Ndërlidhjet

logo-print

NOVOBËRDA E VOGËL ME TELASHE TË MËDHA


Rrahman Paçarrizi

Novobërda është një ndër komunat më të vogla të Kosovës. Kjo komunë që ka një popullatë të përzier etnikisht, me shumicë serbe është ndër komunat më të varfra të Kosovës, ndërsa shpresat e veta i ka mbështetur në rihapjen e minierës që ndodhet në afërsi, ku para luftës kanë qenë të punësuar rreth 800 veta.
Të shkosh deri në Novobërdë në kohë dimri, nuk është punë krejt e thjeshtë. Bora e ditëve të fundit e ka vështirësuar udhëtimin për në këtë vendbanim, pasi rruga që çon për atje megjithëse është e kalueshme nuk është e pastruar nga bora.
Kryetari i komunës së Novobërdës Petar Vasiq thotë se kjo është një komunë e varfër, por shpirtërisht e pasur.
"Ne vërtet jemi një komunë e vogël dhe e pazhvilluar, por jemi të pasur me shqiprt, me tolerancë dhe respekt të ndërsjellë", tha kryetari i komunës, zoti Vasiq, sipas të cilit të gjithë, shqiptarë e serbë jetojnë dhe punojnë bashkërisht.
Në komunën që ka pak më shumë se 5 mijë banorë, shumica e të cilëve janë serbë, mungon shumëçka. Mbrojtja shëndetësore sigurohet në ambulancën e qytezës, por për rastet më të rënda, shqiptarët shkojnë në Gjilan dhe Prishtinë, ndërsa serbët në Graçanicë, Llaplesellë apo në Mitrovicë. Komuna nuk ka shkollë të mesme, prandaj, sipas këshilltarit për punësim në këtë komunë, Mehmet Gashit, numri më të madh i të paraqiturve për punësim kanë të kryer vetëm shkollën fillore:
"Struktura e të paraqiturve për punë te ne është në nivelin më të lartë të të pashkollëve, një shifër katastrofike, të gjithë pa shkollë. E kryen një klasë të tetë dhe mbetet në shtëpi për shumë shkaqe", thotë Gashi duke kërkuar që edhe në këtë komunë të hapet ndonjë shkollë e mesme, në mënyrë që fëmijët të mund të vazhdojnë shkollimin aty e të mos jenë të detyruar të shkojnë në qendra të tjera komunale.
"Ballafaqohemi me problemin e udhëtimit deri në shkollë dhe anasjelltas, kur dihet që nuk ka kurrfarë transporti.. Sa kishte me qenë e arsyeshme që të mos jetë një shkollë e mesme, po flas për të dyja dhe nuk dua të hyj në çështje politike dhe meqenëse jam zyrtar i punësimit, ku mund të arrijmë shkollim, kur nuk kemi shkollë", thotë Gashi.
Milivoje Paviq, rreth të shtatëdhjetave, thotë se jeton vështirë. Ai deri sa është pensionuar ka punuar në minierën e Novobërdës, që tash ka rifilluar punë, pas gjashtë vjetësh.
"Jetojmë vështirë dhe nuk kemi kurrfarë kushtesh. Marrim ndihmë sociale dhe nga 40 euro nga UNMIK-u", thotë Paviq, për të shtuar se me fqinjët shqiptarë jetojnë mirë, por ka një vërejtje.
"Refugjatëve dhe të zhvendosurve u japin më shumë ndihma dhe përparësi, ndërsa ne që kemi qëndruar këtu nuk marrim asgjë nga askush" tha Milovoje Pavic për të shtuar se një padrejtësi që po u bëhet serbëve që jetojnë në Kosovë është se të gjithë po i japin prioritet kthimit të zhvendosurve, para situatës së atyre që jetojnë tashmë në Kosovë.
Gjatë një vizite që këtij vendbanimi i ka bërë kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi ka premtuar se miniera e Novobërdës shumë shpejt do të fillojë prodhimin në mënyrë të rregullt dhe me këtë do të zgjidhet problemi i një pjese të familjeve të cilat edhe para luftës kanë jetuar nga pikërisht nga puna në këtë minierë, në të cilën atëherë kanë punuar rreth 800 minatorë, kryesisht banorë të asaj ane.

XS
SM
MD
LG