË ORGANIZUAR


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit e Ministrisë së Kthimit, UNDP-së, dhe UNMIK-u nënshkruan sot tre projekte për kthimin e të zhvendosurve që pritet të fillojnë së zbatuari në vitin e ardhshëm. Leposaviqi, Ferizaj dhe Klina janë komunat, ku pritet të kthehen të zhvendosurit serbë, romë, ashkali, egjiptas dhe shqiptarë.
Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larry Rossin i ka quajtur projektet si shembuj me të cilat identifikohet multietniciteti në Kosovë. Ai ka thënë se në zbatimin e kthimit nuk duhet të përfshihet vetëm Ministria e Kthimit, por e tërë qeveria.
“Shfrytëzimi i buxhetit të Kosovës për projektin e kthimit është demonstrim i qartë se qeveria po e shpejton procesin e kthimit. Ky është një nga 40 projektet, që janë realizuar në dy vitet e kaluara në tërë Kosovën”, tha Rosin, sipas të cilit në procesin e kthimit ka ndikuar pozitivisht krijimi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
Ministri i Kthimit Sllavisha Petkoviq, vlerëson nënshkrimin e projekteve të sotme si hap konkret në procesin e kthimit:
“I kemi tejkaluar problemet, megjithatë më e rëndësishmja është që të nisë ndërtimi dhe njerëzit të kthehen, sepse në fund të fundit kjo edhe është çështja kryesore. Shpresojmë se në vitin e ardhshëm do të bashkëpunojmë më mirë se këtë vit që të kemi më shumë të kthyer dhe më pak probleme”, tha Petkoviq.
Të tre projektet e kthimit do të kushtojnë 4 milionë e 350 mijë euro. Paratë janë ndarë nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës dhe janë pjesë e Projektit për Partneritet dhe Asistencë të Qëndrueshme për Kthim të Pakicave në Kosovë.
Kthimi është një nga standardet kryesore, që institucionet e Kosovës duhet ta përmbushin. Në raportin për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, ambasadori norvegjez Kai Eide ka kritikuar institucionet që nuk kanë bërë sa duhet për të ofruar një kthim të qëndrueshëm.

XS
SM
MD
LG