Ndërlidhjet

logo-print

HOLKERI PREMTON TË NGREJË ÇËSHTJEN E PERSONAVE TË ZHDUKUR NË KËSHILLIN E SIGURIMIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Asociacioni i Familjeve të personave të rrëmbyer gjatë luftës, ka marrë sot përkrahjen e shefit të misionit ndërkombëtar në Kosovë, se do të angazhohet që çështja e të zhdukurve gjatë luftës do të ngrihet edhe në Këshillin e Sigurimit. Kështu të paktën ka deklaruar Sheremet Ademi, kryetar i këtij asociacioni, pas një takimi që përfaqësuesit e familjarëve të personave të zhdukur kanë zhvilluar sot me shefin e UNMIK-ut Harri Holkeri. Ademi tha po ashtu, se Holkeri u ka premtuar atyre se do të angazhohet që çështja e personave të zhdukur të ngritet në nivelin e bisedimeve në komitetet e formuara ndërmjet UNMIK-ut dhe Beogradit. Përgjithësisht tha Ademi, takimi me Holkerin ka qenë i suksesshëm dhe si rrjedhojë familjarët dhe të afërmit e personave të zhdukur, do t’u japin fund protestave dhe grevës, në mënyrë që t’i jepet rasti shefit të UNMIK-ut që t’i zgjidhë kërkesat e tyre, të cilat ai i numëroi me sa vijon:
"Kërkesa themelore është që zoti Holkeri këtë problem ta shtrojë në Këshillin e Sigurimit, që të kërkojë nga Këshilli i Sigurimit formimin e një organi, i cili do të hetojë lokacionet eventuale ku mund të mbahen njerëzit tanë, të hetohen dosjet dhe arkivat e Serbisë dhe që të kthehen të gjitha kufomat nga Serbia në Kosovë".
Ndërkohë që u tha se takimi me Holkerin ishte i suksesshëm dhe se kërkesat e tyre ishin përfillur, para selisë së UNMIK-ut qëndronin shumë familjarë dhe të afërm të personave të zhdukur që prisnin lajme nga ky takim. Në deklarimet e tyre, ata insistonin që autoritetet vendore e ndërkombëtare, të angazhohen më tepër dhe të zbardhet fati i të afërmve të tyre, për të cilët ata nuk dinë që nga koha e luftës:
" Fate Krasniqi, ne jemi të Gjakovës. Unë i kam dy djemtë e mi dhe 24 djem nga lagja jonë që na i mori ushtria që në 1 prill. Në janë gjallë le të na i kthejnë gjallë, le të na e zbardhin fatin e tyre sidoqoftë e mos na i lenë në Serbi djemtë tanë...
Unë jam i komunës së Mitrovicës, Xhemal Myftari, i kam 4 të zhdukur, dy djemtë e mi dhe dy djemtë e axhës. Kisha patur një lutje për kryesinë tonë dhe te qeveria jonë që të na ndihmojnë, sepse afër 3000 djem e vajza i kemi në burgjet serbe duke i mbajtur dhe nuk dihen ku janë. Ne kemi informata që një numër i madh, rreth 1300 vetë se janë gjallë, e për ata qeveria jonë si qeveri na ka ndihmuar pak në këtë farë situate...
Refik Bataçi nga Fushë-Kosova. Dy vëllezër i kam të zhdukur që në fillim të 1999. Janë zhdukur duke mbrojtur pragun e shtëpisë në orën 6 të mbrëmjes. Që atëhere nuk dihet për fatin e tyre. Kemi kërkuar në të gjitha anët, por nuk dihet ende për fatin e tyre."
Përndryshe, në Kosovë llogariten të zhdukur edhe rreth 3500 persona, ndërsa rreth 700 kufoma të gjetura në Serbi ende presin të kthehen në Kosovë.
Ndërkohë zyra për persona të zhdukur dhe mjekësi ligjore pranë UNMIK-ut, përmes një njoftimi thotë se deri tani ka kthyer rreth 195 trupa të gjetura në varrezat masive në Serbi, por thekson se në Serbi ndodhen edhe 700 trupa të ekshumuar që u duhen kthyer familjeve të tyre në Kosovë.

XS
SM
MD
LG