Ndërlidhjet

A MUND TË UNIFIKOHET OPOZITA NË SHQIPËRI?


Alma Çupi, Tiranë

Unifikimi i opozitës Shqiptare, pas votimit në kuvend të qeverisë ku partitë opozitare, nuk bashkuan votat, është bërë tema e debatit mes analistëve shqiptarë.
Për të pasur një opozitë të bashkuar, analistët mendojnë se partia më e madhe e opozitës Partia Demokratike, duhet të negociojë në këtë drejtim. Por deri më tani sipas kryeredaktorit të gazetës “Koha
Jonë”, Aleksandër Çipa, nuk po shihen përpjekje në këtë drejtim dhe ai shprehet skeptik për një opozitë të bashkuar në një të ardhme të afërt.
"Ne kemi dëgjuar së fundi disa apele apo deklarata të liderëve të partive të quajtura të vogla për qëndrim të unifikuar të gjithë forcave politike në oponencë me qeverisjen socialiste. E vërteta është se deri në këto momente nuk ka dhënë një përgjigje partia kryesore që do të thoja përbën shtyllën e opozitës shqiptare, që është Partia Demokratike e drejtuar nga zoti Berisha dhe ky fakt të lë të kuptosh se ende në spektrin opozitar politik shqiptar nuk është marrë një vendim i cili do të përballet me sfidimin e qeverisjes së socialistëve. Përderisa nuk është artikuluar protagonisti kryesor i opozitës, mbetem skeptik në besimin e realizimit të këtij unifikimi", thotë zoti Çipa.
Edhe zëvendës kryeredaktori i gazetës “Albania” Lazër Stani, thotë se nuk ka shanse për një bashkim të opozitës, sa kohë që Partia Demokratike, nuk inicion për procese të reja brenda saj.
" Bashkimi i opozitës fillon nga bashkimi dhe demokratizimi i PD-së. Sa kohë që PD-ja të ndjekë të njëjtat politika të njëjtat praktika që ka ndjekur të paktën gjatë këtyre 7 viteve të fundit që është në opozitë, mendoj se opozita prapë do të riciklojë konflikte mes njëri tjetrit dhe vazhdimisht do shkojë e pakënaqur dhe e përçarë në zgjedhje, duke i krijuar gjithnjë shanse Partisë Socialiste dhe koalicionit të majtë për të ruajtur një lloj supremacie të ngushtë në zgjedhje."
Nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Emin Gjana duke iu përgjigjur pyetjes së bërë nga Evropa e Lirë, se sa përgjegjësi ka Partia Demokratike në bashkimin e opozitës thotë:
"Nuk çmoj se përgjegjësitë janë tek Partia Demokratike. PD-ja dihet që është partia më e madhe e opozitës. Mund të thosha se në kuotat e votimeve të fundit, duke lënë mënjanë atë që u bë me lojën e listave etj, Partia Demokratike është me shifra të barabarta, ndoshta dhe më përpara sesa partia që sot ka maxhorancën qeverisëse. Megjithatë çmoj se Partia Demokratike duhet të krijojë hapësira dhe mundësi, por as ka qenë dhe as mbetet Partia Demokratike ajo që mund të zhvillojë pazare lidhur me atë që quhet unifikim".
Megjithatë analistët mendojnë se unifikimi i opozitës është mjaft i domosdoshëm, pasi përçarja e saj i krijon monopol qeverisë dhe abuzim me pushtetin duke i lënë hapësirë korrupsionit. Analisti Aleksandër
Çipa jep edhe pasoja që shkakton në qeverisje mosunifikimi i opozitës
"Mosunifikimi i opozitës i jep mundësi qeverisësit të përdorë pushtetin jo vetëm në mënyrë abuzante po pse jo edhe të krijojë linjat e korruptivitetit të segmenteve të pushtetit të tij. Si i tillë kjo indiferencë, ose më saktë kjo detyrë e moskryer e opozitës, i jep më jetë pushtetit, i cili mbetet i opononcuar nga qytetari, një pushtet i cili nuk merr në konsideratë krizën sociale dhe problemet që përjeton shoqëria në ditët e saj."
Thirrjen për të bashkuar opozitën e bëri së fundi kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, thirrje e cila ende nuk është marrë në vëmendje të Partisë Demokratike dhe të Partisë Demokrate të re, e cila dha votën pro qeverisë së re në Kuvend.
XS
SM
MD
LG