Ndërlidhjet

ABRAMOWITZ: DUHET T'I JEPET FUND ADMINISTRIMIT TË KOMBEVE TË BASHKUARA NË KOSOVË


Morton ABRAMOWITZ, anëtar i bordit drejtues të Grupit Ndërkombëtar të Krizave

RADIO EVROPA E LIRË
Thuajse 5 vjet pas përfundimit të luftës dhe mbajtjes së zgjedhjeve të lira, Kosova përballet me të njëjtat probleme dhe sfida sa i përket të ardhmes së saj. Çfarë mund të thoni rreth kësaj?

MORTON ABRAMOWITZ
Mendoj se është shumë e rëndësishme që sa më shpejt që të jetë e mundur, të krijojmë një qeveri efikase të Kosovës. Dhe kjo mendoj se nuk do të jetë e lehtë duke pasur parasysh ndarjet e thella në mesin e udhëheqësve të Kosovës. Krijimi i një qeverie funksionale të Kosovës dhe shndërrimi i UNMIK-ut në një strukturë këshilluese që nuk adminIstron më Kosovën, janë elementët e procesit që do duhet të fillojë shpejt.
Mendoj se gjithashtu është e nevojshme të nisim procesin e zgjidhjes së çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës. Kjo nuk është e lehtë, do marrë kohë dhe për fat të keq do të shtyhet sërish. Kjo e fundit do të ndodhë pjesërisht për shkak të mosveprimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe pjesërisht për shkak të rezultateve të zgjedhjeve në Serbi, ku nuk dihet se kur do të ketë një qeveri efikase serbe. Edhe nëse tashmë, forcat më demokratike krijojnë një qeveri, nuk dihet se sa mund të zgjasë ajo qeveri.
Për fat të keq është humbur shumë kohë, që do ta bëjë edhe më të vështirë zgjidhjen e statusit përfundimtar. Por mendoj se dy janë gjërat më të rëndësishme që duhen bërë: të ndihmojmë Kosovën që të krijojë një qeveri efikase, e cila do të kujdeset për problemet e pakicës serbe dhe njëherësh do të kujdeset për kthim të një numri sa më të madh të mundshëm të serbëve. Por gjithashtu është shumë e rëndësishme që t'i jepet fund administrimit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni shkruar se "Standardet për Kosovën", janë një formulë, që e kanë krijuar vendet perëndimore për të shtyrë dhe më tej statusin e Kosovës. A mund të na shpjegoni pak më gjerësisht mendimin tuaj rreth standardeve?

MORTON ABRAMOWITZ
Me këtë mendoj se shumë vende në perëndim ende hezitojnë të lëvizin drejt diskutimit të statusit përfundimtar të Kosovës. Disa prej tyre ende besojnë se Kosova në një mënyrë apo në një tjetër do të mbetet pjesë e Serbisë dhe shpresojnë që me kalimin e kohës gjërat do të zhvillohen në mënyrë të tillë që të gjendet një rrugë për serbët në Kosovë që të jetojnë së bashku. Këto vende nuk kanë asnjë nxitim për të krijuar një qeveri të pavarur të Kosovës.
Ata kanë krijuar "Standardet para statusit", por mendoj se nuk duhet të jetë kështu. Besoj se duhet të jetë një qeveri adekuate që do të përmbushë standarde të arsyeshme demokratike, në një shkallë të gjerë.
Por ata kanë vendosur standarde të tilla, që në këtë botë të soTme, vetëm Danimarka dhe Norvegjia mund t'i përmbushin. Për mua standardet janë një mundësi për mënjanuar krijimin e një qeverie efikase të Kosovës dhe për të shtyrë diskutimin e statusit përfundimtar. Dhe kjo mendoj është për të ardhur keq.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mund të na thoni për planin Grosman?

MORTON ABRAMOWITZ
Nëse mendoj që është diçka e mirë, këtu kam parasysh vetëm që aty ishte përcaktuar një datë. Por sipas meje mënyra si janë hartuar standardet janë të tilla që, ndonëse mund ta teproj pak, vetëm pak vende në Evropë i përmbushin. Nuk besoj se është një përpjekje serioze plani i standardeve para statusit. Nga ana tjetër mendoj se një gabim i madh është bërë me atë që është shtyrë vendosja e një qeverie efikase dhe diskutimi i statusit të Kosovës. Ndoshta po përsëris veten, por këto janë gjërat bazë që duhen bërë dhe çdo gjë që përdoret për të shtyrë apo si justifikim për të vonuar procesin, vetëm sa e bën problemin shumë më të madh e më të vështirë për ta zgjidhur në afat të gjatë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra, të cilat flasin për një ndarje të Kosovës, si zgjidhje e mundshme. Cilat janë gjasat që diçka e tillë të ndodhë dhe cilat janë pasojat e një plani të tillë?

MORTON ABRAMOWITZ
Kjo është një çështje e vështirë. Sipas meje janë dy rrugë drejt pavarësisë: e para, pavarësi për Kosovën dhe e dyta pavarësi me ndarje të Kosovës.
Personalisht nuk do doja të paragjykoja se cila do të ndodhë. Mendoj se ndarja shoqërohet me shumë probleme serioze, pasi krijon një morri vështirësish e pasigurish. Por nuk besoj se mund të ketë zgjidhje të situatës aktuale, pa bisedime serioze mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë nuk ma merr mendja se këto bisedime mund të ndodhin tani apo derisa Kosova të ketë një qeveri serioze.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mesin e analistëve ka nga ata që mbështesin idenë se çështja e Kosovës ka dëmtuar forcat demokratike në Serbi, ndërsa të tjerë thonë se zgjidhja e statusit të Kosovës do ndihmojë demokratizimin e vërtetë të Serbisë.

MORTON ABRAMOWITZ
Besoj se për aq kohë sa ekziston problemi i Kosovës janë më të pakta mundësitë që të kemi një Serbi të qëndrueshme dhe demokratike.
Sa më parë që të zgjidhet problemi i Kosovës, aq më shpejt duket se do lëvizet drejt një Serbie demokratike. Sa më shumë që të shtyhet kjo çështje aq më shumë paqëndueshmëri do të krijojë në rajon dhe në Serbi.

RADIO EVROPA E LIRË
Do të doja t'i kthehesha dhe një herë çështjes së statusit. Keni thënë se duhet të fillojë procesi i gjatë e i dhimbshëm i zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Kur dhe si mendoni se duhet të zgjidhet statusi i Kosovës?

MORTON ABRAMOWITZ
Besoj se duhet të ketë një mirëkuptim në këtë drejtim të vendeve perëndimore. Njëherësh duhet të sqarohet se për çfarë ato janë të përgatitura që të ndodhë në Kosovë e më pas si do të shkohet deri atje. Kjo nuk do të zgjidhet thjesht nga bisedimet mes Kosovës e Serbisë, ndonëse bisedimet mes tyre janë të rëndësishme.
Pra procesi duhet të fillojë me vendet perëndimore dhe ato duhet ta kenë të qartë se si do arrihet deri tek zgjidhja. Por një konceptim i tillë ende nuk ka ndodhur në perëndim dhe deri sa të vijmë në këtë pikë ky problem thjesht do zvarritet. Pra është shumë e rëndësishme që vendet perëndimore të diskutojnë se cilat janë opcionet e mundshme.
Siç ju kujtohet në Rambouillet ishte një fjali në marrëveshjen në fjalë ku thuhej se pas tre vjetësh do të merrej parasysh dhe mendimi i popullit të Kosovës. Kjo është njëra mënyrë për të vepruar, ndonëse nuk them që është më efikasja.
Është çështje shumë e vështirë dhe duhet diskutuar, por për momentin të gjithë kanë futur kokën në rërë.

Intervistoi Iliriana A. Bajo
XS
SM
MD
LG