Ndërlidhjet

KUÇI: PAS PLOTËSIMIT TË STANDARDEVE DUHEN HAPA SHTESË PËR TË SHKUAR DERI TEK PAVARËSIA


Hajredin Kuçi, deputet dhe nënkryetar i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Kuvendi i Kosovës ka në procedurë ndryshimin e Kornizës Kushtetuese, mirëpo duke patur parasysh kundërshtimet e fundit të UNMIK-ut, sa besoni se Kuvendi do të arrijë ta zbatojë këtë kornizë të re që synon të miratojë?

HAJREDIN KUÇI
Siç e di dhe opinioni Kuvendi ka marrë një vendim për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese, ka formuar komision dhe ai tani është para pragut të punës së tij. Mund të them ndoshta se kuvendi e ka humbur paksa shansin vitin e kaluar dhe tani po bën një veprim të tillë në momentin kur janë marrë shumë vendime nga bashkësia ndërkombëtare respektivisht UNMIK-u, në momentin kur janë vënë standardet dhe në momentin kur po flitet për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe të gjitha këto do të jenë më shumë një lojë politike sesa ndonjë ndryshim praktik. Megjithatë mendoj se është me shumë rëndësi që Korniza Kushtetuese të ndryshojë. Jam ithtar i saj që të mos ketë ndryshime kozmetike në Kornizën Kushtetuese, gjë që do shkaktonte një kënaqësi momentale, por jo ndryshime praktike dhe në anën tjetër mendoj se është shumë vështirë që institucionet e Kosovës të zgjedhura pas tetorit apo nëntorit 2004, të veprojnë me të njëjtën Kornizë Kushtetuese. Natyrisht që edhe plotësimi i standardeve duhet të jetë mbi bazën e bartjes së kompetencave, por kompentencat nuk barten pa ndryshimin e bazës ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni vështirësi në zbatimin e saj duke patur parasysh pozicionimin aktual të administratës ndërkombëtare?

HAJREDIN KUÇI
Po unë mund të them, që e shoh se do të kemi një lojë politike, siç e thashë pak më parë, këtu do të kemi ndonjë vendim eventual të kuvendit dhe ndonjë anullim po ashtu të menjëhershëm të UNMIK-ut dhe kjo do mbetet vetëm sa për opinionin publik, por në gjendjen praktike nuk do ndryshojë asgjë. Ne i pamë premtimet para takimit të Vjenës, dhe premtimet që jepen tani për bartjen e kompetencave janë më shumë lojë fjalësh dhe më pak ndryshime praktike. Dhe ne duhet të hyjmë për ndryshime të Kornizës Kushtetuese, por nuk duhet të hyjmë sa për të thënë, por për të ndryshuar rrënjësisht. Këto gjasa, e them me sinqeritetin më të madh, janë shumë shumë të vogla. Por vendimet legjitime të një institucioni demokratik legjitim nuk mund të ndërrohen me një urdhër administrativ. Ato mund të shtyhen për më vonë por legjitimiteti i atyre vendimeve do të mbetet përherë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju vetëm e thatë se këto ndryshime do të jenë në funksion të plotësimit të standardeve, mirëpo paraprakisht një zëdhënës i UNMIK-ut, tha se institucionet vendore nuk kanë marrë më tepër kompetenca, sepse nuk kanë patur kapacitete të mjaftueshme dhe nuk kanë krijuar bazë ligjore. Duke patur parasysh këtë, sa konsideroni se këto institucione janë të afta të plotësojnë këto standarde dhe të pranojnë më tepër përgjegjësi mbi vete?

HAJREDIN KUÇI
Konstatimi se nuk egziston baza e mjaftueshme ligjore mund të qëndrojë deri diku. Konstatimi se nuk kanë aftësi apo kapacitet veprues, mendoj se nuk egziston, pasi të gjitha shtetet në fillim kur kanë ndërtuar potencialet e tyre shtetërore, institucionet, nuk i kanë patur kapacitetet që i kanë sot dhe është krejt iluzore të thuhet që çdo shtet në momentin e themelimit i ka kapacitetet 100 %, sikurse është krejt iluzore që të thuhet se duhet pritur një ditë kur t'i krijojnë kapacitetet. Kapacitetet ndërtohen duke funksionuar. Pra mund të themi që është më shumë një lojë fjalësh, një shtyrje e veprimeve në dobi të Kuvendit dhe të Kosovës, dhe më pak diçka konkrete. Mendoj se gjendja konkrete në Kosovë ka treguar se kemi aftësi, madje mund të them se kemi më shumë aftësi sesa shtetet përreth. Nëse kapacitetet do të mateshin, nuk do mund të vihej në pyetje a do kemi apo jo pavarësi, por çështja është a do të respektohet vullneti politik. Ndërsa realizimi i këtij vullneti politik bëhet nga ne dhe nga të tjerët bashkarisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Kuçi, plotësimi i standardeve është një prej parakushteve që të hapet çështja e statusit të Kosovës. Prandaj duke patur parasysh gjithë ato prioritete që janë vënë për këtë vit, zgjedhjet e shumë gjëra të tjera, sa besoni se institucionet do të kenë kohë të mjaftueshme që të përkushtohen edhe në plotësimin e këtyre standardeve sipas afatit të paraparë?

HAJREDIN KUÇI
Së pari mendoj se UNMIK-u e ka humbur shansin vitin e kaluar, në një pjesë edhe institucionet e Kosovës për plotësimin e standardeve. Viti i kaluar ka qenë vit i punës apo i realizimit konkret. Ky vit do jetë më tepër vit i fushatave, pa marrë parasysh elektorale apo të tjera. Në këtë vit ne do të kemi sipas mendimit tim personal rreth tre muaj punë efektive të institucioneve, tre muaj të tjerë do të jenë arsyetim i punës që kanë bërë këto institucione, dhe tre muajt e fundit do të jenë një kritikë e njëri tjetrit, kush ka punuar më shumë dhe kush më pak. Standardet janë të pranueshme dhe duhet të jenë për institucionet demokratike të Kosovës. Qëllimi i këtyre standardeve ka qenë dhe duhet të jetë vënia në bazë e këtyre standardeve. Përndryshe plotësimi i tyre, jo vetëm që nuk është parakusht për pavarësinë e Kosovës, por do të jetë një kusht i domosdoshëm për punën e institucioneve edhe pas fitimit të pavarësisë. Të gjithë e dimë që edhe shtetet e pavarura përreth kanë problem në realizimin e këtyre standardeve dhe është iluzore nëqoftëse dikush mendon që ato do të plotësohen 100 %, sikurse nuk është e drejtë nëqoftëse dikush mendon që nuk duhet të fillojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, pakica serbe ka refuzuar deri tani që të jetë pjesë e grupeve punuese për standardet. Cilat do të jenë e mospërfshirjes së pakicës serbe në kuadër të këtyre grupeve dhe të plotësimit të standardeve në përgjithësi?

HAJREDIN KUÇI
Trekëndëshi i plotësimit të standardeve egziston në bashkësinë ndërkombëtare, në palën shqiptare të Kosovës dhe në palën serbe të Kosovës, respektivisht në vetë Serbinë, pasi këta janë nën ndikimin direkt. Mund të themi tani kemi një refuzim të përgjithshëm të palës serbe dhe sa herë të mendohet se standardet do të jenë si kusht për fitimin e pavarësisë së Kosovës, do të kemi frenim nga ana tjetër. Po ashtu pala kosovare, është iluzioniste, pasi mendon se me plotësimin e standardeve do të fitohet pavarësia. Unë them se nuk qëndron as njëra as tjetra. Edhe pas plotësimit të standardeve do duhen disa veprime të tjera politike për fitimin e pavarësisë, sikurse plotësimi i standardeve është në të mirë të vetë minoritetit serb dhe duhet të hiqet dorë nga llogjika e refuzimit të përgjithshëm, por edhe pala kosovare duhet të heqë dorë nga llogjika e refuzimit apo e veprimit për inerci.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG