Ndërlidhjet

logo-print

B.HAXHIU: STANDARDI KRYESOR - KTHIMI I SERBËVE


Baton Haxhiu, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, është thënë se fundi i këtij muaji do të shënojë edhe vlerësimet e para të përmbushjes së standardeve. Si e shihni ju çështjen e përmbushjes së standardeve?

BATON HAXHIU
Janë dy aspekte që determinojnë aspektin e përmbushjes së standardeve në Kosovë – e para është se a ka qeveria e Kosovës njerëz që mund të përcjellin aktivitetin dhe dinamikën e përmbushjes së standardeve, që unë dyshoj se ka, dhe e dyta, se sa është i gatshëm UNMIK-u që të pranojë ato propozime që pala shqiptare i propozon UNMIK-ut. Mbi këto dy aspekte mund të ndërtohet edhe përmbushja e standardeve. Unë mendoj se përmbushja e standardeve, realisht e ka vetëm një standard, e ai është kthimi i serbëve që përfshin shumë aspekte, ndërsa standardet e tjera do të jenë jo krejt formale, por do të kenë një procedurë më të lehtë. Përveç procedurës që rikthimit, ku përfshihen edhe punësimi edhe toleranca, edhe qasja e serbëve në shoqërinë kosovare, të gjitha të tjerat janë gati të përmbushura. Kushtimisht them të përmbushura, pasi në njëfarë mënyre do të ketë tolerancë për standardet e përcaktuara nga bashkësia ndërkombëtare. Problemi i dytë është TMK-ja dhe ky do të jetë problemi kryesor i marrëdhënieve të institucioneve të Kosovës dhe UNMIK-ut dhe unë e konsideroj këtë problem jo të institucioneve, por të TMK-së dhe UNMIK-ut, pasi institucionet e Kosovës kanë treguar një joseriozitet, që të mos them neglizhencë, në raport më TMK-në dhe ndihmesën që do të duhet dhënë atyre për të arritur standardet. Mbi këto dy standarde do të ndërtohet e gjithë politika e UNMIK-ut në tetëmbëdhjetë muajt e ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Ky vit për Kosovën do të jetë vit i zgjedhjeve të përgjithshme. Sa dhe si do të reflektohet procesi elektoral në përmbushjen e standardeve?

BATON HAXHIU
Kur janë përcaktuar standardet para statusit nga Michael Steiner, së bashku e kemi pasur një intervistë ku kam thënë se përmbushja e standardeve do të jetë shumë e rëndë për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në vitin 2004. Unë mendoj se vëmendja e liderëve politikë nuk do të përcaktohet kah standardet dhe në mungesë të burokracisë dhe teknokracisë që duhet të komunikojë me UNMIK-un dhe administratën e UNMIK-ut për përmbushjen e standardeve, dyshoj që partitë politike do të jenë të interesuara për përmbushjen e standardeve. Qeveria çfarë është tani, do të angazhohet në një mënyrë apo në një tjetër në fushatën zgjedhore dhe standardet për Kosovën do të harrohen. Unë besoj se që nga muaji mars apo prill do të kemi një zbehje të kontinuitetit të mendimit për standardet dhe ato do të dalin në pozicion të qoshit apo të skajit dhe njerëzit do të përcaktohen për një fushatë zgjedhore që do të jetë e ashpër dhe ndoshta më e rënda deri më tash, pasi njerëzit do të përcaktohen më në fund për votën se kush do ta ketë mazhorancën në parlament. Dhe, nëse ndodh që ta kemi një situatë çfarë e kemi pasur tri vjet më herët pa opozitë, atëherë mendoj se Kosova do të ketë probleme serioze në zhvillimin e proceseve sociale, politike ekonomike e të tjera. Nëse ndodh që Kosova të mbetet pa opozitë, atëherë standardet jo që nuk do ta arrihen deri në vitin 2005, por as do të ketë mundësi që bashkësia ndërkombëtare të deklarohet se janë përmbushur standardet deri në mesin e vitit 2005.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, në zgjedhjet në Serbi kanë fituar forcat radikale. Si do të ndikojnë këto rezultate të zgjedhjeve serbe në raport me Kosovën në përgjithësi dhe për çështjen e përmbushjes së standardeve, përfshirë edhe dialogun teknik në veçanti?

BATON HAXHIU
Unë e pashë se kryesisht të gjithë liderët në njëfarë mënyrë janë të gëzuar apo e kanë një ndjenjë lehtësie se radikalët kanë fituar në Serbi. Për një gjë jam i sigurt se ne duhet të gjejmë partnerë në Serbi për pavarësinë e Kosovës. Nuk duhet të gëzohemi apo të jemi të lehtësuar pse radikalët fitojnë, për arsye se procesi i pavarësimit të Kosovës, i cili gjithsesi do të ndodhë por varet prej kohës, do të shtyhet dhe do të krijohen probleme brenda shoqërisë kosovare - një se liderët dhe politika premtimin që e jep me vite të tëra nuk do të realizohet, dy që do t’u jepet hapësirë serbëve që të kontestojnë institucionet dhe do të hapin probleme të shumta në Kosovë, tre do të jenë të drejtat dhe liritë e njeriut, katër do të jenë problemet me TMK-në, pesë do të jetë decentralizimi dhe ajo që është fundamentale lëvizja e lirë e qytetarëve. Pra, mbi këto gjashtë probleme, politika kosovare duhet të gjejë zgjidhje. Unë nuk mendoj se me një parti radikale të Sheshelit, e cila nuk mendoj se do të jetë në pushtet në Serbi, por edhe nëse do të formojnë qeverinë, ajo do të jetë qeveri jetëshkurtër, nuk mendoj se mund të ndihmohet përmirësimi i kushteve të minoriteteve, për shkak të destruktivitetit dhe lëvizjeve që mund të bëjë partia radikale në Kosovë.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG