Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS PRANOJNË VARËSINË E POLITIKËS SË TYRE NGA BEOGRADI


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Të gjithë shefat e deritanishëm të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shpeshherë kanë udhëtuar deri në Beograd për të biseduar me zyrtarët e atjeshëm serbë, në përpjekje për t’i bindur përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që të kyçen në procese të ndryshme, të cilësuara si të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Kosovës. Rasti i fundit është vizita e zotit Harri Holkeri në Beograd, ku është takuar me shefin e Qendrës Koordinuese për Kosovën, Nebojsha Coviç, për të biseduar rreth pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në përmbushjen së standardeve, ndonëse edhe ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Por, çfarë thonë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës mbi varshmërinë e tyre nga politika e Beogradit?
Oliver Ivanoviç nga koalicioni serb “Kthim” thotë: “Natyrisht, se politika jonë nuk është e pavarur, me vetë faktin se Kosova është në territorin e Serbisë dhe nëse shtojmë faktin se përfaqësuesit e bashkësisë serbe në Kosovë nuk kanë edhe aq shumë mundësi të komunikojnë në mes tyre, atëherë është logjike që autoritetet në Beograd të shfrytëzohen si faktor komunikimi”.
Nenad Radosavljeviç, gjithashtu nga koalicioni serb “Kthimi” dhe koordinator për kthimin në administratën e Kombeve të Bashkuara thotë se “kushdo që ka kujtuar se politika e politikanëve serbë është e ndarë nga ajo e Beogradit, ka gabuar rëndë. Politika jonë është absolutisht e varur nga Beogradi, është e pamundur të ndahet një komb në dy pjesë, në një gjë të këtillë askush nuk ka pasur dhe nuk do të ketë sukses”.
Në Misionin e Kombeve të Bashkuara janë të përmbajtur sa i përket kësaj çështjeje. Zëdhënësja e këtij Misioni, Isabella Karlowitz, pohon se “çdo qytetar i Kosovës, ligjërisht konsiderohet të jetë kosovar. Ta marrim si shembull dialogun, që është një prej standardeve për Kosovën dhe në bazë të dokumentit mbi këto standarde, serbët e Kosovës duhet të jenë në anën e kosovarëve”.
Përfaqësuesit e koalicionit serb “Kthimi” thonë se ata bashkëpunojnë kryesisht me forcat demokratike, por si do të veprojnë tani, me fitoren e forcave radikale në zgjedhjet parlamentare atje?
“Nëse në pushtet vijnë forcat radikale," thotë Oliver Ivanoviç, "mendoj se me këto parti nuk do të kishim ndonjë lidhshmëri të fortë, por gjithsesi do të kemi kontakte zyrtare, sepse autoritetet në Beograd janë të një rëndësie të madhe për serbët e Kosovës”. Mirëpo, edhe kjo thënë kushtimisht zbehje e komunikimit në mes të koalicionit serb “Kthimi” dhe pushtetit të mundshëm që do të krijohet nga forcat radikale në Serbi, mund të ketë ndikim të padëshirueshëm edhe brenda vetë komunitetit serb, nëse merret parasysh fakti se serbët e Kosovës numrin më të madh të votave të tyre ua kanë dhënë pikërisht radikalëve. Institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë u kanë bërë thirrje të vazhdueshme serbëve të Kosovës që t’i njohin këto institucione, si rrugë që do të mundësonte integrimin e tyre.

XS
SM
MD
LG