Ndërlidhjet

logo-print

PATRICK MOORE: SERBËT E KOSOVËS DO TË SHOHIN SE BEOGRADI I KA SHFRYTËZUAR PËR QËLLIME POLITIKE


"Për shumicën shqiptare në Kosovë, është vetëm një mundësi që do të jetë e pranueshme dhe çdo gjë që duket si shtyrje serioze ose kompromis në çështjen e pavarësisë, vlerësoj se me gjasë do të çojë në probleme siç ishin ato të marsit të vitit 2004. Sa i përketë Beogradit, siç kam sugjeruar edhe më parë, ata me gjasë do të marrin një linjë të fortë deri në zgjedhje dhe ndoshta më vonë do të shohim se akulli pak do të zbutet", thotë, pos tjerash, analisti i Radios Evropa e Lirë, Patrick Moore.

RADIO EVROPA E LIRË
Këtë vit u mor vendimi për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Sipas jush, a mund të thuhet se ishte ky një vit shumë i rëndësishëm për procesin politik në Kosovë?

PATRICK MOORE
Sigurisht. Qartas, shumë është arritur këtë vit. Para se gjithash, tash kemi fillimin zyrtar të bisedimeve nga ana e Kombeve të Bashkuara. Ka pasur shumë lëvizje serioze dhe ne tash shohim, edhe një herë, që Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë iniciativë që gjërat të lëvizin. Pra, mendoj se këto janë shenja shumë pozitive për çdokend, që është i interesuar për zgjidhjen e statusit, për të cilin mendoj se pajtohen shumica e vëzhguesve, nuk mund të lejohet që të presë në pakufi. Le t'u kthehemi tash gjërave që ndodhën më para një viti. Në atë kohë kishte shumë pritje dhe hezitim ndër ndërkombëtarët, që gjithnjë i referoheshin dhunës së marsit të vitit 2004 si një arsyetim për mos ndërmarrjen e asnjë aksioni. E dimë se në Beograd ishin të lumtur për këtë shtyrje sepse besonin se koha ishte në anën e tyre. Pra, e tëra që ata duhej të bënin ishte shtyrja dhe të prisnin që eventualisht ndërkombëtarët të lodheshin dhe të largoheshin, kështu që Beogradi do të mund t'i dërgonte prapë forcat e sigurisë serbe. Unë, poashtu, kam dëgjuar shumë njerëz në rajon, që kanë thënë se ka dyshime të mëdha, që disa nga ndërkombëtarët me pozita në Prishtinë dhe gjetkë, janë shumë të lumtur ta shohin zgjatjen e punëve të tyre që paguhen mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Presim që bisedimet për status të fillojnë në janar të vitit 2006. A mendoni se kjo do të ndodhë?

PATRICK MOORE
Mendoj se mund të themi që ka gjasë të mira që bisedat, nëse jo në janar, atëherë të fillojnë pak më vonë. Pra, nuk ka më pritje të pakufizuara. Çështje pozitive në anën e ndërkombëtarëve, për të cilët çdokush e pranon se ata e kanë atë që duket si e drejtë për të vendosur për këtë çështje, pra ndërkombëtarët dëshirojnë lëvizje. Nga ana tjetër, konsideroj se çështje negative është fillimi i bisedimeve para se në Serbi të mbahen zgjedhjet, që priteshin të mbaheshin gjatë vitit 2005. Zgjedhjet në Serbi do të jenë çështje kryesore në mendjen e politikanëve në Beograd. Për këtë arsye ata nuk do të bëjnë asgjë që do ti dëmtoj gjasët e tyre ndër votuesit. Këtu duhet të përfshihen edhe politikanët serbë të Kosovës. Kjo do të thotë se për aq sa bisedimet do të vazhdojnë, me gjasë, nuk mund të pritet më tepër fleksibilitet nga delegacioni i Beogradit, deri pas zgjedhjeve, kurdo që ato të mbahen.

RADIO EVROPA E LIRË
Pritet se procesi për statusin final do të përfundoj gjatë vitit 2006. Nga këndvështrimi juaj, a është kjo e arritshme dhe cili është përfundimi i mundshëm?

PATRICK MOORE
Siç thotë një proverb "kur ekziston vullneti –ekziston edhe mënyra", duket se ndërkombëtarët tash kanë një gatishmëri për ta zgjidhur çështjen në rajon, çështjen për të cilën ata kanë vërejtur se sa më gjatë të pritet, aq më vështirë zgjidhet. Siç e dimë të gjithë, për shumicën shqiptare në Kosovë, është vetëm një mundësi që do të jetë e pranueshme dhe çdo gjë që duket si shtyrje serioze ose kompromis në çështjen e pavarësisë, vlerësoj se me gjasë do të çojë në probleme siç ishin ato të marsit të vitit 2004. Sa i përketë Beogradit, siç kam sugjeruar edhe më parë, ata me gjasë do të marin një linjë të fortë deri në zgjedhje dhe ndoshta më vonë do të shohim se akulli pak do të zbutet. Por, në analizat përfundimtare, pasi çështja e Beogradit të jetë zgjidhur, e kjo do të zgjidhet duke e kompensuar Beogradin në mënyra të tjera, qoftë me para apo me ndonjë avantazh në negociatat me Bashkimin Evropian, atëherë njerëzit në Beograd do t'ua kthejnë shpinën serbëve në Kosovë, ashtu sikur vepruan me serbët në Kroaci dhe në Bosnjë. Le të përkujtojmë se kur filluan problemet në Kroaci dhe në Bosnjë slogani ishte se popullata serbe, veçanërisht në Kroaci, dëshironte të mbetej në Jugosllavinë e dikurshme. Por, kur lufta mbaroi, kur njerëzit u larguan dhe shkuan në Serbi, atje nuk kishte asgjë për ta, pos një pritjeje të ftohtë. Këtyre njerëzve nuk u është dhënë shtetësia e as përfitime sociale, siç i kanë qytetarët e Serbisë. Prandaj, ndjej fuqishëm se serbët e Kosovës do të shohin se Beogradi i ka shfrytëzuar ata për qëllimet e veta politike, çfarëdo qofshin ato.Ata do t'ua kthejnë shpinën këtyre njerëzve, siç vepruan ndaj serbëve të Kroacisë dhe të Bosnjës.
Intervistoi: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG