Ndërlidhjet

logo-print

MUSTAFAJ: STATUSI QË PRODHON STABILITET ËSHTË PAVARËSIA E KOSOVËS


Besnik Mustafaj, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë

EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni vitin 2005 sa i përket zhvillimeve në Kosovë?

BESNIK MUSTAFAJ
Mendoj se ka qenë një vit po aq historik ashtu si dhe 1999 ku dihet se çfarë ndodhi. Qysh prej shtatorit ka patur zhvillime të rëndësishme thelbësore për të ardhmen e këtu kujtojmë raportin e ambasadorit Kai Aide për të gjykuar nëse duheshin hapur apo jo negociatat për statusin final, çfarë u konkretizua me vendimin e Këshillit të Sigurimit që negociatat për përcaktimin e statusit të Kosovës duhet të hapeshin. Pra Kai Aide dhe ekipi i tij u mbështet nga KS-ja, dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB –së, i cili emëroi të Dërguarin e Posaçëm për negociatat për Kosovën, negociatorin e shquar Marti Ahtisari; u plotësua grupi i negociatorëve në Kosovë, Grupi i Kontaktit, dhe po ngrihet grupi negociator dhe në Beograd.
Pra ka qenë një vit shumë i rendësishëm që po përgatit një 2006 në mënyrë të vrullshme.


EVROPA E LIRË
Zoti Mustafaj çfarë prisni nga negociatat për statusin dhe sa e shihni kohëzgjatjen e tyre?

MUSTAFAJ
Unë jam i bindur se nuk do të ketë surpriza dhe shtyrje, sepse e para Prishtina dhe Beogradi kanë arritur në përfundimin se nuk mund të ketë kthim në 99-n, dhe mos kthimi tek 99-ta nuk presupozon asnjë version tjetër përveçse pavarësi. Kjo pavarësi do të jetë në kuadër të negociueshëm sepse ka një mori problemesh dhe kushtesh që duhen plotësuar nga dy palët negociatore, veçanërisht nga Kosova, siç janë mosndryshimi i kufijve, respektimi i minoriteteve, moscopëtimi i Kosovës, mbyllja e prespektivave për ndarje të saj apo aneksim i Kosovës nga ndonjë shtet apo ndaj një pjese të caktuar të një shteti fqinj, prania ndërkombëtare civile dhe ushtarake në mënyrë që të shërbejë për garanci për monoritetet, por njëherësh të ndihmojë dhe në ndërtimin e shtetit ligjor.
Pra nga këto negociata unë, si dhe të gjithë shqiptarët, apo edhe komuniteti ndërkombëtar që është prezent në Kosovë, presim qoftë në mënyrë të drejtëpërdrejt apo të tërthortë, të përcaktohet statusi i cili prodhon stabilitet jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin. Dhe për mua statusi që prodhon stabilitet është pavarësia.

EVROPA E LIRË
Zoti Ministër çfarë roli do të luajë Shqipëria gjatë negociatave për statusin?

MUSTAFAJ
Shqipëria nuk është aktore, por është aktive madje shumë aktive në këtë proçes. Do të jetë aktive duke përdorur gjithë ndikimin e vetë që faktori shqiptar i Kosovës në këto negociata, të jetë sa më bashkëpunues me komunitetin ndërkombëtar, Grupin e Kontaktit dhe ekipin e të Dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisari, dhe sa më intensiv dhe i sinqertë me negociatat me Beogradin. Ne do të jemi aktivë në përcjelljen në mënyrë sistematike tek kancelaritë ndërkombëtare të opinionit shqiptar në lidhje me zgjidhjen e statusit, që do të prodhonte stabilitet në Kosovë, do të intensifikojmë marëdhëniet me Beogradin në mënyrë që t'i shërbejmë përmirësimit të klimës mes Tiranës dhe Beogradit në kuadrin e përmirësimit të klimës së përgjithshme në rajon. Shqipëria do të intensfikojë shkëmbimet në të gjitha fushat me Prishtinën si në atë politike, ekonomi e kulturë, në mënyrë që qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës gjatë kësaj periudhe të veprojnë sa më normal dhe të dëshmojnë se janë të afta për të qeverisur një vend të pavarur dhe për të ndërtuar marëdhënie të mira me fqinjët.
Pra Tirana zyrtare ka një fushë të madhe veprimi të cilën duhet ta mbushë me aktivitete.

Intervistoi: Suela Musta
XS
SM
MD
LG