Ndërlidhjet

ANDERSON: SERBIA KA SABOTUAR PROJEKTET NDËRKOMBËTARE NË KOSOVË


Aleks Anderson, drejtor i Projektit të GNK-së, Zyra Prishtinë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Anderson, pas miratimit të dokumentit “Standardet për Kosovën”, procesi implementues tashmë ka filluar. Cilat janë vlerësime ttuaja të para rreth këtij procesi?

ALEKS ANDERSON
Së pari këtu ka nevojë për Planin implementues, në mënyrë që këto standarde të jenë produktive. Standardet për Kosovën janë shpallur që në dhjetor, kurse tani jemi në mesin e janarit dhe plani implemtues ende nuk është hartuar. Duke pasur parasysh se ka kohë vetëm deri në mesin e 2005-ës për një përparim më të madh dhe për t’i përmbushur këto standarde, është mjaft e mërzitshme se ne jemi duke u ballafaquar vazhdimisht me një proces zvarritjesh.

RADIO EVROPA E LIRË
Institucionet vendore kanë vërejtje në lidhje me mungesën e kompetencave. Sa konsideroni se mungesa e tyre do të implikojë vetë procesin e përmbushjes së standardeve?

ALEKS ANDERSON
Në mënyrë që qeveria vendore të mund të bëjë apo prodhojë diçka, ka nevojë për një proces të shpejtuar të bartjes së kompetencave gjatë procesit implementues të standardeve, gjatë këtij viti. Kjo për arsye se pa këtë proces ne ende do të mbetemi në këtë gjendje, kur qeveria e përkohshme do të ankohet dhe shfajësohet se nuk ka kompetenca për t’i plotësuar standardet. Kjo do të na kthejë në gjendjen e vitit të kaluar kur kishim një lojë të dyanshme të hedhjes së fajit ndërmjet UNMIK-ut në njërën anë dhe institucioneve të përkohshme të vetqeverisjes në anën tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht, në këtë proces nuk janë përfshirë përfaqësuesit e komunitetit serb. Si e shihni pozicionimin e tyre dhe çfarë efektesh ka mospjesëmarrja e serbëve në procesin e plotësimit të standardeve?

ALEKS ANDERSON
Procesi i standardeve është një mekanizëm që i çon kosovarët përpara dhe kërkon nga ata që t’i përfshijnë në këtë proces edhe minoritet. Dhe, natyrisht se procesi dëmtohet edhe nëse minoritetet me vetë dëshirën e tyre, nuk duan të marrin pjesë në këtë proces. Për fat të keq zgjedhjet e Serbisë në fund të dhjetorit të vitit 2003 kanë vërtetuar një fakt të qartë për kufizimin e përfshirjes së serbëve në procesin e standardeve. Ne e pamë që pjesëmarrja në standarde u shndërrua në një lojë politike futbolli në kuadër të qarqeve politike serbe dhe se po ashtu edhe drejtori i Qendrës Koordinuese serbe për Kosovën Nebojsha Çoviç, qartazi radikalizoi pozicionin e tij gjatë dhjetorit. Po ashtu edhe liderët serbë në Kosovë u ballafaquan me një trysni të madhe të Beogradit që të mos marrin pjesë në kuadër të standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, sa atëherë konsideroni se edhe zgjedhjet e fundit në Serbi, respektivisht rezultati i tyre, ka ndikuar në forcimin e qëndrimit apo pozicionit të pakicës serbe në Kosovë, për bojkotimin e standardeve?

ALEKS ANDERSON
Rezultati i zgjedhjeve, apo rezultati i lartë që arriti Partia Radikale do të duhej të ishte një thirrje shumë më e fuqishme që komuniteti ndërkombëtar të zgjohet. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar, vetëm se e konsideronte Serbinë si një çelës të stabilitetit të ardhshëm në Ballkan. Mendoj po ashtu, se komuniteti ndërkombëtar sikur i ka mbyllur sytë kur është në pyetje një patologji apo sëmundje që ka kapluar spektrin politik në Serbi, çka ka prodhuar një rezultat të lartë për radikalët atje. Po ashtu, Serbia nuk është ende e kënaqur me kufijtë e saj, dhe se në këtë rrafsh, Serbia vazhdon që ta konsiderojë Bosnjën si një territor të ndashëm dhe në këtë kuadër Republikën Serbe si një pjesë që ndoshta do t’i takonte Serbisë. Gjithashtu, Sebia i ka sabotuar në masë të madhe projektet e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë. Që nga vera e vitit 2003, ne pamë disa zhvillime dhe avancime të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, duke hapur kështu shumë zyra të Qendrës Koordinuese në pjesë të ndryshme anembanë Kosovës, çka është në kundërshtim me marrëveshjet me UNMIK-un. Kurse këto dy javët e fundit dëgjuam dhe deklarimin e zotit Stojanoviç se Serbia i ka zhvilluar dhe strukturat e saj të inteligjencës në Kosovë. Mirëpo kemi situatën kur, përderisa Serbia po i shton strukturat e veta paralale në Kosovë dhe provon që t’i legjitimojë ato, në anën tjetër kemi një përgjigje të dobët nga komuniteti ndërkombëtar rreth këtyre zhvillimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke i pasur parasysh të gjitha problemet aktuale në Kosovë, ashtu dhe çështjet e tjera zhvillimore ekonomike, sa konsideroni se institucionet vendore do t’ia dalin në krye që ta përmbyllin këtë proces dhe cili sipas jush duhet të jetë pozicionimi ndërkombëtar gjatë këtyre 18 muajve në vijim?

ALEKS ANDERSON
Mendoj se Grupi i Kontaktit dhe komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi, duhet ta çojnë në vend premtimin e vazhdueshëm, të cilin ia dhanë në kuadër të Grupit të Kontaktit, planit të zotit Marc Grossman, plan ky i cili më pas u trajtua këtu gjatë nëntorit. Nëse do të shkojmë në mesin e vitit 2005, kurse ky premtim nuk do të mbahet, atëherë mendoj se do të kemi një zemërim të ashpër dhe do të kemi frustrime këtu në Kosovë. Mendoj se Grupi i Kontaktit në veçanti duhet që me të vërtetë t’i japë përkrahje të vazhdueshme këtij procesi dhe të përkushtohet sidomos në çështjet ku ka mungesë zhvillimore, të cilat reflektohen në çështjen e statusit, siç është zhvillimi ekonomik dhe procesi i privatizimit. Unë nuk mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë si një mbikqyrës neutral as gjatë vitit 2004 dhe të shohë se çfarë rezultatesh po shënohen këtu në përmbushjen e standardeve deri në mesin e vitit 2005, pasi komuniteti ndërkombëtar duhet që me të vërtetë të përkushtohet dhe të ofrojë përkrahjen e vet.

Intervistoi: Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG