Ndërlidhjet

PRISHTINË


Përderisa viti 2003 ishte një vit i suksesshëm për institucionet e Kosovës, prioritetet për sivjet do të jenë standardet, integrimi i pakicave dhe pëfaqësimi i Kosovës në botë përmes zyrave të jashtme, ka thënë në fjalimin vjetor para Kuvendit, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Katër vitet e para të pasluftës, presidenti Rugova i ka vlerësuar vite të përparimit dhe forcimit të sigurisë e lirisë së Kosovës dhe ngritjes së institucioneve nacionale të Kosovës, të cilat sipas tij kanë funksionuar me sukses. Presidenti Rugova e ka vlerësuar periudhën katërvjeçare si të suksesshme edhe në planin ekonomik:
"Element me rëndësi është edhe buxheti i Kosovës që mblidhet nga të ardhurat, vetanake që dëshmon se Kosova është në gjendje të funksionojë si shtet", tha Rugova.
Ai tha se në planin e sigurisë është bërë përparim I konsiderueshëm: "Gjatë kësaj kohe është forcuar siguria publike. Policia e Kosovës sot ka një kontigjent të konsiderueshëm që duhet specializuar për detyra të ndryshme. TMK kanë arritur fazën e organizimit dhe do të kenë përkrahjen tonë për konsolidimin dhe profesionalizimin e tyre që të jenë forcë e aftësuar për detyrat e veta dhe forcë mbrojtëse në të ardhmen", tha Rugova.
Sa u përket planeve për të ardhmen, presidenti i Kosovës tha se viti, në të cilin kemi hyrë do të jetë vit i përparimit, pasi është krijuar një bazë e fortë për zhvillim. Ndër prioritetet në planin politik, zoti Rugova veçoi integrimin e pakicave:
"Në planin e brendshëm do të vazhdojmë të punojmë për integrimin e grupeve etnike apo të minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës dhe për garantimin dhe mbrojtjen e tyre. Njëherësh dëshirojmë një vullnet më të madh të minoriteteve për integrim në shoqërinë dhe shtetin e Kosovës", tha presidenti Rugova.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës tha se do të bëhen përpjekje që të bëhet bartja e sa më shumë kompetencave tek institucionet vendore, në mënyrë që ato të jenë sa më efikase:
"Një kujdes të veçantë do të kemi për mundësinë e përfaqëesimit të Kosovës përmes hapjes së zyrave në botën e jashtme, apo përmes formave të tjera", tha presidenti Rugova, duke e përmendur hap të mirë në këtë plan emërimin e senatorit Bob Dole ambasador nderi të Ksoovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një pjesë të fjalimit të tij, Rugova ia kushtoi përmbushjes së standardeve dhe vlerësimit të tyre:
Ne mendojmë se këto standarde janë në të mirë të zhvillimit dhe prosperitetit të vendit tonë dhe jo punë e nisur prej fillimit, pasi të gjithë kemi pranuar se Kosova ka pasur progres të cilin duhet fuqizuar, tha presidenti Rugova duke ripërsëritur kërkesën e tij për pavarësinë e Kosovës si faktor stabiliteti në rajon dhe në Evropë dhe u angazhuar për marrëdhënie të mira me fqinjët.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se fjalimi i presidentit para Kuvendit do të jetë tradicional, prandaj kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci pas fjalimit nuk ka lejuar deputetët të debatojnë lidhur me fjalimin e presidentit.
XS
SM
MD
LG