Ndërlidhjet

logo-print

VENDORËT DHE NDËRKOMBËTARËT- MENDIME TË NDRYSHME RRETH NDRYSHIMEVE TË KORNIZËS KUSHTETUESE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri, i është drejtuar sot me një letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, nga i cili ka kërkuar që procesi i filluar nga Kuvendi për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese të respektojë procedurat kushtetuese. Ky qëndrim i zotit Holkeri, është bërë publik nga këshilltari i tij juridik Aleksander Borg Olivie, në një debat publik të organizuar nga komisioni parlamentar për ndryshimin e Kornizës Kushtetuese. Përndryshe, ky komision, sipas Arsim Bajramit i cili drejton atë, ka përgatitur tashmë amendamentet, të cilat pas dëgjimit të mendimeve edhe nga eksperët vendorë, siç ishte debati i sotëm, sipas tij do të harmonizohen dhe dërgohen në Kuvend për miratim. Deputeti Arsim Bajrami, tha se Korniza Kushtetuese ishte një akt juridik i domosdoshëm për fazën e parë të administrimit ndërkombëtar të Kosovës, kurse në këtë fazë të funksionimit të institucioneve të zgjedhura, tha ai, domosdoshmërisht që nevojiten ndryshime kushtetuese për definimin më të qartë të përgjegjësive në mes UNMIK-ut dhe qeverisë vendore:
“Kosova po përgatitet për ciklin e dytë të zgjedhjeve parlamentare dhe besoj se është plotësisht logjike që institucionet e Kosovës kërkojnë më tepër kompetenca, për ta ndihmuar edhe vetë UNMIK-un që të ecë përpara dhe të implementojë mandatin e tij”, tha Bajrami.
Ndërkohë, duke u inkuadruar në debat, nismës për ndryshime kushtetuese i kanë ofruar mbështetje të plotë dhe zyra ligjore e Presidentit dhe ajo e Kryeministrit të Kosovës. Halit Muharremi, këshilltar juridik i Presidentit të Kosovës, kërkoi që nisma për ndryshime të kthehet në nismë për hartimin e një kushtetute të re të Kosovës:
“Që në fillim propozoj që emërtimi Kornizë Kushtetuese për vetqeverisje të përkohshme të ndryshohet dhe të jetë Kushtetuta Kosovës. Duke vlerësuar se janë përmbushur në nivel të posaçëm standardet për Kosovën të paraparë nga bashkësia ndërkombëtare për jetë të lirë e sigurtë për të gjithë qytetarët e Kosovës, do të thotë në preambulë të shtohet edhe ky paragraf”, tha Muharremi.
Në anën tjetër, duke sqaruar pozicionin e UNMIK-ut, Aleksandër Borg Olivie, tha se Korniza Kushtetuese nuk është një akt që nuk mund të ndryshohet, por, shtoi ai, për këto ndryshime nevojitet që në proces të marrin pjesë të gjithë ata që e kanë hartuar këtë akt juridik, pra administrata e UNMIK-ut dhe përfaqësuesit vendorë, me një miratim paraprak të Këshillit të Sigurimit:
“Kuvendi ka kompetenca që në mënyrë formale të vendosë vetëm për çështjet që nuk janë në fushat e përgjegjësive të rezervuara tek institucionet e përkohshme të Kosovës”, tha Olivie, për të shtuar se është vendim i shefit të UNMIK-ut më pas nëse do t’i pranojë ato vendime apo jo. Olivie, tha se deputetët kosovarë duhet ta kenë të qartë, se pa miratimin e UNMIK-ut dhe Këshillit të Sigurimit, çdo nismë e tillë nuk do të mund të implementohet. Këtë qëndrim, tha Olivie, ia ka paraqitur zoti Holkeri në letrën e tij dhe kryeparlamentarit Daci.
Duke iu përgjigjur qëndrimit të zotit Olivie, deputeti Arsim Bajrami, tha se vetë Olivie kur ishte hartuar kjo Kornizë, kishte deklaruar se ajo do të pësonte ndryshime në fazën e funksionimit të institucioneve. Ndërsa nismën parlamentare për ndryshime, ai tha se UNMIK-u nuk duhet ta kuptojë si qasje në njëanshme të institucioneve vendore për t’i marrë kompetencat:
“Ka katër vite që kur është miratuar kjo Kornizë, dhe akoma Kosova është në pikën zero. Mendoj se është dashur që vetë UNMIK-u, pra jo vetëm Kuvendi, por vetë Përfaqësuesi Special, me iniciativën e tij, ta fillojë procesin që ato t’i aftësojë, t’u japë kompetenca esenciale që ato vërtetë të marrin përgjegjësinë për gjendjen në Kosovë”, tha Bajrami.
Në debatin e sotëm, kanë marrë pjesë dhe ekspertë vendorë për çështje ligjore. Kështu sipas profesorit Ejup Sahiti, ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme, sepse përmes tyre, do të qartësoheshin dhe shumë kundërthënie që ka vetë Korniza e tanishme. Po ashtu, sipas Sahitit, rëndësi e posaçme duhet kushtuar që këto ndryshime të përfshijnë dhe një rregullim më të mirë ligjor të sistemit të tanishëm të gjykatave sistem, i cili sipas tij dhe gati të gjithë diskutuesve, ka nevojë më së shumti për reforma:
"Korniza edhe kur jep autorizime, ato autorizime i ndalon, i lë në dilemë, qoftë të përfaqësuesit special, qoftë të institucioneve. E kur vjen te përgjegjësia, ajo u vishet institucioneve të vetëqeverisjes, prandaj mendoj që ka nevojë të rishqyrtohet Korniza Kushtetuese," tha profesor Sahiti.
Në debatin e sotëm, mbizotëroi ideja që Korniza e tanishme të mos ndryshohet, por të hartohet një Kushtetutë e re e Kosovës. Sidoqoftë, vendimi paraprak i Kuvendit ka qenë që komisioni i formuar të paraqesë amendamente për ndryshime kushtetuese, të cilat sipas kryetarit të grupit punues, do të paraqiten në Kuvend për miratim në fund të janarit. Pas kalimit në procedurën parlamentare, u tha se këto ndryshime do t’i dërgohen Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, kur pritet pozicionimi final i shefit të administratës ndërkombëtare nëse do t’i pranojë këto ndryshime apo jo.


XS
SM
MD
LG