Ndërlidhjet

logo-print

ÇFARË DOMINON NË KOSOVË- INTERESAT PARTIAKE APO ATO TË PËRGJITHSHME?


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe analistë të pavarur kanë mendime të ndryshme sa i përket një deklarate të mbrëmshme të shefit të UNMIK-ut, Harri Holkeri, i cili ka thënë se në Kosovë ekziston e ashtuquajtura politika e mahallave, ku interesat partiake vihen mbi interesat e përgjithshme. Përderisa analistët i japin të drejtë zotit Holkeri, zyrtari i qeverisë së Kosovës për ndërlidhje me UNMIK-un, Rexhep Hoti mendon ndryshe:
"Ndoshta në ndonjë segment të caktuar mund të ketë të drejtë, mirëpo duhet të kemi parasysh faktin se ka parti politike që kanë ofruar pushtet të tillë në kuadër të institucioneve, ku, të themi kushtimisht, janë në pushtet edhe përfaqësues të OJQ-ve. Kjo do të thotë se nuk është e vërtetë se partitë politike bëjnë politikën mbi interesat e të ardhmes së Kosovës, përkundrazi, partitë politike kanë dhënë maksimumin".
Mirëpo, analisti prishtinas, Enver Hoxhaj, mendon se Holkeri ka të drejtë:
"Mendoj se një deklaratë e tillë qëndron. Arsyeja qendrore është se kjo qever,i që është aktuale në Prishtinë, asnjëherë nuk ka qenë qeveri e programit, por ka qenë qeveri teknike dhe agjenda e partive politike është shumë më e fuqishme sesa agjenda qeveritare. Po ashtu, varet edhe nga niveli i kulturës politike që kemi në Kosovë dhe nga profili i partive politike, të cilat mbi të gjitha janë më shumë përfaqësuese të grupeve të interesit, sesa parti politike të mirëfillta si në Perëndim".
Zoti Rexhep Hoti, ndërkaq, jo vetëm që nuk pajtohet me zotin Holkeri, por mendon se akuzat e tilla më shumë kanë të bëjnë me UNMIK-un:
"Nëse flasim në këtë drejtim ne kemi shumë shembuj që vijnë pikërisht nga UNMIK-u që persona të UNMIK-ut bëjnë politikë të mahallës dhe kërkojnë njerëz të zgjedhur në kuadër të qeverisë, me të cilët mund të komunikojnë kushtimisht më lehtë dhe me të cilët nuk do të kishin telashe të tjera. Kjo do të thotë se gjejnë personalitete që flasin ashtu siç UNMIK-u ka dëshirë t’i dëgjojë".
Zoti Holkeri ka thënë se gjithashtu se për shkak të qasjes së tillë të politikës kosovare shpeshherë nuk arrihen të identifikohen dhe akceptohen interesat dhe interesimet e bashkësisë ndërkombëtare për procese të caktuara në Kosovë. Duke analizuar këtë, zoti Enver Hoxhaj thotë:
"Mendoj se lidershipi kosovar, partitë politike dhe përfaqësuesit e institucioneve deri më tani kanë treguar se nuk janë në gjendje t’i përcjellin trendet kryesore të politikës ndërkombëtare sa i përket Ballkanit dhe sa i përket Kosovës".
Ai mendon se kjo qasje partiake e institucioneve dhe lidershipit të Kosovës mund të ndikojë për të keq edhe në përmbushjen e standardeve, kur dihet se ky vit është vit i zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë:
"Mendoj se fushata zgjedhore do të ndikojë fuqishëm mbi procesin e përmbushjes së standardeve. Jam shumë i sigurt se gjysma e dytë e këtij viti do të jetë e fokusuar në fushatë zgjedhore. Deri në fund të majit ndoshta do të punohet për implementimin e standardeve, përderisa prej qershorit e tutje, i gjithë aktiviteti ynë politik do të konsumohet në përgatitjen e fushatës parazgjedhore, në mbajtjen e zgjedhjeve dhe po ashtu në formimin e institucioneve të mandatit të ardhshëm."
Sidoqoftë, zoti Holkeri me këtë rast ka tërhequr vërejtjen e përmbushja e standardeve nuk është lojë, por një ndërmarrje shumë serioze dhe e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe të statusit të saj. Kjo e vë Kosovën në udhëkryq ka thënë zoti Holkeri, ndërkohë që institucionet e Kosovës besojnë se interesat partiake nuk janë vënë dhe nuk vihen mbi ato të përgjithshmet.



XS
SM
MD
LG