Ndërlidhjet

84 FËMIJË JANË BRAKTISUR GJATË VITIT 2005 NË KOSOVË


Për 84 fëmijë viti 2005 do të shënojë vitin e braktisjes së tyre nga prindërit, 77 nga të cilët do të hyjnë në vitin 2006 pa status të zgjidhur. Zëdhënësi i Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale, Agron Bacaj, tha se edhe vitin e kaluar 72 fëmijë janë bartur në vitin 2005 pa status të zgjidhur, por gjatë këtij viti 79 fëmijë kanë gjetur forma të ndryshme të birësimit.
"Gjatë vitit 2005 janë realizuar këto forma të mbrojtjes: 43 raste në strehim familjar, 21 raste në bashkim familjar, derisa në spital janë 6 fëmijë të braktisur. Pra dukurisë së braktisjes së fëmijëve dhe strehimit të tyre Ministria i ka kushtuar vëmendje të madhe gjatë vitit 2005 dhe kështu do vazhdojë dhe në vitin 2006", tha Bacaj.
Në Prishtinë gjendet një qendër tranzite "SOS Kinderdorf", e cila kujdeset për këta fëmijë deri në birësimin e tyre. Teuta Mulliqi, drejtorëshë e projektit Dielli në këtë qendër, thotë se në këtë kopësht gjatë vitit 2005 janë pranuar 25 fëmijë të braktisur. Nga ky kopësht janë adoptuar 35 fëmijë, duke llogaritur dhe fëmijë që kanë gjetur strehim në këtë qendër edhe në vitet e mëparshme.
"Gjatë kësaj periudhe prej projektit tonë kanë shkuar në adoptim 23 fëmijë, në strehim familjar 4 fëmijë, në bashkim familjar me prindërit biologjik 6 fëmijë si edhe 2 riatdhesime", thotë zonja Mulliqi.
Prej vitit 2001 kur ka filluar të veprojë kjo qendër e deri më tash është përkujdesur për më shumë se 480 fëmijë të braktisur. Ndërkaq ndërrimin e moteve në këtë qendër do ta presin 34 fëmijë, 10 prej tyre me nevoja të veçanta.
"Në Kosovë si faktor potencial që ndikojnë në ngritjen e numrit të fëmijëve të braktisur janë kryesisht niveli i ulët socio-ekonomik i shoqërisë sonë, niveli i ulët i vetëdijësimit e arsimimit të popullatës", thotë zonja Mulliqi.
Në qendrën klinike universitare në Prishtinë, në klinikën e obstetri-gjinekologjisë, klinikë kjo ku shumica e fëmijëve të braktisur qëndrojnë këtu për t'iu nënshtruar kontrolleve, thonë se ende nuk e kanë përfunduar raportin për vitin 2005 për të saktësuar se sa fëmijë janë lënë në këtë klinikë pas lindjes.

Nadije Ahmeti
XS
SM
MD
LG