Ndërlidhjet

PETKOVIQ: VITI 2006 DO TË JETË VIT I KTHIMIT TË PERSONAVE TË ZHVENDOSUR


Gjatë vitit 2005 në Kosovë janë kthyer 1.500 persona të zhvendosur, kurse janë duke u ndërtuar dhe 200 shtëpi për të kthyerit çka është mjaft inkurajuese, thotë ministri për Kthim e Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Sllavisha Petkoviq. Krahasuar me vitet e mëparshme, këto rezultate sipas tij po tregojnë një përkushtim të shtuar të Qeverisë për t’i kthyer të zhvendosurit:
“Nëse për 6 vite, mesatarisht sipas shënimeve të UNMIK-ut janë kthyer nga 1.200 veta, vetëm gjatë vitit të fundit, apo më saktësisht gjatë 9 muajve të punës së ministrisë 1.500 veta janë kthyer, çka nuk është diçka e vogël”, thotë Petkoviq në një bisedë për Radion Evropa e Lirë.
Për kthimet janë ndarë 8 milion euro, prej të cilave rreth 1.5 milion janë ndarë për kthime individuale. Sipas ministrit Petkoviq, këto mjete nuk mjaftojnë, por ai beson se ndërkohë do të ndahen dhe mjete të tjera shtesë për një proces të qëndrueshëm të kthimit:
“Nuk do të mundemi që të gjithë të kthyerit t’i punësojmë, dhe kjo është normale, por siguria tani më nuk është aq problem i madh, ngase tash problemi kryesor është ekonomia nga e cila njerëzit duhet të jetojnë”, thekson Petkoviq, duke shtuar se punësimi dhe çështjet ekonomike nuk janë probleme vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera të rajonit.
Petkoviq thotë se në komunat perëndimore të Kosovës kishte më shumë kthime, përderisa janë duke pritur dhe 19 projekte për t’u realizuar. Kurse për vitin e ardhshëm, ai pret të ketë kthime edhe në viset urbane:
“Për vitin e ardhshëm strategjia parasheh që përgjegjësinë për kthimet ta marrin komunat të cilat do të përkujdesen dhe vërtetojnë nëse të kthyerit kanë punuar para se të zhvendosen nëpër institucionet komunale”, tha Petkoviq.
Sidoqoftë, Petkoviq beson se ministria që ai drejton do t’ia dalë që të sigurojë që viti 2006 do të jetë vit i kthimit të personave të zhvendosur. Këtë optimizëm ai e mbështet dhe në faktin që situata e sigurisë në Kosovë më nuk konsiderohet si problemi kryesor që pengonte kthimin e të zhvendosurve.
Ndërkaq duke u ndërlidhur në procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës, Petkoviq thotë se nuk pret ndonjë marëveshje ndërmjet Prishtinës e Beogradit:
“Për momentin nuk pres asgjë, ngase pozicionet e Prishtinës dhe Beogradit janë aq të largëta sa nuk është e mundshme të përafrohen”, thotë Petkoviq. Mirëpo, nëse qasja do të ndryshojë, thotë ai, dhe bisedimet do të trajtojnë decentralizimin dhe adresimin e çështjeve që i kërkon bashkësia ndërkombëtare, atëherë statusi i Kosovës, sipas tij, nuk do të ishte më i rëndësishëm, pasi rruga e Kosovës dhe e vendeve të tjera të rajonit do të ishte e përbashkët, kah integrimi në Bashkimin Evropian.

Zijadin Gashi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG