Ndërlidhjet

LYON: EKSTREMISTËT SERBË DHE SHQIPTARË BASHKËPUNOJNË NË BISNESET E PALIGJSHME


James LYON shef i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Beograd

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Lyon, si do ta përshkruani gjendjen në Serbi pas zgjedhjeve të dhjetorit dhe cilat janë pasojat për rajonin e veçanërisht Kosovën?

JAMES LYON
Mendoj se situata aktuale është disi konfuze, derisa partitë politike po përpiqen të krijojnë koalicionin e ri qeveritar. Lidhur me Kosovën nuk mund të thuhet ende asgjë, derisa nuk e dimë se çfarë përbërje do të ketë koalicioni i ri qeveritar. Dhe përderisa nuk e dimë ende konfigurimin e qeverisë, do të ishte e paarsyeshme, të flasim se cila do të jetë politika lidhur me Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse partitë politike serbe, pa socialistët dhe radikalët, arrijnë të krijojnë qeverinë, sa do të zgjasë kjo qeveri?

JAMES LYON
Kjo është një pyetje që shumë vetë e bëjnë në këtë kohë. Ka një numër opsionesh. Ka njerëz brenda të ashtëquajturit bllok demokratik, që duan që qeveria të jetë tepër jetëshkurtër. Ka të tjerë që duan të shohin një qeveri që zgjat pak më shumë. Ajo që do të nënvizoja është se duket se çdo lloj qeverie që të formohet nuk do të jetë në gjendje të zgjasë më shumë se një vit. Por mbetet të shohim, nuk dua të paragjykoj të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka ekspertë që flasin për nevojën e procesit të denazifikimit të Serbisë. Cilat janë gjasat që ky proces të ndodhë në Serbi dhe kur?

JAMES LYON
Mendoj se rasti më i mirë u humb menjëherë pas rënies së Millosheviçit. Ajo çfarë ne kuptojmë zakonisht me denazifikim është dhënia fund e trashëgimisë së lënë nga Millosheviçi. Fatkeqësisht ky proces asnjëherë nuk filloi ashtu si duhet, gjatë qeverisë së mëparshme, ndaj do të jetë mirë nëse shohim që do të ndodhë pas krijimit të qeverisë së re. Megjithatë, e përsëris, gjithshka varet nga përbërja e kësaj qeverie.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e fundit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Luginën e Preshevës, thuhet se ka raste të trafiqeve në kufirin mes Luginës së Preshevës dhe Kosovës, madje me dijeninë në disa raste dhe të UNMIK-ut, Shërbimit Policor e Doganave të Kosovës dhe policisë serbe. A mund të na shpjegoni më gjerësisht rreth kësaj?

JAMES LYON
Ne shkuam në disa pika kalimi kufitar dhe pamë se kishte kamiona që kalonin në këto pika kur nuk kishte punonjës doganorë, por që lejoheshin nga policia. Njëherësh dokumentacioni përkatës që shoqëronte këto kamiona nuk ishte i plotë. Për rrjedhojë mund të thuhet se këto kamiona pa dokumentacionin e nevojshëm, e kalonin kufirin pa asnjë vështirësi, pasi disa nga zyrtarët e policisë dhe shërbimit doganor lejojnë të ndodhin gjëra të tilla.
Nuk kemi ndonjë reagim nga UNMIK-u, pasi raporti u bë publik pak para Krishtlindjeve dhe festave të fundvitit. Por ne kemi folur rreth kësaj çështje me zotin Holkeri dhe zyrtarë nga njësia anti-korrupsion. Ata ishin të habitur nga informacionet dhe gjetjet tona.

RADIO EVROPA E LIRË
Në të njëjtin raport ju thoni se ekstremistët shqiptarë dhe serbë bashkëpunojnë së bashku në biznese, disa të ligjshme e disa jo. Cilat janë gjetjet tuaja më konkretisht në këtë drejtim?

JAMES LYON
Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur flasim rreth këtij problemi, pasi nuk duam të flasim me emra për një numër arsyesh në këtë fazë. Por është e rëndësishme të thuhet se ka njerëz që gjejnë mundësi për përfitime të mira ekonomike në çdo situatë të paqëndrueshme. Ata e shohin se mund të bëjnë para dhe është në interesin e tyre që të vazhdojnë ta mbajnë gjendjen e destabilizuar. Ne pamë se ka njerëz në Luginën e Preshevës që bashkëpunojnë në këto fusha dhe ata janë serbë e shqiptarë, të cilët e kanë kuptuar se mund të bëjnë para duke përfituar dhe duke ruajtur këtë gjendje paqëndrueshmërie.
Është e vështirë të thuhet se cilat janë strukturat që bëjnë trafiqe të tilla, pasi një pjesë e tyre janë struktura - hije, njëherësh personat e përfshirë janë tepër oportunistë dhe se shumë prej tyre janë ish anëtarë të njësive policore e paraushtarake serbe, apo kanë qenë pjesëtarë të grupeve guerrile, ose të tjerë që kanë lidhje me këto grupe.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka publikuar se nuk ndihet prania e KFOR-it në kufi me Luginën e Preshevës, pasi KFOR-i amerikan është përqëndruar në mbledhjen e informacionit rreth organizatave fetare dhe humanitare islamike në rajon. A dini diçka mbi informacionet e KFOR-it amerikan dhe ju vetë a keni bërë hulumtime në këtë drejtim?

JAMES LYON
Së pari më duhet të them se ne kemi shkuar në të gjitha pikat e kalimit të kufirit dhe i mbikqyrëm ato ditën dhe natën. Ishte evident fakti se nuk kishte prani të KFOR-it dhe ky ishte sektori amerikan. Sa për zyrtarët e UNMIK-ut ata shfaqeshin rrallë.
Ne pyetëm pse KFOR-i nuk ishte i pranishëm në pikat kufitare dhe nuk merrte një rol aktiv atje, për më tepër kur dihet se trafiku i drogës, armëve apo lloje të tjera kontrabande bëhen përmes Kosovës. Sa i përket informacioneve të shërbimeve të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara nuk mund të them asgjë, pasi amerikanët nuk i ndajnë këto informacione me të tjerët. Ndërsa ne vetë, ndonëse nuk kemi bërë ndonjë studim të detajuar rreth kësaj çështje, kemi dijeni se cilat janë organizatat humanitare islamike apo të krishtera në rajon dhe me cilat vende janë të lidhura. Por nuk kemi bërë ndonjë hetim të thellë lidhur me veprimtarinë e organizatave islamike atje.

Intervistoi Iliriana A. Bajo




XS
SM
MD
LG