Ndërlidhjet

KOSOVA: TRANZIT, DESTINACION DHE BURIM I TRAFIKIMIT TË QËNIEVE NJERËZORE


Albana Isufi, Prishtinë

Nga 121 viktima të trafikimit që Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijëve i ka pranuar për trajtim vitin e kaluar, 65 % kanë qenë fëmijë. Drejtuesja e kësaj qendre Sevdije Ahmeti, alarmon se fëmijët në Kosovë nuk kanë siguri dhe se ata shumë lehtë mund të bëhen pre e trafikimit.
" Merren nga grupacione të ndryshme, dhunohen para shkollës, domethënë nuk ka siguri në shkollë, nuk ka siguri për fëmijët fare në ambjentin ku jetojnë dhe ku sillen. Pastaj futen në bandat e ndryshme për shkak të turpit apo të mëkatit që kanë bërë fëmijë sepse nuk kanë vetëdije në atë mëkat dhe futen në një grup për t'u shfrytëzuar seksualisht", thotë zonja Ahmeti.
Por drejtues të njësitit për hetimin e trafikimit dhe të prostitucionit që vepron në kuadër të policisë ndërkombëtare në Kosovë, thonë se ka shumë pak apo s'ka fare raste të trafikimit të fëmijëve.
" Nuk ka aq shumë raste të trafikimit të fëmijëve, megjithatë janë disa raste. Por për ne të gjitha janë raste të trafikimit", tha Irina Kokos, duke mos dhënë detaje se për çfarë arsye janë trafikuar këta fëmijë. Nga ana tjetër zonja Ahmeti thotë se viktimat e trafikimit vlerësohen ndryshe nga qendra që ajo drejton e ndryshe nga njësiti për hetimin e trafikimit dhe prostitucionit.
" Ata nuk punojnë me viktimat tona dhe nuk i përkrahin dhe mëtutje ngrenë zërin kundër tyre, për arsye se atyre nuk u intereson fare viktimat e brendshme. Për këtë arsye kemi kërkuar që të bëhet edhe ridefinimi i termave të trafikimit dhe luftës antitrafikim.
As Organizata Ndërkombëtare për Migrim, nuk ka bërë ndonjë profilizim të trafikimit të fëmijëve, duke i konsideruar të gjitha si viktima trafikimi. Megjithatë zyrtari për informim i kësaj organizate Bekim Ajdini, konfirmon se IOM-i ka identifikuar disa raste të trafikimit të fëmijëve.
" Ka disa raste ku kemi shënuar edhe trafikim të fëmijëve. Një pjesë e mirë e personave të asistuar kanë qenë të mitur, që nënkupton se janë nën 18 vjeç", thotë Bekim Ajdini.
Nga ana tjetër egziston një vlerësim i ndryshëm i numrit të viktimave të trafikuara gjatë vitit 2003. Policia ndërkombëtare thotë se ka rënie të rasteve të trafikimit. Në vitin 2002 kishin identifikuar 90 raste, kurse në vitin 2003 60 raste.
" Ju tashmë mund ta shihni se ka një rënie të rasteve të trafikimit, dhe ky zvogëlim është sepse një pjesë e trafikimit ka ndryshuar për shkak të vijës që po ndjekin pjesëtarët e policisë. Trafikimi dhe prostitucioni tashmë ka lëvizur në nëntokë. Nuk po bëhet më lokale apo motele. Çdo gjë po bëhet në strehime private dhe natyrisht kjo është shumë më vështirë për ne që t'i identifikojmë këto vende", tha Irina Kokos.
Bekim Ajdini nga Organizata për Migrim dhe Sevdije Ahmeti nga Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe Fëmijëve thonë se nuk ka patur rënie por as rritje të rasteve të trafikimit.
" Numri shënon një vijë konstante të paraqitjes së personave që kërkojnë asistencë prej Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit", thotë Zoti Ajdini, ndërsa zonja Ahmeti thotë:
" Nuk do të kisha thënë se ka rënie, por edhe nuk do të kisha thënë po ashtu se ka rritje. Është në një situatë të njëjtë sikurse ka qenë në vitin 2002".
Bazuar në të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare pë Migrim, që nga viti 1999 deri tani janë identifikuar rreth 400 raste të trafikimit. Shumica absolute janë femra nga Evropa Lindore, veçanërisht nga Moldavia, kurse 23 nga to janë viktima nga Kosova. Deri tani nuk është hartuar ndonjë strategji e përbashkët në mes të policisë dhe organizatave joqeveritare, por dhe të institucioneve vendore për të luftuar trafikimin. Megjithatë shumica e këtyre organizatave pajtohen për një gjë: Kosova tashmë është shndërruar në një vend tranzit, destinacion, por edhe burim i trafikimit.


XS
SM
MD
LG