Ndërlidhjet

KORNIZA KUSHTETUESE (NUK) DO TË NDRYSHOHET


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës nuk do të miratojë vendime të cilat do të nxisnin mosmarrëveshje me Misionin e Kombeve të Bashkuara, thotë deputeti Fatmir Sejdiu, duke iu referuar procesit të ndryshimit të Kornizës Kushtetuese. Deputeti Sejdiu, një prej anëtarëve të grupit punues i mandatuar nga Kuvendi për ndryshime kushtetuese, thekson se këto ndryshime janë vlerësuar si nevojë e procesit të përgjithshëm politik në Kosovë, duke pasur parasysh kalimin e kompetencave dhe përgjegjësive nga administrata ndërkombëtare te vendorët, duke përmbyllur kështu, sipas tij, me sukses misionin ndërkombëtar me bartjen e të gjitha përgjegjësive te vendorët, para fazës së definimit të statusit final të Kosovës. Por, paraprakisht, thotë Sejdiu, Kuvendi do t’i harmonizojë qëndrimet dhe me Misionin ndërkombëtar në Kosovë.
“Në këtë proces besoj se është i nevojshëm edhe një bashkëpunim me zyrën ligjore të përfaqësuesit special, pasi që nga fillimi ka pasur reagime të cilat kanë marrë formën e keqkuptimeve dhe në njëfarë mënyre duam që t’i evitojmë të gjitha keqkuptimet e kësaj natyre, duke pasur parasysh që tërësia e amendamenteve të jenë të pranueshme edhe për Kuvendin dhe të jenë të realizueshme”, tha Sejdiu.
Mirëpo, në anën tjetër, pavarësisht qëndrimit të Kuvendit të Kosovës, në administratën e UNMIK-ut mendohet se nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese në këtë fazë, dhe se sipas zëdhënëses Izabella Krlovitz, UNMIK-u vetëm mund ta përsërisë qëndrimin e mëhershëm, se Korniza Kushtetuese, është një akt juridik i paraparë të jetë në fuqi deri në zgjidhjen e statusit final të Kosovës:
“Korniza Kushtetuese ashtu si është, reflekton balancën e vënë me kujdes ndërmjet forcave dhe interesave, me të cilën vihet baza ligjore për qeverisjen e Kosovës derisa statusi i Kosovës të zgjidhet”, thotë zëdhënësja Karlovitz. Ndërsa deputeti Fatmir Sejdiu, mendon se institucioneve të Kosovës duhet t'u kalohen përgjegjësitë dhe për fushat e rezervuara, të cilat aktualisht janë në kompetencë të shefit të UNMIK-ut. Por, sidoqoftë, thotë Sejdiu, Kuvendi do t’i ofrojë këto ndryshime tek instancat ndërkombëtare dhe pret miratimin e tyre. Kurse zbatimin apo venien në fuqi të Kornizës së re Kushtetuese, tha ai, Kuvendi do të dëshironte që në mandatin e tashëm të këtyre institucioneve, apo të paktën në mandatin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet e këtij viti, të cilat besohet se do ta përmbyllin dhe fazën e definimit të statusit të Kosovës:
“Nëse ndodh që të zvarritet çështja e miratimit final apo e shpalljes, atëherë sigurisht se do të donim që bile legjislatura e ardhshme të jetë një legjislaturë që do të mbështetet, mbi një bazë të re, sikurse mendoj që edhe ndryshimet eventuale që do të bëhen dhe do të pranohen, nuk do të jenë krejt ajo që e dëshiron populli dhe institucionet e Kosovës”, vlerëson Sejdiu.
Në rast të mungesës së përkrahjes ndërkombëtare për këto ndryshime, Sejdiu nuk donte të spekulonte asgje, por tha se Kuvendi sigurisht se do të marrë vendim adekuat i cili nuk do të nxiste reagime negative ndërkombëtare për Kosovën. Ndërsa zëdhënësja e UNMIK-ut Izabella Karlovitz, tha gjithashtu se nuk mund të parashihte se cili do të ishte vendimi pasues i shefit të UNMIK-ut në rast të një vendimi të njëanshëm të Kuvendit, por shtoi ajo, Korniza Kushtetuese mund të ndryshohet vetëm nëse në këtë proces marrin pjese ata të cilët e kanë hartuar atë, pra bashkësia ndërkombëtare me miratimin paraprak të Këshillit të Sigurimit:
“Ndryshimi i Kornizës Kushtetuese, padyshim se kërkon miratimin paraprak të komunitetit ndërkombëtar dhe konsultimet me Këshillin e Sigurimit”, thekson zëdhënësja Karlovitz.
Në lidhje me këto ndryshime, grupi punues parlamentar ka caktuar për javën tjetër një debat publik me ekspertë vendorë ku do të diskutohen propozimet për amandamentimin e Kornizës Kushtetuese, ndërsa më pas, në fund të këtij muaji, këto amendamente do t’i procedohen Kuvendit për shqyrtim.


XS
SM
MD
LG