Ndërlidhjet

BALLAFAQIMI ME DISFATËN NË BALLKAN


Washington Post

Rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Serbi, prej të cilave fituese doli partia nacionaliste që udhëhiqet nga një i akuzuar për krime lufte, dëshmojnë për kahjen e dëmshme që kanë marrë zhvillimet atje. Premtimet për integrim në Bashkimin Evropian, sado të rëndësishme, nuk janë të mjaftueshme për të nxitur ndryshime në Ballkan.
Qasja aktuale e Perëndimit është duke rrezikuar me krijimin e vrimave të zeza në Evropë, në të cilat do të dominonte nacionalizmi i dhunshëm, krimi dhe terrorizmi. Po cilat ishin gabimet? Kjo pyetje ka përgjigje nga zhvillimet ne Serbi. Fryma e pushtetit të Slobodan Milosheviçit vazhdon të jetë e pranishme atje. Pavarësisht nga ndihma e konsiderueshme perëndimore dhe përparimet e arritura në reformat ekonomike, është fakt se Serbia vazhdon të jetë një shtet nacionalist dhe quasi mafioz, si rezultat i dështimit të elementeve reformuese dhe i shteteve perëndimore për t’u përballur me faktet. Këto të fundit është dashur që të kushtëzojnë ndihmat e tyre dhe të mos i mbyllin sytë para korrupsionit.
Perëndimi ka bërë edhe një gabim tjetër me përpjekjet për të mbajtur së bashku Serbinë dhe Malin e Zi, duke e parandaluar në këtë mënyrë hapin e fundit në shpërbërjen e Jugosllavisë, me ngrirjen e cdo lëvizjeje që do të çonte drejt pavarësisë së Kosovës dhe duke dashur që të krijojë një shtet dhe jo dy për integrim në Bashkimin Evropian. Tash është krijuar një konfederatë bizare, e cila nuk funksionon dhe e cila mbase do të zhduket, nëse Malit të Zi i lejohet që të mbajë referendumin mbi pavarësinë në vitin 2005.
Në anën tjetër, Perëndimi, në vend se ta përgatisë Serbisë për t’u përballur me dilemën mbi Kosovën, për të cilën shumë serbë kanë qenë të gatshëm ta bëjnë pas luftës atje, ka luajtur letrën e rivendosjes së sovranitetit serb mbi Kosovën. Në vend që të inkurajojnë serbët për ta pranuar realitetin se e kanë humbur Kosovën, të dërguarit e Perëndimit në Beograd kanë inkurajuar liderët serbë, dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë edhe sot, të besojnë se Serbia ka një rol serioz në Kosovë.
Arsyetimi i Perëndimit për një politikë të këtillë është mbështetur në qëndrimin se qeveria e Serbisë është e brishtë dhe nuk duhet ndërmarrë asnjë hap që do të vështirësonte funksionimin e saj me diskutimet për të ardhmen e Kosovës.
Me insistimin se rolin kryesor në administrimin e Kosovës duhet ta luajnë Kombet e Bashkuara dhe me krijimin e formulës për përmbushjen e standardeve para se të krijohet një qeveri me pushtet të plotë, Perëndimi e ka futur veten në telashe edhe më të mëdha lidhur me çështjen e Kosovës. Askush nuk ka thënë se zgjidhja për Kosovën është e lehtë, pavarësia e saj është çështje e komplikuar me pasoja të paqarta. Por sa herë që Perëndimi është përgjigur me vonesë, rezultatet kanë qenë të këqija dhe me qasjen aktuale të vendeve perëndimore, përpara vetes do të kemi bllokada, jostabilitet politik, tensione ndëretnike në rritje, dhunë dhe qeveri mafioze.
Qeveritë perëndimore nuk janë të gatshme që të pranojnë fajin, por ta ndërrojnë temën dhe të rapsodizojnë mbi gjërat e mira që kanë arritur të bëjnë. Por, është koha që Perëndimi të ndihmojë reformat në Serbi, të lirojë Serbinë dhe Malin e Zi nga pseudo unioni i tyre, të lejojë qytetarët e Kosovës që të kenë një qeveri të vërtetë dhe të fillojë procesin e dhembshëm të zgjidhjes së çështjes së Kosovës.

Morton Abramowitz

XS
SM
MD
LG