Ndërlidhjet

A. BAJRAMI: KUVENDI I KOSOVËS PO PËRGATIT NDRYSHIME TË KORNIZËS KUSHTETUESE


Arsim Bajrami, kryetar i komisionit parlamentar për çështje ligjore

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, Kuvendi i Kosovës, aktualisht i ka në procedurë ndryshimet në Kornizën Kushtetuese. Fillimisht qe paralajmëruar që dhjetori të jetë koha kur këto amendamente do të dalin në parlament për miratim. Kur pritet që Kuvendi të merret me këto ndryshime?

ARSIM BAJRAMI
Grupi punues i formuar nga Kuvendi i Kosovës për të përgatitur amendamentet në Kornizën Kushtetuese, është në përfundim të punës së tij dhe mund të them se tani të gjitha amendamentet janë të gatshme. Presim që në fillim të janarit të kemi diskutime me ekspertë kosovarë dhe me shoqërinë civile, në mënyrë që t'i finalizojmë këto amendamente, të cilat më vonë do t'i përcillen Kuvendit për miratim.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat fusha do të përfshijnë ndryshimet e Kornizës Kushtetuese?

ARSIM BAJRAMI
Është fjala për një pako të amendamenteve kushtetuese, që pretendojnë të bëjnë ndryshime rrënjësore dhe thelbësore në Kornizën Kushtetuese. Bëhet fjalë për dy amendamente të cilat në mënyrë esenciale ndryshojnë kreun 5 dhe kreun 8 dhe balancën midis këtyre dy kapitujve në favor të institucioneve të Kosovës. Është fjala për amendamentin, i cili krijon fusha të reja të përgjegjësive; po përmendim 7 fusha të reja të përgjegjësive: fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare, fusha e rendit dhe e sigurisë publike, fusha e drejtësisë dhe sistemit gjyqësor, fusha e kontrollit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, fusha e pushtetit lokal, fushën e buxhetit dhe politikave fiskale dhe fushën e energjitikës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se në këto ndryshime do të preket edhe kreu i tetë i Kornizës Kushtetuese. Cili është qëndrimi apo pozicioni i zyrës ligjore të UNMIK-ut?

ARSIM BAJRAMI
Në fakt ne kemi paraparë që kreu i tetë të reduktohet në mënyrë esenciale dhe të gjitha kompetencat të barten tek institucionet vendore, duke rezervuar në mënyrë taksative vetëm një numër të kufizuar të kompetencave që duhet të mbeten tek autoriteti i përfaqësuesit special në kohën deri sa të vendoset për statusin final të Kosovës. Mendoj se në këtë drejtim UNMIK-u nuk po tregon fleksibilitetin e dëshiruar. Akoma qëndron në pozicione dogmatike që korniza nuk mund të ndryshohet dhe ky është një problem, për shkak se UNMIK-u, me këtë qëndrim të ngurtë, edhe vetë po e dobëson apo po e pengon suksesin e misionit të vet. Ajo që ne presim është që pas votimit në Kuvendin e Kosovës, këto amendamente të merren në shqyrtim serioz edhe në Këshillin e Sigurimit, meqënëse kjo do paraqesë një ofertë zyrtare të Kosovës për të vazhduar partneritetin e UNMIK-ut me qëllim të finalizimit të rezolutës 1244. Unë mendoj se me këto amendamente, institucionet e Kosovës kërkojnë dy gjëra: së pari përgjegjësi për vete dhe për gjendjen në Kosovë dhe së dyti raporte të reja partneriteti me UNMIK-un duke kërkuar që UNMIK-u nga ushtrues i drejtpërdrejtë i pushtetit të marrë një rol të vëzhguesit të pushtetit, eventualisht një rol të një arbitruesi në çështjet që vlerësohen se i përkasin rezolutës 1244.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh kundërshtimet e shpeshta mes Kuvendit dhe UNMIK-ut, nëse do të përsëritet procedura e zakonshme që Kuvendi të marrë një vendim dhe më pas përfaqësuesi special ta anullojë atë, në këtë rast si do zbatohej kjo kornizë e re kushtetuese e Kosovës?

ARSIM BAJRAMI
Kuvendi i Kosovës nuk është i interesuar për të marrë
vendime të njëanshme dhe vendime joefektive. NE nuk dëshirojmë të aprovojmë këto ndryshime dhe të krijojmë paralelizëm me UNMIK-un. Kuvendi i Kosovës dëshiron që UNMIK-u vetë të jetë pjesë e këtij procesi dhe në një mënyrë të rezonojë drejt dhe të kuptojë se bartja e këtyre kompetencave është plotësisht e mundshme. Nëse UNMIK-u dëshiron të ecë përpara me misionin e vet, atëhere UNMIK-u duhet të kuptojë këtë. Ne dëshirojmë që Këshilli i Sigurimit të kuptojë drejt këto kërkesa për shkak se kemi përshtypjen se ai po informohet në mënyrë të njëanshme, vetëm me zërin e UNMIK-ut, pa zërin e institucioneve të Kosovës. Dëshirojmë të kuptojë se këto kompetenca në fakt po përgatitin Kosovën për fazën finale, pra për fazën e implementimit të statusit final të Kosovës. Nuk besoj që edhe arritja e standardeve do të jetë e mundshme dhe reale, po qe se nuk shoqërohet me këtë bartje të këtyre kompetencave.

RADIO EVROPA E LIRË
Plotësimi i standardeve vlerësohet si një prej sfidave të vitit 2004. Sa besoni se institucionet e Kosovës do t'ja dalin që t'i plotësojnë ato dhe sa mund të pritet që viti 2005 të jetë kohë e përshtatshme për përcaktimin e statusit të Kosovës?

ARSIM BAJRAMI
Standardet që i janë përcaktuar Kosovës paraqesin një proces pozitiv për shkak se populli i Kosovës nuk do vetëm një Kosovë të pavarur, por edhe një Kosovë demokratike. Mendoj se sa më shpejt që të arrihen këto standarte, ne do të ofrojmë rrugën kur do të pranohemi brenda familjes së shteteve evropiane. Por mendoj se kërkohet një qasje e drejtë dhe reale e bashkësisë ndërkombëtare ndaj politikës së standardeve. Arritja e standardeve është e mundur vetëm në dy kondita. E para: nëse këto standarde paraqesin një strategji dalëse nga rrethi vicioz i rezolutës 1244, në qoftë se ato në një mënyrë nuk merren me operacionalizmin e rezolutës 1244 dhe Kornizës Kushtetuese, por me fazën e tretë të administrimit ndërkombëtar, pra atë që do të pasojë pas realizimit të objektivave të rezolutës 1244, në qoftë se plotësimi i këtyre standardeve në një mënyrë e afron Kosovën drej vetvendosjes dhe drejt statusit final, pra jo për të sjellë Kosovën në procesin e ngulfatur të rezolutës 1244 dhe kondita e dytë për suksesin e standardeve është besimi më i madh në institucinet e Kosovës. Besimi është i mundur nëqoftëse lejohet që ato të dëshmojnë veten që kanë aftësi të pranojnë vlerat qytetetëruese evropiane, pra në qoftë se marrin kompetenca në fushat për të cilat po kërkojmë. Ne presim që në vitin 2004 të shënohet një progres i konsiderueshëm ndoshta dhe të plotësohen shumica e standardeve në mënyrë që afati i paraparë pra viti 2005 të jetë një afat kur bashkësia ndërkombëtare duhet të bëjë një vlerësim pozitiv të standardeve, do thoja të shpallë të përmbyllur misionin e administrimit civil, pra misionin e UNMIK-ut në Kosovë dhe në një mënyrë të lejojë një vetëvendosje demokratike të popullit të Kosovës për statusin final.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG