Ndërlidhjet

PËRMIRËSIMI I SISTEMIT GJYQËSOR DHE LUFTA KUNDËR KORRUPSIONIT NË VËMENDJEN E PRESIDENTIT PËR 2004


Alma Çupi, Tiranë

Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, doli sot përpara shtypit për të bërë të ditur prioritetet për vitin 2004. Në vëmendjen e presidentit për këtë vit do të jetë përmirësimi i sistemit gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, bashkëpunimi me partitë politike për
ngritjen e moralit politik, si dhe angazhimi në politikat e jashtme për të bërë të mundur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Një nga zgjidhjet më të afërta presidenti Moisiu përmendi krijimin e një ministrie për emigrantët shqiptarë kudo në botë.
" Mbase ju kujtohet që kjo ide është hedhur vjet në takimin me diplomatët tanë dhe që është mirëpritur shumë veçanërisht nga emigracioni jonë, qoftë ai në Greqi, në Itali dhe kudo. Për këtë kemi rënë dakort edhe me kryeministrin për të krijuar një grup pune që të fillojë puna për studimin dhe përgatitjen e një projekti të veçantë për ngritjen e këtij dikasteri".
Në vëmendje të presidentit do të jetë edhe çështja e të përndjekurve politike dhe çështja e zgjidhjes së pronave. GJithashtu presidenti Moisiu u angazhua që gjatë vitit 2004 do të kontribuojë në luftën e
koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.
"Unë do të jem tërësisht i angazhuar të kontribuoj në disa probleme kryesore. I pari është roli aktiv i Shqipërisë në koalicionin kundër terrorizmit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Problem tjetër shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit është shtimi i përpjekjeve tona për përmbylljen me sukses të bisedimeve për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit me Bashkimin Evropian dhe për arritjen e standardeve të aderimit të ardhshëm në NATO".
Një çështje tjetër ku do të përqendrohet vëmendja e presidentit është edhe çështja statusit të Kosovës, që sipas presidnetit Moisiu i takon Kosovës, për ta zgjidhur, por që Shqipëria nuk do të rrijë indiferente
dhe do të ofrojë ndihmën e saj.
" Ne kemi mundësi dhe nëpërmjet përfaqësuesve tanë të ngremë zërin për problemet që ka Kosova, për zgjidhjen e tyre sa më të shpejtë dhe për arritjen e standardeve për të cilat kryesisht do të punojë vetë Kosova, dihet, por dhe ne do të japim ndihmesën tonë përmes përvojës që kemi. Unë mund t'ju them që edhe në fjalën time në shtator të vitit të kaluar në OKB dhe në takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Kofi Annan, unë këto probleme i ngrita dhe i shtrova hapur dhe sigurisht do të vazhdoj në këtë rrugë sepse është një e drejtë legjitime e atij populli."
Presidenti Alfred Moisiu në lidhje me akuzat e bëra së fundi nga opozita, në lidhje me dekretimin e ministrave të kabinetit të ri qeveritar që u votua në kuvend përpara vitit të ri, u përgjigj duke thënë se ato janë thjeshtë emocione të momentit dhe se për ministrat e përfolur duhen denoncime konkrete:
"Unë nuk mund të mendoj, jo unë por asnjë president, nuk mund ta quajë veten president normal e të vazhdojë të kryejë funksionin e vet në qoftë se nuk do të ketë marrëdhënie me opozitën. Pra unë mendoj që shprehjet emocionale të disa momenteve të caktuara, i shoh vetëm si një shprehje mendimesh të cilave ju ka kaluar koha".
Pavarësisht sulmit të bërë presidencës nga ana e opozitës, presidenti Moisiu theksoi se ka zbatuar kushtetutën në të gjitha vendimet e saj dhe se roli i tij do të jetë gjithnjë mbështetur në kushtetutë dhe
për të ndihmuar që shoqëria shqiptare të funksionojë në bazë të ligjeve.




XS
SM
MD
LG