Ndërlidhjet

logo-print

NË KOSOVË KREMTOHEN KRISHTLINDJET


Lindja e Krishtit mund të krahasohet me lindjen e realitetit të ri në Kosovë, ka thënë në meshën solemne të Krishtlindjes ipeshkvi i Kosovës Mark Sopi, duke ftuar për bashkim dhe duke u bërë thirrje besimtarëve që të luten për Kosovën shtet sovran, si dhe për shëndetin e presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Mijëra besimtarë katolikë, si dhe shumëfish më shumë qytetarë të tjerë shqiptarë të besimit mysliman kanë ndjekur meshën solemne mbajtur në Kishën Shën Ndou në Prishtinë në mesnatë.
Në fjalimin tradicional para besimtarëve, imzot Mark Sopi tha se ndihma e Zotit na është dashur përherë, por në këto kohë na duhet edhe më tepër në mënyrë që edhe ne si të gjithë popujt e tjerë të lirë të mund të gëzojmë ato të mira të cilat i sjell liria.
"Kosova shtet sovran edhe i barabartë me shtetet e tjera e po ashtu i dëshirojme vazhdim të mirë e të mbarë ndërtimit të katedrales Nëna Terezë në Prishtinë", tha prijësi i Kishës Katolike në Kosovës, Mark Sopi. më tej ai ka shtuar se është detyrë e besimtarëve dhe e të gjithë qytetarëve që të luten për perfaqësuesit që Zoti t’i forcojë dhe shndrit për të marrë vendime të drejta që sjellin mirëkuptim, tolerancë dhe paqe e dashuri mes njerëzve:
"Në veçanti ju ftoj të gjithëve ta kujtojmë në lutje presidentit tonë të dashur që me ndihmën e Zotit ta përballojë sëmundjen që e ka e duke e përballuar edhe me tej si deri tash ta kryejë detyrën e madhe me përgjegjësi. Me një fjalë të lutemi për shëndetin e tij."
Imzot Mark Sopi tha se ngjarja e kërshëndellave në mënyrë analoge mund të krahasohet me ngjarjet në Kosovë – lindje e një realiteti të ri të dëshiruar me shekuj dhe kalim nga robëria në liri.
Ndërkaq, famulltari i Kishës Shën Ndou në Prishtinë, dom Nosh Gjolaj tha se faza e bërjes së shtetit të Kosovës kërkon disa gjëra:
"Unitet kthjelltësi, diplomaci, pjekuri, përgjegjësi, të mësojmë nga e kaluara e hidhur dhe të mos përsëritet viti 1912 dhe 1944 secili prej nesh ka talentin dhe mënyrën se si ta tregojë vetveten, por duhet ta gjejmë rrugën e përbashkët për t’u realizuar."
Në meshën solemne të Krishtlindjes morrën pjesë zyrtarë të lartë, ministra e deputetë, si dhe kryeministri i Kosoves Bajram Kosumi:
"Janë ditët kur me dëshirë kujtojmë rolin e madh të Kishës Katolike dhe të prelateve të saj për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar dhe për të mbërritur lirinë dhe progresin e botës shqiptare. Besoj fuqimisht se në vitin 2006 Kërshëndellat e tjera do t’i presim në shtetin e Kosovës."
Ndërkohë që gjatë meshës solemne janë lexuar telegramet e urimit që Kishës Katolike dhe imzot Mark Sopit i kanë dërguar zyrtarët më të lartë të Kosovës dhe të Bashkësisë Islame, kremtimi i Krishtlindjes ka vazhduar gjatë gjithë natës në Prishtinë.

Rrahman Pacarizi
XS
SM
MD
LG