Ndërlidhjet

KOSUMI: “PAVARËSI TË PLOTË, ME MARRËVESHJE PËR PRANI NDËRKOMBËTARE”


Intervistë me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumin

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, viti që po lëmë pas nuk ka qenë edhe pas sfida, të cilat shpesh janë cilësuar si të rënda për institucionet vendore, e veçanërisht për Qeverinë. Sa mendoni se keni arritur t’u përballeni me sukses këtyre sfidave?

BAJRAM KOSUMI
Nuk ka asnjë dyshim se viti 2005 ka qenë vit tepër I rëndësishëm për procesin në Kosovë. Duke qenë tepër I rëndësishëm ka qenë edhe tepër I vështirë, tepër I rëndë për t’u përballur me të gjitha sfidat që janë paraqitur gjatë këtij viti për Qeverinë e Kosovës. Por, unë besoj fuqimisht se Qeveria e Kosovës ka filluar një varg të tërë projektesh në këtë vit; disa prej tyre kanë përfunduar dhe disa të tjera kapin përmasa më të gjata kohore, të cilat e bëjnë shumë të suksesshme punën e Qeverisë, në cilëndo fushë ta marrësh, qoftë në fushën e buxhetit, qoftë në fushën e krijimit të rendit, stabilitetit dhe ligjit në shumë struktura të shoqërisë, qoftë në fushën e hartimit të strategjive afatgjata të Qeverisë. Por të gjitha këto do t’I kisha përmbyllur më fuqishëm me çështjen themelore të vitit 2005, me hapjen e bisedimeve për statusin final të Kosovës, proces ky I cili është mbështetur shumë edhe në suksesin e Qeverisë në të gjitha fushat, por veçanërisht në fushën e implementimit të standardeve për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët projektet, e veçanërisht ato për rendin dhe ligjin. Së fundi është shpallur formimi I Ministrisë së Brendshme dhe I Ministrisë së Drejtësisë. Cilat do të jenë përgjegjësitë e këtyre dy ministrive të reja në krijim në raport me të drejtat e rezervuara për administratën ndërkombëtare?

BAJRAM KOSUMI
Ministritë e reja fillimisht do të kenë një periudhë tremujore që të konsolidohen. Ne në këto dy ministri kemi vështirësi më të veçanta për konsolidim sepse një periudhë të gjatë nuk kemi qenë pjesë e institucioneve, kemi qenë jashtë institucioneve dhe jashtë ligjit, kështu që nuk kemi pasur dhe nuk kemi mundësi që të kemi një administratë të duhur dhe të përgatitur për këto dy drejtime. Por, unë besoj se brenda këtyre tre muajve, ministrat e ri do të arrijnë të krijojnë administratën dhe të funksionalizojnë ministritë e tyre dhe pastaj, pas tre muajve do të ndodhë bartja e një pjese të kompetencave nga ato të rezervuara tek ministritë e reja. Bartja e kompetencave do të vazhdojë edhe në qershor, kryesisht në bazë të progresit që bëjnë dy ministritë e reja në implementimin e kompetencave ekzistuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur flasim për sfidat, një prej vërrejtjeve kryesore që ka ardhur nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, por edhe nga vëzhguesit, është mungesa e një oferte konkrete për komunitetin serb që do të mundësonte integrimin e këtij komuniteti në shoqëri. Si u përgjigjeni ju këtyre vërrejtjeve?

BAJRAM KOSUMI
Ne kemi pasur shumë oferta dhe gjatë tërë kohës jemi munduar të kemi derën e hapur për qytetarët serbë të Kosovës dhe për komunitetet tjera etnike dhe vazhdojmë ta mbajmë derën e hapur. Ne absolutisht jemi të interesuar që të marrim parasyshë interesat reale të komunitetit serb në Kosovë dhe në ato interesa reale të gjejmë zgjidhje reale. Unë personalisht kam qenë, kam kontaktuar dhe kam biseduar me shumë qytetarë serbë në të gjitha anët e Kosovës dhe kam parë se me të vërtetë se një pjesë e kërkesave të qytetarëve serbë janë kërkesa reale dhe duhet t’u ofrohen zgjidhje reale. Por, gjithashtu dua të theksoj faktin se ekziston një distancë në mes të koncepteve dhe çështjeve që paraqesin qytetarët serbë dhe çështjeve që paraqiten nga politikanët serbë në emër të qytetarëve serbë të Kosovës. Një pjesë e atyre interesave nuk janë reale, janë artificale, interesa për të mbrojtur interesin e Serbisë në Kosovë dhe interesin e Qeverisë së Beogradit në Kosovë. Në këto çështje, ne nuk pajtohemi me ata politikanë dhe natyrisht do të mundohemi të krijojmë një jetë më të mirë dhe të plotësojmë të gjitha standardet për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është e drejtë e popullit të Kosovës të ketë lirinë, demokracinë dhe të ardhmen e vet, por jo që të ketë një interes tjetër politik ose me prapavijë politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke marrë parasyshë qëndrimet e skajshme në mes të institucioneve qendrore në Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit serb mbi statusin, a mendoni se bisedimet që tashmë kanë filluar do të mund të përfundojnë me një marrvëeshje në mes të Prishtinës, Beogradi dhe komunitetit ndërkombëtar apo mendoni se zgjidhja ndoshta do të jetë e imponuar nga fuqitë perëndimore?

BAJRAM KOSUMI
Ne do të bisedojmë edhe me Beogradin për ato që unë I quaj interesa reale ose për relacionet e reja që krijon bërja e shtetit të Kosovës në raport me Serbinë por edhe me raportet tjera. Gjithë ato çështje do të bisedohen, do të negociohen dhe do të arrihet një marrëveshje. Por, për vetë statusin final, për bërjen e shtetit të Kosovës duhet të vendosë populli I Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare. Nuk dua të paragjykoj, por Qeveria e Beogradit nuk po tregohet e gatshme që të jetë tërësisht pjesë e procesit, prandaj gjithmonë mbetet e drejta e popullit të Kosovës dhe e bashkësisë ndërkombëtare që e ka ndihmuar atë, për të vendosur për të ardhmen e Kosovës dhe vetë popullit.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi keni thënë se nuk do të pranoni asnjë zgjidhje që nënkupton më pak se pavarësi. Njëkohësisht keni thënë se angazhoheni për një prani të vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar edhe pas statusit të definuar, që për vëzhguesit nënkupton pavarësi të kushtëzuar. A mund ta shpjegoni konceptin e pavarësisë së Kosovës?

BAJRAM KOSUMI
Po, besoj fuqimisht se Kosova duhet të jetë shtet I pavarur dhe Sovran. Mund të gjindet ndonjë arsye për të ecur procesi më ngadalë, por ka njëqind arsye të tjera pse procesi duhet të ecë më shpejtë përpara. Çdo kushtëzim, cdo shtrëngesë e re që I bëhet Kosovës, e pengon zhvillimin e saj ekonomik dhe investimin e kapitalit ndërkombëtar në Kosovë, prandaj unë angazhohem për një pavarësi sovrane, pavarësi të plotë. Por, kjo nuk do të thotë se përjashtohet mundësia e marrëveshjeve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe NATO-s, mes Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian për të vazhduar ndihmën ndaj Kosovës edhe në të ardhmen. Ne kemi një konsensus të gjerë politik për një prani afatgjate të NATO-s dhe kjo nuk e dëmton sovranitetin e Kosovës. Poashtu do të angazhohemi për një prani civile, qoftë të Komisionit Evropian, qoftë të Washingtonit, për të na ndihmuar dhe përkrahur në disa fusha të zhvillimit. Por, edhe kjo do të ishte rezultat I marrëveshjes së arritur në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian dhe jo rezultat I një rezolute të re. Thënë me fjalë të tjera, ajo prezencë civile në Kosovë nuk do të kishte karakter administrativ, por një karakter ndihmues, këshillues apo observues.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti kryeministër, në vitin që po lëmë pas, elita politike ndoshta më shumë se asnjëherë më parë është përballur me thirrjet për unitet. Si po hyn Kosova në vitin 2006 - I cili është cilësuar edhe nga zyrtarët ndërkombëtarë si një periudhë historike – me udhëheqje të bashkuar politike apo të ndarë?

BAJRAM KOSUMI
Unë jam duke besuar gjithnjë e më shumë se çështja e unitetit, që ka qenë një prej plagëve më të vështira në 100 vjetëshin e kaluar sidomos në Kosovë, ngadalë është duke u hequr nga rendi I ditës. Ne kemi krijuar institucionet tona, Kuvendin e Kosovës, I cili paraqet edhe formalisht edhe praktikisht vulën e unitetit. Çdo kundërshti tjetër politike I nënshtrohet Kuvendit të Kosovës dhe aty farkohen të gjitha proceset që duhet ta unifikojnë popullin e Kosovës. Kjo është duke ndodhur. Klasa politike në Kosovë është unike, po hyn në këtë proces si e tillë, është e përgatitur për të marrë të gjitha përgjegjësitë për të udhëhequr me Kosovën dhe me procesin në Kosovë, duke e zhvilluar këtë unitet edhe në raportin pozitë-opozitë, që është e natyrshme për një system demokratik. Edhe kur ka vështirësi të veçanta, janë zgjedhjet, është Kuvendi I Kosovës që vendosë unitetin e faktorit politik. Jam shumë I lumtur që ky unitet nuk është më vetëm çështje individësh dhe e grupeve politike, por është çështje e institucioneve të Kosovës.

Intervistoi: Arbana Vidishiqi


XS
SM
MD
LG