Ndërlidhjet

logo-print

VAZHDOJNË PËRPLASJET MES UNMIK-UT DHE QEVERISË SË KOSOVËS RRETH AKM-SË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

UNMIK-u nuk ka ndërmend ta shkarkojë drejtoreshën menaxhuese të bordit të AKM-së, Marie Fucci nga posti i saj, pavarësisht nga kërkesa ultimative e qeverisë së Kosovës, ka thënë sot një zëdhënës i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Kris Pierre Litiere. Kjo deklaratë është bërë pas kërkesave të shtuara të kryeministrit Rexhepi për shkarkimin e Marie Fuccit nga posti i drejtoreshës së AKM-së, duke e emërtuar atë si përgjegjësen kryesore për ngecjen e procesit të privatizimit. Ndryshe, kryeministri Rexhepi ka paralajmëruar ngrirjen e raporteve me AKM-në. Mirëpo, zyrtari i shtyllës katërt, Kris Litiere tha se kryeministri nuk ka ofruar dëshmi lidhur me kërkesën e tij:
"Drejtoresha e AKM-së është emëruar nga shefi i UNMIK-ut dhe asnjëherë nuk është ofruar ndonjë dëshmi për ndonjë gabim të bërë nga ajo, prandaj nuk shohim ndonjë arsye që ajo të japë dorëheqje," tha Litiere, sipas të cilit, fakti se kryeministri i Kosovës ka kërkuar largimin e saj nuk është relevant për largimin e dikujt nga posti. Ne në shtyllën e katërt kemi qenë të befasuar nga deklaratat e kryeminstrit Rexhepi, tha zoti Litiere, për të shtuar se nëse dikush duhet të kërkojë dorëheqjen e dikujt, duhet të ofrojë dëshmi të caktuara dhe se shtylla e katërt nuk sheh ndonjë arsye të qëndrueshme që ta bëjë zonjën Fucci të japë dorëheqje.
Zoti Litiere madje tha se zonja Fucci ka vënë në vijë shumë punë në AKM që nuk kishin qenë sipas tij në rrugë të drejtë.
Pos kryeministrit Rexhepi, edhe kryetari i BSPK-së, Bahri Shabani, që njëkohësisht është edhe anëtar i bordit të AKM-së, ka kërkuar dorëheqjen e zonjës Fucci, duke shtuar se nëse kjo kërkesë nuk realizohet, atëherë do të ketë protesta dhe greva të pandërprera të sindikalistëve. Një ndër argumentet e palës kosovare kundër Marie Fuccit ishte fakti se ajo po ndryshon politikat operacionale, pa konsultuar palën kosovare, mirëpo, zoti Litiere tha se kjo nuk është e vërtetë:
"Ndryshe nga njoftimet e gabuara në shtyp, nuk ka është bërë asnjë ndryshim në politikat operacionale pa konsensusin e bordit të AKM-së, pasi propozimet bëhen në bord dhe merret parasysh qëndrimi i të gjithë anëtarëve të bordit," tha Litiere.
Mirëpo, anëtarët venorë të bordit janë ankuar se në secilin rast, ata janë mbivotuar nga anëtarët ndërkombëtarë të bordit, duke pasur parasysh vlerën më të madhe të kryetarit të bordit.
Sidoqoftë, zytarët e shtyllës katër kanë paralajmëruar se AKM po punon për finalizimin e kontratave për pesë kompanitë e raundit të dytë të privatizimit, ndërkohë që është lansuar procesi i privatizimit për 19 ndërmarrje që do të tenderohen në raundin e tretë, ratifikimi i të cilave mund të bëhet së shpejti.




XS
SM
MD
LG