Ndërlidhjet

SHEFI I DIPLOMACISË ITALIANE VIZITON KOSOVËN


Takimi Rugova – Fini anullohet për shkaqe shëndetësore

Ministri i jashtëm i Italisë, Gianfranco Fini ka arritur sot në Kosovë për të takuar udhëheqës të institucioneve, përfaqësues të pakicës serbe, si dhe trupat paqeruajtëse të vendit të tij në Kosovë. Mirëpo, takimi i tij i paraparë me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova është anuluar për shkak të gjendjes shëndetësore të presidentit Rugova, tha Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit Rugova:
"Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nuk ka mundur të realizojë takimin e paraparë për sot me Ministrin e Jashtëm të Italisë, z. Gianfranco Fini, për shkaqe shëndetësore", tha zoti Hamiti, duke hedhur poshte njoftimet ne media nderkombetare se presidenti Rugova, i cili tash e disa muaj vuan nga kanceri në mushkëri, është shtruar në spital:
"Presidenti Rugova gjendet në rezidencën e vet në Velani, ku po i nënshtrohet terapisë së rregullt mjekësore."
Ndërkohë, ministri i jashtëm dhe zevendësministër i Italisë, Gianfranco Fini është takuar sot me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, por asnjeri prej tyre nuk është prononcuar për media, ndërkohë që shefi i diplomacisë italiane gjatë ditës seë sotme ka vizituar edhe manastirin ortodoks serbe në Pejë që ndodhet në Kosovën Perëndimore, e cila është zonë e përgjegjësisë e forcave paqeruajtëse italiane. Vizita e parë në Kosovë e ministrit të jashtëm të Italisë Gianfranco Fini është pjesë e një turneu ballkanik të tij, pasi ai gjatë ditës së djeshme ka qëndruar në Beograd ku ka takuar presidentin e Serbisë, Boris Tadiq dhe ministrin e jashtëm të unionit Serbi-Mali i Zi, Vuk Drashkoviq. Më pas ai do të qëndrojë edhe në Tiranë. Kryediplomati italian ka thënë në Beograd se duhet të ketë një dialog për kompromis; se Italia do të mbështesë parimet e Grupit të Kontaktit për mosndarje të Kosovës dhe moskthim të saj në periudhën e para vitit 1999; dhe se Italia është kundër zgjidhjes së imponuar, ndërkohë që sipas tij, zgjidhja e statusit politik të Kosovës, me gjasë do të jetë një pavarësi, por me disa kushte, të cilat ai nuk i ka saktësuar.

Rrahman Pacarizi, Prishtinë
XS
SM
MD
LG