Ndërlidhjet

LEGALIZOHET UNIVERSITETI I TRETË SHTETËROR NË MAQEDONI


Isuf Kadriu

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar ligjin për themelimin e universitetit të tretë shtetëror në Tetovë, me të cilin sipas përfaqësuesve të pushtetit egzekutiv, zgjidhet çështja e arsimit të lartë të shqiptarëve në Maqedoni. Kundër këtij ligji është deklaruar partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE, e cila para votimit ka braktisur seancën plenare.
Ligji i miratuar parasheh themelimin e katër fakulteteve dhe të një shkolle të lartë me gjithsej 17 degë, duke përjashtuar shkencat mjekësore. Ministri i Arsimit, Aziz Pollozhani tha se dita e sotme është shumë e rëndësishme për studentët dhe stafin drejtues të Universitetit të Tetovës.
" Unë mendoj se zgjidhet një çështje, e cila prej një kohe të gjatë e rëndoi situatën dhe do të krijojë perspektiva të reja për këta të rinj, për ç'ka unë uroj dhe u uroj të gjithëve pra që ky universitet të shërbejë në përparimin e të gjithë qytetarëve të republikës së Maqedonisë", tha zoti Pollozhani.
Nga ana tjetër kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti u shpreh:
" Realizohet një ëndërr e hershme e shumë gjeneratave që më në fund edhe shqiptarët të studjojnë në gjuhën e tyre amtare në vendin e tyre. Unë e shoh si një kthesë të madhe historike për afërsi mes shqiptarëve dhe maqedonasve", tha Ali Ahmeti.
Zoti Ahmeti ka përshëndetur partitë e koalicionit qeveritar që mundësuan miratimin e ligjit për legalizimin e Universitetit të Tetovës.
Ndërsa koordinatori i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Shqiptare, Zamir Dika thotë se me këtë ligj nuk zgjidhet çështja e arsimit të lartë të shqiptarëve në Maqedoni.
" Nga të gjitha vërrejtjet tona ne mund të konkludojmë një porosi për zotin Branko Crvenkovski: as mos mendojë se e ka zgjidhur çështjen e arsimit të lartë, pasi edhe me këtë projekt shqiptarët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë nga shteti dhe nuk plotësohet pika 6.2 e Marrëveshjes kornizë, por duhet të bëhet shumë më tepër për t'i bërë shqiptarët të barabartë në arsimin e lartë në Maqedoni."
Ministri i Arsimit Aziz Pollozhani, u shpreh se Universiteti i Tetovës me këtë ligj ka fituar autonominë e plotë, e cila mundëson edhe zgjerimin e tij me fakultete e degë të reja. Ndërkohë duke komentuar ligjin, deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë theksuar se miratimi i tij është antikushtetues, pasi sipas tyre shqiptarët e kanë të zgjidhur çështjen e arsimit të lartë.
"Maqedonia në sferën e arsimit të lartë apo atij universitar me këtë ligj praktikisht do të jetë një nga vrimat e zeza në Evropë", tha deputeti i VMRO-DPMNE-së Trajanovski.
Nga ana tjetër Ligji për Universitetin e Tetovës kishte mbështetjen e plotë edhe të Partisë së Prosperitetit Demokratik.
" Ne në këtë rast vetëm mund të urojmë që ky universitet t'i hedhë poshtë të gjitha ato diskutime dhe fjalë të cilat kanë qenë kundër themelimit të këtij universiteti, me një cilësi, me një angazhim edhe të studentëve edhe të profesorëve," tha deputeti Ismet Ramadani.
Universiteti i Tetovës është themeluar në vitin 1994, ndërsa në të aktualisht studjojnë mbi 10 000 studentë.
XS
SM
MD
LG