Ndërlidhjet

B. TRAJKOVSKI: OBLIGIMET NGA MARRËVESHJA KORNIZË DO ZBATOHEN DERI NË FUND TË 2005


Boris Trajkovski President i Republikës së Maqedonisë

RADIO EVROPA E LIRË
Me çfarë kualiteti vitin e kaluar u zbatuan obligimet e parapara me Marrëveshjen e Ohrit?

BORIS TRAJKOVSKI
Nëse kihet parasysh projekti më i madh dhe i fundit, gjegjësisht pakoja e ligjeve që dalin nga procesi i decentralizimit, të gjitha obligimet, para së gjithash këtu e kam fjalën për projektet më të rëndësishme ligjore dhe për atë që quhet përfaqësimi adekuat dhe i
drejtë i bashkësive etnike në institucionet shtetërore, mendoj se gjithë kjo u realizua sipas dinamikës së paraparë. Mendoj se pjesa më e madhe që del nga Marreveshja kornizë dhe zbatimi i saj tërësisht
do të përfundojë kah fundi i vitit 2005.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është vlerësimi i juaj për situatën e sigurisë në vitin 2003 dhe me çfarë rreziqe për sigurinë do të mund të ballafaqohet vendi gjate vitit të ardhshëm?

BORIS TRAJKOVSKI
Sipas të gjitha vlerësimeve që i kemi bërë tashmë e kemi arritur stabilizimin e sigurisë në vend. Këtë njëkohësisht e vërteton edhe vetë fakti se edhe misioni i BE-së Konkordia e braktisi Republikën e
Maqedonisë. Megjithatë është evidente se në disa zona të veçanta të përqendruara në ish-rajonet e krizës, ende ekzistojnë grupe kriminele dhe ekstreme të cilët mendoj se nuk kanë kapacitet për ndonjë destabilizim më serioz të shtetit. Në planin politik do të doja të
them se obligimet që dalin nga Marrëveshja kornizë do të duhet të zbatohen tërësisht dhe në kohë, me çka do të zvogëlohet hapësira për një propagim të çfarëdo zgjidhjeje alternative që e parapëlqejnë dhunën në vend të dialogut.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa jeni të kënaqur nga procesi i shtimit të numrit të përfaqësuesve të bashkësive që nuk janë shumicë në vend, sidomos në strukturën e armatës dhe në polici?

BORIS TRAJKOVSKI
Te Qeveria dhe tek të gjitha strukturat ekziston vullnet i mirë për zbatimin e këtyre obligimeve, gjë që më mirë shihet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.Ky është një proces aftgjatë dhe shpresoj se për disa vjet do ta arrijmë shkallën e paraparë dhe për të cilën biseduam.

RADIO EVROPA E LIRË
A është e përgatitur Maqedonia që në muajin shkurt të vitit 2004 ta dorëzojë aplikimin për anëtarësim në BE?

BORIS TRAJKOVSKI
Mendoj se gjatë periudhës së kaluar në të cilën kaloi rajoni, d.m.th. konflikte dhe moskuptime, ne nuk kemi patur shumë kohë për të debatuar a duhet apo nuk duhet ta ndjekim këtë proces. Marrëveshja e Ohrit vetvetiu paraqet një bazë për arritjen e kritereve politike dhe
vlerësoj se Republika e Maqedonisë e meriton të drejtën të dorëzojë aplikim formal sepse argumentet janë në anën tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
A jeni të sigurtë se ekzistojnë shanse të vërteta që shtetit në samitin e NATO-s në Stamboll t’i jepet një sinjal i qartë se është kandidat i sigurtë për anëtarësim në NATO në vitin 2006 ?

BORIS TRAJKOVSKI
Në samitin e NATO-s askush nuk duhet të presë se do të ketë garanca të plota për anëtarësim në NATO gjatë zgjerimit të ardhshëm. Për Republikën e Maqedonisë është më e rëndësishme që arritjet tona në fushën e reformave edhe një herë të theksohen, gjë që vlen edhe
për arritjet tona me kualitetin e transformimit. Por, shpresoj se sipas të gjitha parashikimeve, Republika e Maqedonisë në vitin 2006 në të vërtetë të bëhet edhe anëtare e NATO-s.

Intervistoi Ivan Bllazhevski
XS
SM
MD
LG