Ndërlidhjet

TAKIMI UNMIK-"KTHIMI" PA REZULTAT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Edhe një takim i zhvilluar sonte ndërmjet shefit të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë Harri Holkerit me përfaqësuesit e koalicionit “Kthimi” nuk ka përfunduar me rezultate konkrete, për përfshirjen e liderëve serbë në kuadër të grupeve punuese për plotësimin e standardeve. Pas takimit që zgjati dy orë, liderët serbë thanë se mbeten prapa kërkesave të tyre me të cilat ata synojnë jo vetëm ndryshimin e planit për implementim, por edhe të dokumentit për standardet për Kosovën, tashmë i miratuar në Këshillin e Sigurimit, si dhe u shprehën kundër bartjes së përgjegjësive tek institucionet kosovare. Në anën tjetër, zyra për media e UNMIK-ut përmes një komunikate, citon z.Holkeri të ketë pohuar se UNMIK-u po bën përpjekje t’i nxisë liderët serb të përfshihen në procesin implementues të standardeve, pasi kjo konsiderohet të jetë edhe në interesin e tyre. Ai ka ripërsëritur në takimin me përfaqësuesit serbë se, “dera është e hapur dhe karriget janë rezervuar për ta”.
Mirëpo, deputeti serb Oliver Ivanoviç, thotë se koalicioni “Kthimi” kërkon që pas përfshirjes së Rezolutës 1244 në preambulën e dokumentit për standardet, tani kjo rezolutë të jetë dhe pjesë e standardeve dhe implementimit të tyre:
“Vendim nuk kemi marrë dhe këtë nuk do ta bëjmë derisa të kemi qëndrimin e UNMIK-ut rreth kërkesave tona të qarta. Deri atëherë çdo gjë është e hapur, të shohim se çfarë do të na sjell e ardhmja”, tha Ivanoviç, në lidhje me përfshirjen e serbëve në kuadër të grupeve punuese për standardet, ndërkohë që ai shprehu vërrejtje edhe lidhur me procein e bartjes së përgjegjësive:
“Ne kishim qendrim krejt tjetër nga UNMIK-u pasi institucionet kosovare deri tani janë treguar teknikisht të paafta dhe politikisht të papjekura”, tha Ivanoviç.
Mirëpo në anën tjetër, në komunikatën me shkrim të UNMIK-ut, theksohet edhe një herë se bartja e kompetencave jo të rezervuara, është vendim që buron nga aktet ligjore kushtetuese me të cilat funksionon administrata e UNMIK-ut në Kosovë.



XS
SM
MD
LG