Ndërlidhjet

logo-print

NATO-JA E PËRKUSHTUAR PËR TË MBETUR NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

NATO-ja do të mbetet e pranishme në Kosovë përmes KFOR-it, pavarësisht se forcat në Bosnjë do të vihen në komandën e SFOR-it deri në fund të këtij viti, ka deklaruar sot në Prishtinë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, i cili ka takuar sot zyrtarët më të lartë ushtarakë e civilë të pranisë ndërkombëtare, si dhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Scheffer tha se nuk ka kurrfarë planesh që misioni paqëruajtës i NATO-s KFOR në Kosovë të zëvendësohet me misionin paqëruajtës të Bashkimit Evropian, siç do të ndodhë me misionin në Bosnjë:
"Në Kosovë çështja është ndryshe, pasi KFOR-i është këtu dhe është këtu për të mbetur, pasi KFOR-i tregon përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë," tha zoti Scheffer, sipas të cilit dallimet ndërmjet Bosnjës dhe Kosovës janë të mëdha dhe fakti se Eurocorps do ta marrë komandën e trupave në Bosnjë, kjo nuk do të ndikojë për ndryshimin e strukturës, rolit dhe misionit të NATO-s përmes KFOR-it në Kosovë. Ky përkushtim dëshmohet edhe me vizitën time këtu, tha Scheffer, duke theksuar se viti 2004 është një vit i rëndësishëm i cili nuk guxon të harxhohet kot, prandaj edhe KFOR-i nuk do të pësojë ndryshime të konsiderueshme:
"Kur them se përkushtimi i plotë i NATO-s do të vazhdojë, mund të prisni se nuk do të shihni ndryshime në fuqinë e NATO-s," tha Scheffer, sipas të cilit nuk do të ketë zvogëlim të dukshëm të numrit të ushtarëve dhe as të strukturës së KFOR-it. Shpjegimi për këtë përkushtim tonin të vazhdueshëm e mbështesim edhe në dëshirën e popullit të Kosovës që ne të jemi këtu, pasi njerëzit na duan dhe na çmojnë:
"Unë jam zëdhënësi i tyre kur them nga përgjegjësia që kam, se ende mendoj se përkushtimi i NATO-s përmes KFOR-it për proceset në Kosovë është i rëndësishëm," tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Zoti Scheffer ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të luajnë rolin e tyre në procesin e përmbushjes së standardeve, ndërsa UNMIK-u dhe KFOR-i janë këtu vetëm për të ndihmuar
Drejtuesit e institucioneve të Kosovë kanë shfaqur kënaqësinë e tij për shkak të zotimeve të zotit Scheffer se NATO-ja përmes KFOR-it do të jetë e pranishme në Kosovë:
"Kërkova nga zoti Scheffer një përkrahje për Kosovën edhe më tej. KFOR- dhe NATO-ja bëjnë një punë të shkëlqyeshme në Kosovë dhe të gjithë jemi të kënaqur. Gjithsesi në të ardhmen unë kërkoj që të ketë edhe baza të NATO-s në Kosovë dhe ne do të jemi një anëtar simpatik i NATO-s," tha presidenti Rugova, duke e falënderuar zotin Scheffer që ka zgjedhur Kosovës vendin e parë për ta vizituar në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Edhe kryeministri Bajram Rexhepi e vlerësoi të rëndësishëm këtë fakt, pasi kjo dëshmon përkushtimin e NATO-s për Kosovën, tha kryeministri Rexhepi, sipas të cilit adresimi i zotit Scheffer ndaj serbëve ishte inkurajues:
"Ai ia bëri me dije komunitetit serb se duhet t’i realizojnë të drejtat e tyre përmes përfaqësuesve të tyre dhe përmes pjesëmarrjes aktive në grupet punuese për implementimin e standardeve dhe do të bëhet çmos që të zhbëhen strukturat paralele dhe presim edhe influencën e NATO-s në këtë drejtim."
Ndërkaq, kryeparlamentari Nexhat Daci e quajti këtë vizitë një fillim të mbarë të bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare:
"Ishte një qëndrim shumë i qartë i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për përkrahjen e plotë të progresit që është arritur në Kosovë dhe qëndrimit deri në fund, ndërsa e shfrytëzova momentin që ta falënderoj NATO-n dhe zotin Holkeri për vendimin e tij që të jetë administratori i fundit në Kosovë."
Zoti Scheffer, i emëruar zyrtarisht në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s e ka zëvendësuar në këtë post Lordin George Robertson.

XS
SM
MD
LG