Ndërlidhjet

THAÇI: PAVARËSIA E KOSOVËS NËNKUPTON RAJON DEMOKRATIK


Hashim THAÇI, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Evropa e Lirë
Zoti Thaçi jemi në përmbyllje të vitit të parë gjatë të cilit Kosova ka funksionuar në raporte të reja pozitë-opozitë. Si e vlerësoni këtë vit nga këndvështrimi i partisë më të madhe opozitare?

Hashim Thaçi
Ndërtimi i raporteve të reja në Kosovë, i raporteve demokratike pozitë-opozitë është diçka e re, është një frymë e dhe filozofi e re politike dhe institucionale e mund të them edhe vlerë demokratike. Mendoj se këto raporte vetëm sa janë duke u qartësuar dhe zhvilluar dhe viti 2005 mund të them lirisht se ishte viti edhe i rëndësishëm, por edhe vendimtar për fillimin e zgjidhjes së statusit politik. U vlerësuan standardet kënaqshëm në raportin e zotit Kai Eide që është një investim i gjithë spektrit politik kosovar dhe i qytetarëve dhe në anën tjetër, siç e dimë edhe u hap çështje a negociimit për mënyrën e bërjes së shtetit të Kosovës ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre ndërkombëtare, që do të thotë se ky është viti i vlerësimit të standardeve, i ndërtimit të raporteve të reja në Kosovë, është viti i stabilitetit dhe sigurisë, por i hapjes së perspektivës për bërjen e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Evropa e Lirë
Pas daljes në opozitë keni formuar kabinetin e qeverisjes së mirë që është cilësuar si një qeveri në hije. Çfarë mund të thuhet se keni arritur përmes këtij mekanizmi?

Hashim Thaçi
Partia Demokratike e Kosovës tash e një vit është në opozitë. Të qenit në opozitë është një përgjegjësi shumë e madhe – kërkon angazhim, përkushtim, por edhe një filozofi shumë më integruese sesa të qenit në pozitë, por sido që të jetë PDK e ka gjetur veten shpejt, është konsoliduar në mënyrë të shkëlqyeshme, ka krijuar atmosferën pozitive në punë dhe anën tjetër ka luajtur rol të rëndësishëm në integrimin e personaliteteve të rëndësishme nga bota civile në PDK, për të fuqizuar vizionin e PDK dhe qytetarëve të Kosovës për pavarësinë e plotë. Në aën tjetër PDK ka luajtur rolin e saj të rëndësishëm për të krijuar realitete të reja politike – ka formuar Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, që t’u përgjigjet edhe më mirë ballafaqimeve me sfidat nëpër të cilat kemi kaluar, po kalojmë dhe që të përgatitemi si PDK thjesht për t’u ballafaquar me situata të reja, por në anën tjetër Kabineti i Qeverisjes së Mirë ka luajtur rolin e vet, mund të them krucial, në prezantimin e platformave, ideve dhe alternativave në raport me qeverisjen e keqe aktuale të koalicionit aktual.

Evropa e Lirë
Ju si kryetar i partisë jeni pjesë e ekipit negociues që kryesohet nga presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Si e vlerësoni punën e deritashme të këtij grupi?

Hashim Thaçi
Delegacioni i Kosovës është në fazën fillestare të punë së vet. Ka kryer ato obligime që ka pasur mundësi t’i kryejë për periudhën e shkurtër kohore, por me rëndësi është që ka zhvilluar debat interesant dhe pozitiv nga liderë të ndryshëm të partive të ndryshme, por mbi të gjitha më e rëndësishmja dhe më pozitivja është se delegacioni i Kosovës në raport ndërkombëtarët është treguar vazhdimisht unik dhe ka dorëzuar dokumente të përbashkëta edhe zotit Ahtisari edhe zotit Rohan, por edhe Grupit të Kontaktit dokumentin për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës dhe më vjen mirë që në dokumentin final të delegacionit të Kosovës është përfshirë shumica e pikave të vizionit të PDK-së për shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik.

Evropa e Lirë
Zoti Thaçi fillimisht ka pasur mospajtime brenda këtij ekipi, e më pas një mbyllje të punës së tij për opinionin. A janë tejkaluar tashmë këto probleme dhe a mund të flitet për një grup unik?

Hashim Thaçi
Ne nuk jemi të përkryer por kemi bërë punën më të mirë të mundshme. Unë nuk jam pjesë e mospajtimeve brenda grupit negociator – kam investuar për kultivimin dhe ruajtjen e kohezivitetit brenda këtij ekipi negociator, por duhen kuptuar edhe dallimet përbrenda grupit negociator që janë dallime në kuptimin e gjetjes së mënyrës më të mirë të kryerjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve të vendit, por mund të theksoj se ky grup tashmë është konsoliduar dhe punon mirë.

Evropa e Lirë
Keni pasur takime me kryenegociatorin Ahtisari dhe me zëvendësin e tij Rohan. Cila është ideja që keni mundur të krijoni lidhur me projeksionin ndërkombëtar për të ardhmen e Kosovës?

Hashim Thaçi
Tash për tash mund të them se edhe zoti Ahtisari, edhe zoti Rohan, por edhe Grupi i Kontaktit janë fazën fillestare të marrjes së opinioneve edhe në Prishtinë edhe në Beograd për statusin e ardhshëm të Kosovës, opinione që do të prezantohen dhe janë prezantuar nga zoti Ahtisari edhe në Bruksel, por edhe Nju Jork e Uashington. Unë pres që janari i vitit 2006 të jetë fillimi më dinamik i punës së ndërkombëtarëve për të përshpejtuar procesin e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës. Me rëndësi është që Prishtina është shumë e qartë në qëndrimin e vet për të ardhmen e statusit të saj politik dhe ky qartësim rrjedh edhe nga rezoluta e Parlamentit të Kosovës për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtetin e pavarur dhe sovran. Kjo rezolutë është edhe baza politike, juridike për ekipin negociator dhe unë besoj se ndërkombëtarët tashmë janë duke e kuptuar gjithnjë e më tepër se e vetmja zgjidhje e cila siguron paqe, stabilitet, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale dhe integrim të Kosovës në strukturat euroatlantike dhe ato të BE-së është shteti i pavarur. Çdo tentim për zgjidhje tjetër nënkupton thjesht vazhdim të problemeve në Kosovë, por edhe në rajon. Në anën tjetër është shumë inkurajues qëndrimi për zgjidhjen e statusit politik i vendeve fqinje, sidomos nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi dhe e theksoj, zgjidhja e drejtë e statusit politik të Kosovës- shtet i pavarur, është edhe në interes të investimeve të SHBA dhe Bashkimit Evropian. Pavarësia e Kosovës nënkupton rajon demokratik.

Evropa e Lirë
Zoti Thaçi, si e shihni ju formatin e marrëveshjes, domethënë si do të ndodh përfundimi i procesit- duke qene të dyja palët përballë, me imponim ndërkombëtar apo në ç’formë?

Hashim Thaçi
Takimet e njerëzve të mirë për interesa të përbashkëta do të ndodhin edhe ndërmjet Prishtinës dhe të gjitha vendeve fqinje, për të shqyrtuar mundësitë më të mira të bashkëpunimit, por unë mendoj se pas marrjes së opinioneve dhe intensifikimit të procesit të ndërkombëtarëve në raport me Prishtinën he Beogradin, komuniteti ndërkombëtar do të nxjerrë vendimin e drejtë, më të drejtë të mundshëm për statusin politik të Kosovës.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG