Ndërlidhjet

KOSOVA VAZHDON VETËM ME NJË OPERATOR TË TELEFONISË MOBILE


Edhe viti 2006 do ta zërë Kosovën me vetëm një operator të telefonisë mobile, Vala 900.
Kjo do të zgjasë përderisa kompania angleze KPMG, e zgjedhur nga një komision qeveritar, të mos rivlerësojë të gjitha procedurat tenderuese dhe të sjellë një raport përfundimtar nëse në të vërtetë kompania Mobitel-Mobikos ka përmbushur kriteret për të qenë ose jo operator i dytë i telefonisë mobile në Kosovë.
Kreu i Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit të Kosovës, Anton Berisha shpreson se në fund të muajit janar kompania angleze do të përpilojë raportin.
“Menjëherë pas Vitit të Ri ata fillojnë punën dhe gjykoj se në një periudhë katër javore që ia kemi dhenë, ndonëse mendoj se tre javë janë të mjaftueshme, për të marrë një vendim", thotë Berisha.
Kompania kosovaro-sllovene, Mobitel-Mobikos qe shpallur fituese e tenderit të dytë të telefonisë mobile nga ART-ja. Por, menjëherë pas këtij vendimi pati reaguar qeveria e kaluar. UNMIK-u ndërkaq anulloi tenderin me arsyetimin se janë bërë shkelje të procedurave.
Drejtori i kompanisë Mobikos, Fatmir Gashi thotë se kompania tashmë i ka të gjitha pajisjet e gatshme për të filluar të veprojë si telefoni e dytë mobile, sapo që të marrë pëlqimin nga mekanizmat vendosës.
“Ne kemi konkururar në konsorcium me Mobitelin slloven. Për blerjen e paisjeve kemi komunikuar me Harris-in dhe Siemens-in. Ne presim vendimin që të kryhet procedura për rivlerësimin e procesit. Nëse rivlerësimi ka qenë pozitiv ne menjëherë fillojmë implementimin e rrjetit në Kosovë", sqaron Gashi.
Megjithatë, UNMIK-u asnjëherë nuk ka ndërruar qëndrimin duke kërkuar nga qeveria që të rishpallë tenderin e dytë të telefonisë mobile. Anton Berisha vendimin e UNMIK-ut vazhdon ta cilësojë si ndërhyrje në punën e ART-së.
“Ndërhyrjet kanë qenë shpeshherë arbitrare, subjektive, pa u analizur me ekspertizë. Institucionet kosovare, në këtë rast ART-ja, nuk ka pranuar variantin e të fortit derisa nuk jepen argumentet me ekspertizë. Ato palë, ata udhëheqës institucionalë, ministra, çfarëdo qofshin, që nuk mbështeten në ekpertizë pengojnë procesin", thotë Anton Berisha nga ART-ja.
Në Kosovë operator i vetëm ligjor i telefonisë mobile është Vala 900. Mirëpo në mënyrë ilegale funksionojnë edhe opratorë të telefonisë mobile nga shtetet fqinje. Shtrirje më të madhe deri tash ka pasur kompania Mobtel nag Serbia.
Ndërkohë qeveria e Serbisë i ka marrë dje licencën kompanisë “Mobtel 063” dhe i ka ndaluar punën e mëtejme me arsyetimin se “licencën shtetërore për kryerjen e telekomunikimit në Kosovë në mënyrë kundërligjore ia ka dhënë firmes Mobikos nga Peja”. Por, Fatmir Gashi, drejtor i “Mobikosit”, e ka demantuar faktin se kompania e tij ka marrëveshje me këtë kompani, duke theksuar se kanë pasur vetëm një marrëveshje komerciale për shitjen e kartelave dhe asgjë më shumë.

Albana Isufi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG