Ndërlidhjet

SERWER: JETËSIMI I STANDARDEVE PARËSORE PËR KOSOVËN


Daniel Serwer, Instituti amerikan i Paqes

RADIO EVROPA E LIRË
Viteve të fundit keni qenë shumë i angazhuar lidhur me situatën në Kosovë dhe më gjërë në Ballkan. Cili është vlerësimi juaj, a mund të themi se në Kosovë, në përgjithësi, tani kemi një progres?

DANIEL SERWER
Mendoj që ka një farë progresi në Kosovë, definitivisht... por progresi është jo i njëllojshëm dhe më i ngadalshëm se ai që do doja të shihja.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilat fusha mendoni se progresi është i ngadalshëm?

DANIEL SERWER
Mendoj që fusha kryesore, për sa i përket bashkësisë ndërkombëtare, është vendosja e pushtetit të ligjit dhe trajtimi i pakicave, veçanërisht i serbëve. Mendoj se është një këndvështrim i përgjithshëm në komunitetin ndërkombëtar se kjo po ndodh shumë ngadalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Desha t'ju pyes lidhur me standardet, sepse, sipas disa analistëve, kthimi i serbëve është njëri nga standardet kryesore. Si e parashihni këtë çështje në të ardhmen?

DANIEL SERWER
Ka shumë gjëra në standarde që, ose janë kryer, ose do të jenë relativisht të lehta për t'u kryer. Ka shumë gjëra në standarde që janë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës. Por, kur e pyesni një ndërkombëtar se çfarë është më e rëndësishme para se Kosova të lëvizë drejt vendimit për statusin e saj final, ai do të thotë: shikoni është trajtimi i serbëve dhe i pakicave të tjera dhe ky trajtim nuk është adekuat për të shkuar në përcaktimin e statusit final tani. Ndoshta mund të jetë në vitin 2005, por kjo do të kërkojë një punë shumë të madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët statusin final të Kosovës. Sipas zyrtarit të lartë të Shteteve të Bashkuara, Marc Grossman, nga mesi i vitit 2005 do të hapet ky proces, natyrisht pas vlerësimit të standardeve. Çfarë mendoni për këtë çështje?

DANIEL SERWER
Mendoj se duhet të kuptohet se do të ketë një rishikim të progresit të standardeve në vitin 2005 dhe se nga kjo varen diskutimet e statusit final. Mendoj se është një proces i mirë, mendoj që është korrekte të kërkohet nga Kosova që t'i plotësojë kërkesat e vetëqeverisjes para ecjes drejt përcaktimit të statusit final. Dhe nëse standardet nuk do të jenë plotësuar deri në atë kohë, mund të ketë shtyrje. Njerëzit duhet të marrin shumë seriozisht nocionin që kjo nuk është automatike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndër këto standarde, analistët thonë se shumë i rëndësishëm është po ashtu edhe standardi i dialogut me Beogradin për çështje teknike. Duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të fundit në Serbi, a ka ndonjë hapësirë për vazhdimin e dialogut?

DANIEL SERWER
Besoj se ka një farë hapësire që të vazhdojë dialogu për çështjet teknike. Por sigurisht ai do të jetë shumë më i vështirë…si për faktin se qeveria që do të dalë në bazë të rezultatit të zgjedhjeve në Beograd, pasi me gjasë do të jetë e ndarë, dhe për shkak të ndikimit të partive nacionaliste në Beograd, që është qartas mjaft i fortë. Megjithatë, njerëzit në Kosovë nuk duhet të shqetësohen shumë për këtë. Ajo për të cilën duhet të shqetësohen është që të shfrytëzojnë këtë moment dhe ta përgatisin mirë vetveten për bisedimet me Serbinë. Nëse e bëjnë këtë, pra nëse shkojnë në bisedimet me Serbinë, shumë të përgatitur nga ana teknike dhe politikisht të bashkuar…dhe sërish nuk do të ketë rezultate për shkak të vështirësisë për të biseduar me Beogradin për momentin, komuniteti ndërkombëtar do ta dijë se kush duhet të mbahet përgjegjës. Por gjë e rëndësishme për Kosovën është fitimi i një pozicioni të lartë moral, të cilin e ka humbur në një farë shkalle, duke u përgatitur me kujdes, duke shfrytëzuar këta pak muaj që vijnë, sepse do të kalojnë disa muaj deri sa Beogradi të jetë i gatshëm që t'i vazhdojë bisedimet; pra, për t'u përgatitur mjaft mirë për këto bisedime teknike me Beogradin.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë amerikanë thonë se aktualisht Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shumë të angazhuar në çështje të tjera dhe se tani Ballkani, për ta, është çështje sekondare. Si i komentoni këto vlerësime?

DANIEL SERWER
Mendoj se definitivisht është e vërtetë se për Shtetet e Bashkuara, Ballkani nuk është as çështje dytësore, por mund të jetë e një prioriteti të tretë apo të katërt në këtë kohë. Kjo natyrisht nuk është mirë për Kosovën. Kjo ndodhi sepse Kosova nuk i bëri të gjitha ato gjëra që duhej të bënte me shpejtësi, menjëherë pas vendosjes së protektoratit. Që Kosova të rikthehet në agjendën e Shteteve të Bashkuara, do të kërkohet një veprim i shpejtë dhe kategorik për ti plotësuar standardet. Në atë pikë Kosova apo Prishtina mund t'u thotë Shteteve të Bashkuara se i kemi bërë ato çfarë kërkuat, tani është radha juaj që të mbani premtimin tuaj. Por nëse standardet nuk plotësohen, nuk do ketë baza që kjo të thuhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, a mendoni se kosovarët do t'i plotësojnë standardet?

DANIEL SERWER
Mendoj se munden, por çështje reale është se a kanë ata vërtet përkushtim politik, angazhim të unifikuar politikisht për të bërë diçka të tillë. Megjithatë kam dyshimet e mia. Ata duhet vërtetë që ta kuptojnë se gara politike rreth çështjeve të standardeve është një veprim i pamatur për Kosovën në tërësi. Ajo që duhet të bëhet është plotësimi i standardeve. Garën politike mund ta zhvillojnë për çështje të tjera.

Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG