Ndërlidhjet

PËRFUNDON GREVA E URISË SË FAMILJEVE TË TË ZHDUKURVE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Greva e urisë e 120 familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, e cila dje filloi nën organizimin e Asociacionit të Familjarëve të Personave të Zhdukur dhe të kidnapuar, ka përfunduar sot në orën 11:00. Pas përfundimit të grevës, pjesëmarrësit e saj kanë protestuar para selisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara në Prishtinë, duke kërkuar që të takohen me shefin e kësaj administrate, Harri Holkeri. Kryetari i Asociacionit të Familjarëve të Personave të Zhdukur dhe të Kidnapuar, Sheremet Ademi ka paralajmëruar se përfaqësuesit e këtij asociacioni do të takohen me kryeadministratorin Holkeri.
“Zoti Holkeri e ka caktuar takimin nesër nga ora 11 deri në 12, ku do ta presë një delegacion të Asociacionit të familjarëve, në fakt ky do të jetë Këshilli grevist, i cili do t’ia prezentojë drejtpërdrejt zotit Holkeri të gjitha këto kërkesa dhe familjarët do të qëndrojnë përsëri para zyrave të UNMIK-ut, që të presin rezultatet e bisedimeve me zotin Holkeri”.
Zoti Ademi tha se nga kryeadministratori i Kosovës do të kërkojnë që në Këshillin e Sigurimit ta prezentojë problemin e personave të zhdukur dhe të kidnapuar dhe nga ky këshill të kërkojë formimin e një mekanizmi që do të hetonte lokacionet për të cilat dyshohet se janë vende ku mbahen shqiptarët e rrëmbyer, që do të hetonte të gjitha dosjet dhe arkivat mbi të vërtetën për këta persona, si dhe kthimin e të gjitha kufomave të shqiptarëve nga Serbia. Ndërkaq, Nysrete Kumnova, drejtuese e organizatës joqeveritare “Thirrjet e nënave” tha se nga takimi me zotin Holkeri pret rezultate pozitive.
“Realisht presim që të na realizohen këto kërkesa që i kemi, pasi Holkeri do të shkojë në Këshillin e Sigurimit që të raportojë për Kosovën, kështu që çështje prioritare duhet të jetë kthimi i të gjithë të rrëmbyerve të Kosovës, që janë mbi 3500, cilidoqoftë fati i tyre”.
Në rast se kërkesat e familjarëve të të zhdukurve dhe kidnapuarve nuk përmbushën, ata kanë paralajmëruar se protesta do të vazhdojë.
“Nëse këto kërkesa, zoti kryeadministrator nuk i prezanton në Këshillin e Sigurimit, atëherë do të vazhdojmë me forma të ndryshme të manifestimit të pakënaqësisë qytetare. Besoj se mjafton premtimi publik. Aty do të prezantojnë 5 anëtarë të Këshillit Koordinues dhe nuk do të imponohemi me ndonjë formë, e cila e degradon personalitetin apo funksionin e tij, por vetëm premtimi i dhënë besoj që është i mjaftueshëm, sepse ka të bëjë me një çështje mjaft serioze”.
Sidoqoftë, zoti Ademi ka paralajmëruar se familjarët e personave të zhdukur dhe të kidnapuar do të tubohen përsëri nesër në orën 9:00, para zyrave të administratës ndërkombëtare në Prishtinë.



XS
SM
MD
LG