Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK: PJESËMARRJA E SERBËVE NË GRUPET PUNUESE PËR STANDARDET ËSHTË NË INTERESIN E TYRE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në grupet punuese për plotësimin e standardeve është në interesin e tyre, prandaj administrata e UNMIK-ut pret që liderët serbë të ndryshojnë qëndrimin dhe të bëhen pjesë e plotësimit të këtyre standardeve, thonë zyrtarë nga Misioni i Kombeve të Bashkuara. Në anën tjetër, përfaqësues të pakicës serbe, vazhdojnë të jenë të vetmit që nuk pranojnë të jenë pjesë e grupeve punuese, pasi vlerësojnë se me pjesmarrjen e tyre ata duhet të ketë ndikim të caktuar në punën e grupeve për plotësimin e standardeve. Kështu, deputeti serb Oliver Ivanoviç, thotë se koalicioni “Kthimi” nuk dëshiron që të jetë vetëm dekor i këtyre grupeve:
“Kërkojmë status të anëtarit të grupeve punuese që të paktën në disa çështje që janë në interesin tonë të kemi ndikim”, thotë Ivanoviç. Në të kundërtën, shton ai, serbët nuk kanë pse të jenë pjesë e këtyre grupeve.
Lidhur me rezistimin e serbëve që të marrin pjesë në grupet punuese, zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karlovicz, pohon se plani final për plotësimin do të miratohet së shpejti dhe se është në interesin e serbëve që të marrin pjesë në këtë proces: “Standardet reflektojnë interesat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe se është esenciale që të gjitha komunitetet të jenë pjesë e këtij procesi”, pohon Karlovicz.
Ndërkohë, Milorad Todoroviç, i cili mban postin ndërministror për çështjen e kthimit të personave të zhvendosur në Qeverinë e Kosovës, thotë se UNMIK-u duhet ta kuptojë se plotësimi i standardeve pa pjesëmarrjen e serbëve nuk mund të paramendohet:
“Pa pjesëmarrjen e serbëve standardet sigurisht se nuk mund të plotësohen dhe se UNMIK-u duhet të ballafaqohet me këtë fakt”, thotë Todoroviç. Ndryshimi në preambulën e dokumentit, nuk do të thotë asgjë, shton ai, duke potencuar se serbët kanë edhe shumë vërrejtje të tjera në këtë dokument.
Mirëpo, zëdhënësja e UNMIK-ut Izabela Karlovicz, pohon se dokumenti për standardet tashmë është miratuar dhe në Këshillin e Sigurimit, dhe se sipas saj, aty janë të përfshira gjithashtu dhe interesat e komunitetit serb:
“Dokumenti është miratuar nga komuniteti ndërkombëtar, me të cilin edhe teksti i dokumentit është shqyrtuar vazhdimisht dhe së fundit finalizuar dhe nga Këshilli i Sigurimit”, thekson zëdhënësja e UNMIK-ut, për të shtuar se ndryshimet zakonisht bëhen para se një dokument të miratohet.
Sidoqoftë, Karlovicz tha se plani për plotësimin pritet të miratohet gjatë janarit, kur dhe do të fillojë puna intensive nëpër grupet punuese për plotësimin e tyre.

XS
SM
MD
LG